E Shtunë, 31 Tetor 2026

Conte: T’ia kthejmë lavdinë Juventusit

Trajneri i Juventusit, Antonio Conte synon që t’ia kthejë lavdinë klubit të tij, pas sezonit të suksesshëm në Serie A. Si lojtar, Conte ishte pjesë e një periudhë të artë me klubin, nga gjysma e viteve 90 e deri tek gjysma e viteve 2000, kur me Bianconerët dominonte në Itali dhe në Evropë.

Sidoqoftë, klubi pësoi një goditje të rëndë, kur u gjet fajtor për kurdisjen e ndeshjeve, me skandalin e quajtur Calciopoli, me ç’rast ‘Zonjës së Vjetër’ iu morën titujt e viteve 2005 e 2006, për të garuar një sezon në Serie B.

Por, sezonin e kaluar Conte e udhëhoqi ekipin bardh e zi drejt Scudettos së parë, që prej rikthimit në elitën e futbollit italian.

“Unë kam luajtur me këtë ekip nga viti 1995 deri më 2003 dhe shpesh kam festuar arritje të rëndësishme në fund të atyre sezoneve, si titujt, ashtu edhe trofetë ndërkombëtarë”, tha Conte.

“Ne do ta fillojmë sezonin e ri pas një edicioni të pabesueshëm dhe dëshirojmë të vazhdojmë me këto suksese, duke e rikthyer lavdinë e këtij klubi”, përfundoi trajneri italian.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›