E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Qeveria të përgjigjet për grevën e tetraplegjikëve



Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta, së bashku me nënkryetaren Filloreta Kodra dhe deputetin Ndre Legisi vizituan dje grevistët para dhe tetraplegjikë, që prej pesë ditësh janë të ngujuar në grevë urie në ambientet e shoqatës së tyre. Në bisedën e zhvilluar, grevistët i bënë një pasqyrim të gjithë situatës së krijuar që nga dita e ngujimit të tyre. Vështirësi dhe rëndim i gjendjes shëndetësore, këto janë problemet kryesore që kanë trajtuar me kreun e LSI-së, Meta. Gjatë bashkëbisedimit me grevistët, Meta u informua gjithashtu se gjendja e tyre shëndetësore dita-ditës po keqësohet, si dhe që nga dita e sotme 20 invalidët kanë ndërprerë edhe ujin e pijshëm. Më pas, duke u solidarizuar me grevistët dhe me kërkesat e tyre, Meta hoqi një vijë paralele mes kësaj greve dhe grevës së familjarëve të 9 janarit që kërkojnë drejtësi, që është një grevë e paprecedent, sepse kërkojnë vetëm vëmendjen e shtetit dhe të shoqërisë për t’u integruar në jetën sociale të vendit. “Kjo është greva e dytë e rëndë dhe e paprecedent që shikoj, ku duket qartë një pjesë e mirë e kolegëve tuaj janë në një gjendje tepër të rënduar”, - u shpreh Meta. Ndaj, duke u bërë thirrje përfaqësuesve të qeverisë që të vijnë dhe të negociojnë me këta grevistë, Meta u shpreh: “Dua të ftoj përfaqësuesit e qeverisë që të vijnë këtu, të dialogojnë me ju për të gjitha kërkesat tuaja dhe t’i jepet një zgjidhje në mënyrë që kësaj greve t’i jepet fund dhe që shëndeti i askujt prej jush të mos cenohet”.

PS-ja mbledh Kryesinë, asnjë datë për mbledhjen e Asamblesë

Partia Socialiste mblodhi dje Kryesinë për të vendosur për disa çështje organizative dhe qëndrime politike. Burime nga mbledhja konfirmojnë se në të është folur dhe diskutuar për organizimin dhe fushatën e PS-së. Kjo mbledhje i ka paraprirë një takimi të paradites të kreut të PS-së, Rama, me krerët e degëve në rrethe. Njëkohësisht konfirmohet se është folur edhe për financimin e partisë, kartat e identitetit, si dhe protestën e 15 marsit.

Pritej që në këtë mbledhje të diskutohej për mbledhjen e radhës të Asamblesë së Partisë Socialiste, e cila si rregull duhej të ishte mbledhur në fund të muajit shkurt, por burimet thanë se nuk është vendosur asnjë gjë.

Rama ka lënë për një ditë mënjanë turin me vullnetarët e PS-së për t’iu dedikuar takimeve më drejtuesit vendorë dhe strukturat e larta të partisë, ku ka dhënë udhëzimet e radhës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›