Claudia Cardinale: Kam qenë e egër, kinemaja më shpëtoi jetën
Ka kujtuar dje gjatë një takimi me median, fillimet e saj, kur mori rolin e parë në Itali dhe nuk dinte të fliste italisht… bashkëpunimin me emrat më të mëdhenj të kinemasë italiane, Frederico Felini-n, Marcelo Mastroiani-n, Sergio Leone-n… Ka treguar disa sekrete të punës së saj e marrëdhëniet që krijonte me kolegët, hezitimin dhe frikën para çdo fillim xhirimi… forcën që i duhet një aktori për të përballuar çdo rol… Claudia Cardinale, Ikona e kinematografisë botërore tregon më tej se…
Si pranuat të bënit film me një regjisor të ri?
Përveç filmit që u shfaq në teatrin “Aleksandër Moisiu” dje në mbrëmje, “Të jesh Italian me zonjën Enrika”, të regjisorit turk Ali Ilhan, unë kam edhe tre projekte të tjera me regjisorë të rinj. Gjëja e rëndësishme për mua është skenari. Nëse nuk e pëlqej, e mbyll dhe nuk merrem me të. Nëse më pëlqen, atëherë takoj regjisorin dhe kjo është shumë e rëndësishme se ne këtë takim të drejtpërdrejtë me regjisorin, unë mund të kuptoj ja vlen të punoj me të apo nuk ja vlen. Kjo është sepse unë jam e privilegjuar, pasi në vitet 70 unë kam punuar me regjisorët më të mëdhenj të kinemasë, kështu që unë tashmë e kam eksperiencën e nevojshme për të kuptuar nëse ky regjisor ia vlen për të punuar ose jo.
Claudia, ju keni punuar edhe me të madhin Felini, mund të na tregoni diçka?
Ka qenë një moment i madh pasi unë në atë kohë luaja “Leopardin” me Viskontin dhe isha një muaj në xhirime me të dhe një muaj në xhirime me Felinin për “Otto a mezzo”. Nuk mund të kishte më shumë se kaq, të punoje me dy emra kaq të mëdhenj njëkohësisht. Me Viskontin ishte si të luaje në teatër, me Viskontin ishte çdo gjë improvizim. Njëri më donte brune e tjetri më donte më të çelur, gështenjë. Kështu që më duhej të ndryshoja flokët sa herë shkoja në shesh xhirimi. Por atë që dua të them për Felinin është se unë bisedoja me të dhe ai më shikonte magjishëm. Nuk mund të ketë më mirë, unë isha muza e tij, frymëzimi i tij, unë flisja me të dhe pastaj Marcelo Mastroiani bënte çfarë i thoshte Felini. Më pas ne kishim ndër mend të bënim edhe një film tjetër me Marcelo, bëmë kinoprovat dhe dukej se çdo gjë do të shkonte mirë, por siç dihet jemi duke folur për të madhin Felini dhe ai pati vështirësi me producentët dhe filmi u la.
Në filmin “C'era una volta il West” Sergio Leono për 8 minuta rresht mban të fiksuar në veprim portretin tuaj, si mundi ai ta mbante kaq gjatë dhe të shprehte kaq shumë? Si punoi ai me ju, Claudia?
Sergio Leone punonte ndryshe nga gjithë të tjerët. Mënyra sesi ai punonte me kamerën, ishte që i shkonte sa më afër portretit tim dhe deri sa mbërrinte tek sytë e mi, ku aty kërkonte shpirtin. Ky film është i pari vestern ku mes burrave interpreton një personazh femër, gjë që nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Por kështu ndodhi edhe në filmin “I profesionisti”. Mua më pëlqeu skenari dhe e bëra atë film me skena të vështira dhe madje nuk ka pasur figurantë as në momentin kur mua më tërhiqte kali…
Ju keni pasur gjithashtu kënaqësinë të luani edhe me figura mashkullore profesioniste aktorësh. Ka pasur ndonjë që ke pasur marrëdhënie miqësore me ndonjë?
Duhet të kemi parasysh që ne aktorët asnjëherë nuk jemi shumë të hapur me njëri-tjetrin. Madje e kundërta jemi të mbyllur dhe kamera është ajo që njeriun e nxjerr nga bota e vet dhe e shfaq të plotë para të gjithëve. Unë isha e egër dhe do të thosha që ka qenë kinemaja ajo që më ka shpëtuar jetën. Shumë aktorë kanë qenë të tërhequr e të vetmuar në fakt. Por të them të vërtetën ashtu sikurse çdo artist kur nis një film le të ketë bërë sa të dojë në karrierën e vet, përherë ka emocione si të ishte hera e parë që ngjitej në set xhirimi apo në skenën e teatrit. Unë përsëri kam frikë kur nis një projekt.
Dhe pikërisht nga kjo frikë që kam unë, përherë e kam bërë dhe vazhdoj ta bëj arrij në sheshin e xhirimit e para, jo vetëm para regjisorit, por edhe para teknikëve të ndriçimit, unë jam gjithmonë e para që mbërrij në xhirim dhe madje nuk ha asnjë gjë… (Qesh).
Të jesh kaq profesioniste është njerëzore apo është qiellore?
Mamaja ime gjithmonë më thoshte që “ti ke një engjëll që të ndjek ty”.
Zonja Cardinale keni punuar me emra shumë të mëdhenj, diçka që ju ka mbetur në mendje dhe doni ta ndani me ne?
Gjëja më e rëndësishme është të jesh e fortë, të jesh e fortë përpara kamerës. Sepse përndryshe nuk mund të futesh në lëkurën e çdo lloj personazhi që merr përsipër të interpretosh. Dhe sigurisht duhet të japësh edhe pak nga vetvetja.
Si e keni menaxhuar jetën private në gjithë vëmendjen që keni pasur nga media dhe njerëzit, pasi dihet që ju keni qenë mjaft diskrete për sa i përket jetës suaj private?
Asnjëherë nuk kam dashur të bëj publike jetën time madje ka qenë kjo arsye që unë u largova nga Roma për të jetuar në Paris, vetëm që tu largohesha fotografëve. Nëse ju kujtohet, Frederico Felini bëri enkas një film për fotografët, si tek Dolce Vita (qesh).
Për sa i përket fillimeve tuaj a kanë qenë e lehtë për ju?
Fillimi ka qenë mbresëlënës. Unë vija nga Tunizia dhe gjuha ime ishte frëngjisht dhe sa mbërrij në Itali futem në një shesh xhirimi me më të mirët artistë të Italisë dhe unë nuk dija të komunikoja italisht. E megjithatë ishin regjisorët ata që ishin mjeshtërit e mi.
Zonja Cardinale, ju keni punuar edhe me të madhin shqiptar Bekim Fehmiu. Mund të kujtoni diçka rreth punës me të?
Po, ka qenë filmi “Libera, amore mio”. Por më besoni kanë kaluar 31 vjet tashmë që nga ai film dhe unë nuk mund të them me saktësi ndonjë detaj. Por nëse do ta shihja filmin tani, sigurisht që do të ndaja shumë për të.
Së fundi ndonjë të pathënë mund të na zbuloni nga partnerët që keni pasur në film?
Po, do t’ju tregoj diçka që është edhe për të qeshur, edhe absurde. Tek filmi “Fitzcarraldo” fillimisht partneri im ka qenë Mike Jagger. Por ndërsa xhironim në xhungël, ai pësoi një krizë dhe hipën në majën e një peme dhe qëndronte aty e nuk zbriste. Dhe thoshte nëse nuk më sillni një biftek amerikan, unë nuk zbres nga pema. U desh të merrnim një psikoanalist për të dhe më tej ai u hoq nga kasta e aktorëve. Rolin e tij e mori Klaus Kinski. Pastaj nuk mund të harroj kur pikërisht në xhungël u bë një festival filmi dhe aty mbërritën indianët, të cilët ishin lakuriq vetëm me një gjethe përpara tek organet dhe unë duhet të kërceja dy orë me ta (qesh).
Para se të mbërrije në Shqipëri, cilat kanë qenë njohuritë tuaja për të?
Po, jetojmë afër. Unë sigurisht që dija, pasi mjaft shqiptarë jetojnë në Itali dhe këtë informacion, si çdo italian, e kam dhe unë. Është hera e parë që vij dhe jam e mrekulluar nga pritja që më bëtë. Do ti shijoj të gjitha ditët që do të jem këtu.