Projekti “AMBO”, hapen prapë diskutimet në “Crans Montana”
Ish-sekretari i Këshillit të Europës, Walter Schwimmer, theksoi dje gjatë seancës mbi “Energjetikën në Shqipëri dhe Rajon”, në Forumin “Crans Montana”, se “Për Shqipërinë, ndërtimi i dy projekteve të TAP-it dhe AMBO-s, janë shumë pozitive në shumë aspekte për ekonominë e vendit”. Presidenti i AMBO-s, Ted Ferguson, paraqiti gjithashtu zhvillimin e këtij projekti të hartuar 10 vjet më parë, duke theksuar se në 6 muajt në vijim, do të punohet në disa drejtime lidhur me përllogaritjet dhe studimet, si dhe për planin ekonomik dhe financiar, kostot e transportit, impaktet mjedisore dhe sociale etj. Së bashku me projektin e gazsjellësit “TAP”, që u prezantua dje nga menaxheri i EGL-së, Naskë Afezolli, vendit tonë i rriten shanset për mbulimin e nevojave energjetike, si dhe për rritjen ekonomike.
Shqipëria ofron asistencë për sistemin tatimor në Kosovë
Qeveria shqiptare është e gatshme të ofrojë ndihmë dhe asistencë për administratën fiskale dhe tatimore të shtetit më të ri në Europë. Bashkëpunimi mes dy sistemeve financiare, energjetike, zgjerimi i shkëmbimeve tregtare, ekspertizat në fushat e ndryshme ekonomike, turizmi, etj, ishin temat e diskutuara dhe gjatë takimit midis Ministrit të Financave, Ridvan Bode, dhe ministrave të Ekonomisë dhe Financave të Kosovës, Ahmet Shala dhe të Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Sharku. Këta të fundit ndodhen në Tiranë për të marrë pjesë në Forumin ekonomik “Crans Montana” që po zhvillohet për të tretën herë në vendin tonë. Ministri Bode u shpreh se qeveria shqiptare është e angazhuar që të krijojë maksimumin e lehtësirave të nevojshme në raport me qarkullimin e mallrave, shkëmbimeve tregtare dhe lehtësira të tjera me Kosovën. Ministri kosovar i Ekonomisë, Shala, i ka shprehur ministrit Bode disa kërkesa për ndihmë konkrete, kryesisht me asistencë teknike.
Greqi, pezullohet licenca e firmës që tregtoi vaj me lubrifikant
Në vijim të skandalit të vajit të kontaminuar në Greqi, qeveria helene ka pezulluar përkohësisht veprimtarinë tregtare të kompanisë “Mansos AE” në qytetin e Volosit, që ka bërë tregtinë e vajit të rrezikshëm. Në deklaratën e Ministrisë së Zhvillimit grek, thuhet se, “kompania në fjalë funksionon pa lejen e duhur dhe se tregtoi mbi 1185 tonë vaji luledielli të përzierë me vaj lubrifikant duke rrezikuar jetën e qytetarëve”. Gjithashtu sipas kësaj ministrie, kompania nuk ka vënë në zbatim sistemin e kontrollit të ushqimeve para se t’i hedhë ato në konsum dhe nuk ka bashkëpunuar me organet shtetërore. Vendimi është në fuqi deri në marrjen e masave dhe rregullimin e të gjithë asaj që kërkojnë rregullat përkatëse për një kompani tregtare. Por akoma ngelet e pambledhur një sasi e madhe e vajit të përzierë me lubrifikante në Greqi, 9 ditë pas zbulimit të skandalit më të madh ushqimor në këtë vend, ku llogaritet të jenë më shumë se 700 litra vaj i pambledhur.
“Deutsche Telekom”, indirekt edhe pronari i AMC-së
Gjiganti gjerman i telefonisë, “Deutsche Telekom”, është zyrtarizuar më në fund si aksionari kryesor i Telekomit Grek, i cili zotëron dhe shoqërinë celulare “Cosmote”. Me këtë marrëveshje, gjiganti gjerman, që është dhe kompania më e madhe e telefonisë në Europë, bëhet pronari direkt i kompanisë lider në tregun shqiptar të telefonisë celulare, AMC. Në bazë të marrëveshjes, “Deutsche Telekom” do t’i paguajë qeverisë greke 442.3 milionë euro për blerjen e 3 për qind të aksioneve që ajo zotëron te “Hellenic Telecom Organisation” (OTE). Qeveria greke zotëronte 28 për qind të OTE-s dhe me marrëveshjen e fundit kuotat e saj ranë në 25 për qind. Drejtuesit e shoqërisë gjermane njoftuan se, shumë shpejt do të blejnë në bursë edhe 2 për qind të aksioneve të OTE-s. “Deutsche Telekom” arrin kështu që brenda më pak se 2 muajsh të zotërojë paketën maxhoritare të aksioneve të shoqërisë “OTE”, pasi kishte blerë në mars 20 për qind të aksioneve të saj nga Marvin Investment Group.
17 Maj 2008