E Diel, 1 Nëntor 2026

“Credit Car”, sekuestrohen 47 makina luksoze të vjedhura



Sekuestrohen 47 makina të vjedhura në shtete të ndryshme të Evropës. Nga të dhënat që dispononte policia, këto makina luksoze rezultonin të vjedhura apo të marra me kredi në këto shtete. Në këtë kuadër, në bashkëpunim edhe me policitë homologe, Policia e Shtetit ndërmori një operacion të gjerë në gjithë territorin e vendit, me qëllim goditjen e trafikut të makinave të vjedhura, ku në katër ditë u sekuestruan 47 makina luksoze. Punonjësit e policisë të angazhuar në operacionin ndërkombëtar “Credit Car” kontrolluan në total 2655 automjete, nga të cilat 47 prej tyre rezultuan të vjedhura apo të blera me kredi. Sipas burimeve zyrtare, uniformat blu bashkëpunuan edhe me policitë homologe, të cilat ndihmuan me informacione të nevojshme, për të bërë të mundur gjetjen e mjeteve të vjedhura dhe të denoncuara të humbura, në shtetet e ndryshme të Evropës. Ky operacion u fokusua gjithashtu edhe në kontrollin e autostradave e rrugëve në zonat më të ndjeshme të qyteteve, si dhe në kontrollin e tregjeve të makinave të përdorura. Policia dërgoi materialet hetimore për disa persona, të përfshirë në këtë trafik, si dhe për të gjitha këto automjete janë kryer procedurat përkatëse ligjore dhe materialet janë referuar në prokuroritë e rretheve gjyqësore për hetime të mëtejshme.

Operacioni

Sipas burimeve zyrtare, operacioni ndërkombëtar i koduar “Credit Car” u organizua nga strukturat e Policisë së Shtetit, nga data 2 deri më 5 mars.

Ky operacion u zhvillua në koordinim të plotë me policitë homologe, anëtare të qendrës ndërkombëtare SECI me seli në Bukuresht, Rumani.

Përveç bashkëpunimit me policitë e vendeve të tjera, u angazhuan edhe një sërë strukturash të Policisë së Shtetit. Gjatë katër ditëve pati një bashkëpunim midis strukturave të Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar, Drejtorisë Kundër Krimit Financiar, Zyrës Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, Departamentit të Kufirit dhe Migracionit, si dhe Departamentit të Sigurisë Publike. Njëkohësisht gjatë realizimit të këtij operacioni u bashkëpunua dhe u koordinuan veprimet me prokuroritë e rretheve gjyqësore në qarqe, shërbimet doganore, zyrat e regjistrimit të automjeteve, me Policinë Tatimore. Koordinimi i veprimeve kombëtare dhe ndërkombëtare gjatë zhvillimit të këtij operacioni u krye nga grupi i punës i ngritur në Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar në Departamentin e Hetimit të Krimit. Në kuadër të këtij operacioni, nga strukturat e Policisë së Shtetit janë verifikuar rreth 2.655 automjete të llojeve e tipeve të ndryshme. Nga verifikimet e kryera përmes Interpolit kanë rezultuar të vjedhura jashtë shtetit 47 prej tyre. Nga këto, 23 automjete që kanë rezultuar të vjedhura janë konstatuar në Qarkun e Tiranës, 8 automjete në Qarkun Durrës, 4 automjete në Qarkun Lezhë, 3 automjete në Qarkun Fier, 3 automjete në Qarkun Vlorë, 2 automjete në Qarkun Elbasan, 1 automjet në Qarkun Shkodër, 1 automjet në Qarkun Berat dhe 1 në Qarkun Gjirokastër.

Hetimet

Sipas burimeve nga policia, vëmendje e veçantë i është kushtuar pikave të kalimit kufitar, për të zbuluar formën e mashtrimit të trafikimit të makinave të blera me kredi, makinave të marra me qira, mashtrimit me siguracione. Trafikantët përdornin disa mënyra të sofistikuara për marrjen e tyre dhe sjelljen për në Shqipëri. Ata binin në marrëveshje me pronarët e ndryshëm të makinave dhe pasi i sillnin në vend, kryhej denoncimi në shtetin përkatës, për makinën e vjedhur. Më pas, pronari i mjetit përfitonte dëmshpërblimin nga kompanitë e sigurimit, ndërkohë që një shumë tjetër parash, ai e kishte përfituar nga blerësi trafikant i makinave. E njëjta procedurë zbatohej edhe kur makinat merreshin me kredi. Ndërkohë që formë tjetër e vjedhjes së këtyre makinave, ishte kur ato merreshin me qira për disa ditë dhe silleshin më pas në një kohë të shpejtë në territorin shqiptar. Pronari denonconte vjedhjen, ndërkohë që makina ishte futur në vend, duke pësuar ndryshime dhe duke u pajisur me dokumente të falsifikuara. Trafikantët kanë bashkëpunuar në futjen e makinave luksoze edhe me punonjës të pikave doganore. Më pas, ata i kanë pajisur makinat me dokumente të falsifikuara, duke i rifutur ato sërish në shitje. Sipas policisë, automjetet e trafikuara, kryesisht të tipit të fundit, pas verifikimeve të kryera kanë rezultuar të vjedhura në vende të ndryshme të rajonit dhe të Bashkimit Evropian si: Itali, Gjermani, Norvegji, Francë, Belgjikë, Zvicër, Republikën Çeke, Bullgari, Serbi dhe Rusi.

Format e përdoruara për trafikimin e makinave

* Të blera me kredi

* Të marra me qira

* Mashtrim me figuracione

Shtetet nga janë trafikuar

Itali

Gjermani

Norvegji

Francë

Belgjikë

Zvicër

Republika Çeke

Bullgari

Serbi

Rusi

Automjetet e sekuestruara

23 automjete në Qarkun Tiranë

8 automjete në Qarkun Durrës

4 automjete në Qarkun Lezhë

3 automjete në Qarkun Fier

3 automjete në Qarkun Vlorë

2 automjete në Qarkun Elbasan

1 automjet në Qarkun Shkodër

1 automjet në Qarkun Berat

1 automjet në Qarkun Gjirokastër

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›