Probleme në motorin e avionit, bllokohen 160 pasagjerë në Paris
Rreth 160 pasagjerë shqiptarë janë bllokuar në kryeqytetin e Francës, Paris, pasi avioni me të cilin ata do të fluturonin, nuk i ngriti drejt Shqipërisë. Ka qenë një problem mekanik që ka bllokuar pasagjerët shqiptarë në kryeqytetin francez. Përpara nisjes drejt Tiranës, është bërë kontrolli për kushtet teknike nga ana e ekspertëve francezë të aeroportit, të cilët kanë konstatuar se diçka nuk shkonte me avionin dhe kanë kërkuar që ai të mos ngrihej. Sipas tyre, kishte një defekt në llamarinën e motorit, që nuk lejonte fluturimin. Nëse avioni do të ngrihej në qiell, atëherë kjo do të ishte tepër e rrezikshme për udhëtarët. Ata kërkuan riparimin e këtij defekti dhe vetëm pasi kjo të zgjidhej, pilotët do të kishin lejen për të udhëtuar drejt Tiranës.