E Diel, 1 Nëntor 2026

Cubi Metka, ngjyrat femerore te nje aktoreje te talentuar



Me personazhet që ka vendosur në skenë ajo e ka bërë për vete publikun, i cili gjithmonë dhe më shumë e vlerëson për atë që ajo sjell në teatër si një aktore e re e skenës shqiptare. Aktorja Cubi Metka, e cila ka një karrierë të pasur artistike edhe pse është pjesë e brezit të ri të aktorëve që interpreton në skenë, ka sjellë para publikut personazhe dhe karaktere nga më të ndryshmet për një periudhë të shkurtë kohore. Ajo që e bën të ndihet në vetvete shumë e sigurt drejt këtij profesioni, ka qenë fakti i të qenit gjithmonë është përkushtuar dhe ka punuar shumë. Duartrokitjet dhe spektatorët janë gjithmonë dhurata më e bukur dhe emocioni më i madh për të. Në një intervistë për “Albania Weekend”, aktorja rrëfen për emocionet në skenën teatrore si dhe projektet artistike të mëtejshme Ajo është një aktore mjaft e këndshme, e brishtë dhe e lirshme në skenë teksa interpreton. Ka vite që interpreton në skenë, dhe padyshim bën pjesë në atë brez aktorësh të rinj, që sjellin diçka të re në skenën e teatrit. Kjo është aktorja Cubi Metka, e cila beson se me përpjekje dhe dëshirë mund të ecësh përpara. Dhe gjer tani motoja që ka ndjekur nuk i ka dalë keq. Më tej ajo tregon për projekte dhe rolet më të spikatura që ka pasur gjatë këtyre katër viteve, dhe për projektin më të fundit teatror ku iu besua roli i “Martës” tek Keqkuptimi, nga Albert Kamy me regji nga Oriana Cama. Një dramë kjo, tek e cila lumturia nuk arrihet kurrë dhe njeriu prek vetëm vuajtjet e jetës dhe mbetet skllav i jetës së vuajtur. Aktorja solli për publikun personazhin e Martës, për të cilin tregon se ka qenë një përjetim shumë i bukur në skenë dhe e konsideron këtë rol, si një sfidë të saj në skenën teatrore. “Marta në një këndvështrim të përgjithshëm është një karakter tepër i fortë, dhe kur them tepër i fortë këtu hyn agresiviteti i saj dhe lufta për tu përballur me jetën. Agresiviteti flas në sensin se ajo dëshiron të shohë një botë përtej, dhe jo botën në të cilën jeton. Bota për të cilën lufton ajo është e panjohur por ajo thjeshtë e di si të bukur dhe e mendon si të tillë. Dhe gjithçka që ajo bën për të arritur këtë botë të bukur është lufta dhe përballja me realitetin në të cilin jeton”- cilëson Metka. E ndërkohë si të gjithë aktoret e brezit të saj, ajo tregon dhe rrugën e vështirë për të mbërritur deri tek suksesi në skenën teatrore. Më tej gjatë kësaj interviste ajo na tregon më shumë për jetën e saj artistike, cilat janë emocionet që i fal skena dhe na zbulon dhe projektet në vazhdim.

Së fundmi jeni shfaqur publikut me rolin e Martës në shfaqjen “Keqkuptimi’ në skenën e Metropolit. Çfarë simbolizonte për ju ky rol?
Marta në një këndvështrim të përgjithshëm është një karakter tepër i fortë, dhe kur them tepër i fortë këtu hyn agresiviteti i saj dhe lufta për tu përballur me jetën. Agresiviteti flas në sensin se ajo dëshiron të shohë një botë përtej, dhe jo botën në të cilën jeton. Bota për të cilën lufton ajo është e panjohur por ajo thjeshtë e di si të bukur dhe e mendon si të tillë. Dhe gjithçka që ajo bën për të arritur këtë botë të bukur është lufta dhe përballja me realitetin në të cilin jeton. Agresiviteti i Martës arrin deri aty sa vret dhe vëllain e saj pikërisht për këtë arsye, dhe simbolika e Martës në një koncept më të hollë mund të them që është e depolarizuar; sa e mirë është për botën në të cilën jeton aq dhe e keqe është për të arritur qëllimet e saja. Për mua ka qenë një ndjesi shumë e çuditshme, sepse është një sfidë dhe deri tani unë kam lozur personazhe të ndryshme, por që gjithsesi kanë qenë ferma të vogla, të dashuruara, me karakter pozitiv dhe ky ka qenë një karakter shumë i fortë për mua dhe ka qenë një sfidë shumë e madhe, çuditërisht shumë e fortë dhe e vështirë, por unë jam dashuruar shumë pas saj. Karakterin e Martës unë nuk e kam kapur thjesht horizontalisht por dhe vertikalisht, që do të thotë që unë nuk kam menduar vetëm për lukun e saj, vështirësinë e saj, por jam menduar dhe për zërin e Martës. Jam përpjekur ta sjell atë për së gjalli, e kam sjellë me një shpirt shumë të fortë. Arrin që të përjetosh personazhin dhe kjo është e bukura e profesioni tonë.

Sa i vështirë ka qenë realizimi “Martës”?
Vështirësitë kanë qenë të shumta. Gjithmonë aktori niset nga vetja, është gjëja e parë kryesore pasi tek e fundit fare jam unë ajo që do të luaj në skenë thjeshtë do të mishëroj personazhin. Duke u nisur nga vetja dhe duke vënë Martën tek Cubi kisha disa vështirësi në sensin sesi mund të arrija dhe të perceptoja faktin që mund të vras tim vëlla. Kjo ishte shumë e vështirë, megjithatë mendoj që unë u përpoqa ta sillja sa më të mishëruar dhe sa më afër realitetit shqiptar. Pasi vepra “Keqkuptimet” e Kamys i përshtatet publikut francez dhe është shumë e vështirë ta sjell në skenën shqiptare. Mua mu desh ta përballja Martën tek Cubi duke e sjell për një publik shqiptar pasi është e vështirë të pranohet.

Si lindi bashkëpunimi me regjisoren Oriana Cama për të sjell në skenën e Metropolit veprën e Kamys?
Me Orianën jemi takur në disa shfaqje që unë kam vënë në skenë, por takimi jonë u finalizua tek “Shtëpia e Benarda Albës” që unë kisha rolin e Adelës dhe aty lindi dhe ideja që unë mund të kisha një rol tek vepra e Kamys.

Si ka nisu rruga drejt aktrimit për Cubi Metkën?
Në fakt aktrimi ka ardhur shumë spontanisht. Që e vogël e kam prekur skenën dhe në një farë mënyrë lindi një pasion për aktrimin, por në një farë mënyrë ka ndikuar edhe im atë pasi ishte këngëtarë i grupit të Tepelenës. Në fillim kam konkurruar për regji po çuditërisht përfundoj tek drama, megjithatë jam shumë e kënaqur dhe s’dua ta provoj fare regjinë.

Në kaq pak vite keni spikatur me talentin tuaj në skenën teatrore. Që nga mbarimi i shkollës dhe deri tani si ka qenë karriera juaj?Unë kam mbaruar shkollën në vitin 2006 dhe që nga ajo kohë, në këto tre vite e gjysmë unë mendoj se kam spikatur disa karaktere nga më të ndryshmet. Që kur kam mbaruar shkollën oferta ime parë ka qenë në kor me Medean dhe pas saj menjëherë regjisori Adonis Filipi më ofroi personazhin kryesor në shfaqjen Trokitje në dëborë, një komedi dramatike, e cila u realizua në bashkëpunim me teatrin e Korçës Andon Zako Çajupi, më pas ka lindur një tjetër bashkëpunim në teatër me regjisorin Guri Koçi, për shfaqjen Njerëz dhe minj, më pas menjëherë një tjetër bashkëpunim me Elbasanin, role të ndryshme, etj.

Cili ka qenë roli i parë që keni vendosur në skenë dhe si e kujtoni atë?
Roli i parë që kam interpretuar ka qenë në vitin e parë të fakultetit ku fitova audicionin për film me metrazh të shkurtër me regjisor Bert Budinën ku kisha rolin e vajzës vogël ku luaja me Rajmonda Bulkun dhe Edmond Budinën. Menjëherë pas këtij roli Budina më jep përsëri një tjetër avantazh për të luajtur në teatër, në një shfaqje festivali për të rinj ku luajta në krah me Valbona Imamin. Këto kanë qenë dy rolet e mija të parat.

Bën pjesë tek brezi i ri i aktorëve, sa ka arritur gama e roleve deri tani?
Është një karrierë që flasim pas shkolle pasi periudha e shkollës nuk është ndonjë lulëzim, thjeshtë shpërthen dhe ti spikatesh nga regjisorët. Më pas puna jonë varet pas shkollë pasi shkolla ka stimulin e vet. pas shkollës përballesh me të vërtetët me profesionin dhe vështirësitë e tregut të punës. Për një karrierë 4 vjeçare mund të them se gjërat më kanë ecur mjaftë mirë dhe kam pasur goxha eksperienca të ndryshme personazhesh. Brenda kësaj periudhe kam pasur role të femrave të ndryshme me karaktere të ndryshme. Dhe kjo është e bukura e aktorit të dalësh nga vetja dhe të mos kesh gjatë gjithë kohës të kesh një karakter të spikatur ku cilësohesh si i tillë.

Karakteret e personazheve kanë qenë të rastësishëm apo i përzgjidhni vetë?
Aktori sigurisht që do të zgjedh vetë, do të provojë veten në gjëra të ndryshme por e vërteta është se nuk zgjedh dot ti pasi është regjisori ai që të përzgjedh.

Një aktore e re që ka provuar të ketë dhe një rol tek një seria televiziv. Çfarë mund të na thuash më shumë rreth atij bashkëpunimi?
Me kamerën kam pasur eksperienca të ndryshme. Por seriali “Radi, radio” ka qenë një situatë komedi. Edhe ky bashkëpunim ka qenë i rastësishëm, pasi kam bërë audicionin për një tjetër rol dhe pjesa e stafit duke parë që jepja diçka më shumë më besoi një rol dytësor që ishte një rol në vazhdimësi, ku në 24 seri unë kam qenë pjesëmarrëse dhe kam pasur rol në dhjetë seri. Eksperienca është e bukur sepse të jesh pjesëmarrëse në një telekomedi është vetë situata, rrethanat që të sjellin ndryshe dhe mbi të gjitha është një prevojë ndryshe nga teatri.

Si e shikojmë Cubin mes filmit dhe teatrit?
Në fakt unë nuk i ndajë dot. Kur kam luajtur në teatër kam menduar se sdo ta bëja dot qoftë dhe një audicion të vetëm në film, çdo gjë më dukej e vështirë. Gjithmonë kam menduar se dashuroj teatrin më shumë se çdo gjë, por kur provova dhe filmin thashë që nuk mund ti ndaj dot. Të dyja të falin emocione të paharrueshme dhe shumë mbreslënse. Teatri ka magjinë dhe vet dhe filmi ka magjinë e vet. Teatri më pëlqen sepse emocioni është i drejtpërdrejtë është live, është jetësor. Ndërsa filmi ka manipulimet e veta pasi çdo gjë është pas cakut.

Kush janë momentet e mërzitjes për Cubin?
Nuk i kam me momente të caktuara por më mërzit çdo gjë që më pengon për planet e mija qoftë edhe gjatë ditës.

Kush është raporti mes dashurisë dhe teatrit?
Ndonjëherë ndodh të ketë dhe xhelozi e tillë. Janë dy gjëra krejtësisht të veçanta por që të dyja kanë dashurin e tyre tek unë. Teatri është teatri dhe dashuria në jetë është dashuri.

Je pjesë e brezit të aktorëve të rinj. Sipas jush kush janë problemet me të cilat përballen të rinjtë sot në Shqipëri?
Vështirësia më e madhe është që brezi i ri përballet me një art shumë të vështirë. Dhe duam s’duam duhet të luftojmë me forcat tonë për të arritur atë sukses që shumë të rinj e ëndërrojnë. Për të qenë korrekt me veten për të arritur atë që do duhet të punosh shumë, duhet të shpërfaqësh talentin tënd në masë. Janë një sërë vështirësish që duhet të përballesh por mendoj se po të jesh pak i fortë edhe mund ia dalësh në arenë dhe mbi të gjitha të kesh talentin.

Cili bashkëpunim ka qenë më frytdhënës dhe që të ka sjell sukses?
Tani që po më thua spontanisht po më vijnë të gjitha rolet ndërmend. Nuk i ndajë dot, çdo rol ka pasur arritjen e vet. Në çdo rol kam gjetur një gjë të re tek vetja, kam zbuluar një gjë të re. Mund të përmend “Eni” tek drama Peshkimi, që ka qenë një grua 25 vjeçe e dashuruar ku zbulova një tjetër Cubi atje; “Marta” një vajzë që vret për të fituar lirinë e saj ku zbulova një tjetër element që më spikaste; “Adela” ka qenë një femër e dashuruar, ka qenë një femër e lirë ku dhe ky personazh zbulova një tjetër gjë, dhe të them të vërtetën nuk i ndaj dot. Tek të gjithë kam pasur eksperiencat nga më të ndryshmet dhe më të bukurat. Nuk mund të them se ky personazh ka qenë më i arrituri është shumë e vështirë.

Disa personazhe në kaq pak vite. Cili personazh ka qenë më i vështiri për ju?
Kam punuar shumë me personazhin e “Martës” të Kamys, ka qenë vërtetë personazh me karakter të vështirë dhe gjithashtu ka qenë dhe personazhi tek “Ngjyrime femrash” një bashkëpunim me teatrin e Vlorës që dhe ai ka qenë një karakter i vështirë. I spikas këto dy karaktere sepse janë dy karaktere shumë të ndryshëm por shumë dinamik. Në fak në jetë gjithmonë shfaqem për dinamizëm, cilësohem si një femër me energji, megjithatë këto dy personazhe më kanë lodhur në këtë prizëm flas. Por në fund besoj se ja kam arritur pasi kam marrë vlerësimin e publiku.

Kush janë projektet që do të shfaqin gjatë këtij viti Cubi Metkën?
Projekti më i afërm është gjatë muajt maj ku do të jem pjesëmarrëse në një bashkëpunim mes teatrit të Shkupit dhe atë të Prishtinës dhe me një grup aktorësh të rinj. Ndërsa në shtator pres një bashkëpunim për një film nuk e di sesa do të realizohet por që ofertat vazhdojnë.

Rolet

-Në shfaqjen "Vilhelm Teli" të Shiler, në rolin e (Berta fon brunek)-bashkëpunim me ambasadën Zvicerane, me regji të Alfred Trebickës dhe Milto Kutalit.

-Në shfaqjen "Shtylla e shoqërisë” të Henrik Ibsen, në rolin e (Dina dorf) me regji Alfred Trebicka

-Në shfaqjen "Shtrigat e salemit" të Miler, në rolin e (Meri Uoren) me regji Alfred Trebicka. Gjithashtu vlerësuar në festivalin e "Skena Up" në Prishtinë si "Fryma e re në teatër"

-Në monologun "Orfeu zbret në ferr" të T.Willams në rolin e (Kerol).

-Në monologun "Historia e njënës nga ato" të Migjenit, në rolin e (Lukjes)

-Në monologun "Me dyer të mbyllura" të Sartrit, në rolin e (Esterit)

Paralelisht me punët (role) si studente,jashtë akademisë ka marrë pjesë në këto role:

2004 -"Pelikani" nga Strindberg, në rolin e (Gerdës). Regjia Robert Budina.

2005-FILM (metrazh të shkurtër) "Luleborë" me regji Robert Budina

2005-"Mundimet e humbura të dashurisë", nga Shekspir. Në rolin e (Marisë), me regji të Altin Bashës.

2005-"1000 Lekë"-shi. Film me metrazh të shkurtër me regji të Redi Trenit.

2006- “Tre Motrat” nga Çehov. e roli e (Irinës). Diplomimi në Akademinë e Arteve.

Pas diplomimit merr pjesë në këto role:

2006-"Gratë mbrojnë gratë", Netët me monologje në T.K, në rolin e (Kerol) të "Orfeu zbret në ferr", nga T.ËILLIAMS..me regji të Juliana Sinanaj.

2006-"Medea" nga Euripidi, në rolin e( Korit), me regji të Mikel Kalemit. Paraqitur në festivalin e Athinës, Selanikut, Kavala, Grevena, Butrint, Budva.

2006-"Interreg-Astragali Teatro di Ricerca", ëorkshop nga Fabio Toledi. Bashkëpunim intesiv me këtë trupë si në Itali por dhe në Shqipëri.

2006-"Trokitje në deborë", në rolin e (Jonës). Regji Adonis Filipi, bashkëpunim me teatrin e Korçës Andon Z.Cajupi

2007-"San Valentino" shfaqje -shoë për San Valentinon , si regjisore në teatrin Skampa Elbasan.

2007-"Njerëz dhe minj" nga J.Stainbeg, në rolin e (Gruas). Regj Guri Koço, bashkëpunim me teatrin e Korçës, Andon Z.Cajupi

2007-"Udhëtimet e Lizës", shfaqje me regji të Enton Kaces. Paraqitur dhe vlerësuar në festivalin Projekti i Teatrit të Rinjë 2007 Tiranë, si dhe në “Skena up” në Prishtinë. Pjesë nga I.Kadare, M.Kuteli, Migjeni etj.

2007-"Mira"-Film me metrazh të shkurtër, në rolin e (Njomzës). Me regj Dhimitër Ismailaj

2008-"Trojanët" nga Euripidi-shfaqje me Teatrin Kombëtar,me regj Vangjelis Theodhoropulos, në rolin e (Korifeas).
Paraqitur në festivalin e Butrintit si dhe në festivalin e Athinës.

2008-"Peshkimi" nga O'Neill-shfaqje në Akademinë e Arteve në rolin e (Enit) me regji Donard Hasani dhe Elma Dorezi.

2009-"Ngjyrime femrash" nga A.Gestenberg-shfaqje në teatrin "Petro Marko" Vlorë. Në rolin e (Hetit),me regji Eliona Thomaraj.

2009-"Kumarxhiu"-Film me metrazh të shkurtër, në rolin e (Evisit), me regj Reard Pecani, bashkëpunim me shkollën MARUBI

2009-"Dramë pasioni" nga P.Nichols-shfaqje në Akademinë e Arteve, në rolin e (Kejtit), me regji Donard Hasani dhe Elma Dorezi.

2009-“Shtëpia e Benarda Albës” nga F.G.Lorka, shfaqje në Teatrin Kombëtar, në rolin e (Adelës), me regji të Alma Hotit. Vlerësuar në Festivalin e të Rinjve 2009 si :Shfaqja më e mirë

2010-“Keqkuptimi” nga A.Kamy, në Teatrin e Metropolit, në rolin e (Martës), me regji Milto Kutali dhe Oriana Cama.

2010-“Radio-radio”-sit coom(komedi televizive), në rolin e (Lindës), në DIGITALB

17 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›