Dramë në Peqin, luhet për Europën
Trajneri Sulejman Starova synon fitoren e tretë radhazi të Tiranës nën drejtimin e tij në Superligë, pavarësisht se kampionët ende të pa shkurorëzuar matematikisht do të përballen me Shkumbinin në Peqin, por me një “plus” më shumë, pasi takimi do të luhet pa shikues, pas vendimit të Komisionit të Disiplinë së FSHF-së, pas incidenteve që shoqëruan gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, Shkumbini-Besa. Si Tirana, ashtu dhe Shkumbini, janë eliminuar nga Kupa e Shqipërisë, dhe të dyja skuadrat luftojnë për një vend në Europë për sezonin e ardhshëm, pjesëmarrje që ua garanton vetëm vendi i dytë dhe i tretë. Nëse bardheblutë janë veteranë në përballjet ndërkombëtare, madje skuadra shqiptare që ka zhvilluar më shumë ndeshje nga të 13 ekipet që kanë luajtur të paktën një edicion në Europë (Tirana ka luajtur për herë të parë në vitin 1966), Shkumbini nuk e ka bërë kurrë një gjë të tillë, pavarësisht se në Europë kanë luajtur edh ekipe të tilla si Tomori dhe Albpetroli, që aktualisht militojnë në Kategorinë e Dytë. “Ndeshja është e vështirë, por ne na duhen tri pikët”, - ishte deklarata e kursyer e trajnerit të Tiranës, Sulejman Starova. “Ditët e bukura për Tiranën kanë mbaruar, tani kemi shumë ekipe rivale”. Në fazën e parë, Tirana fitoi 2-0 me Shkumbinin. Peqinasit kanë dy pikë më pak se Tirana e vendit të tretë (41) dhe një fitore me 24-herë kampionët e Shqipërisë, do të sillte edhe rokadën midis tyre në renditje, por edhe me një pikë më shumë për Shkumbinin. Gjithsesi, për Shkumbinin do të mungojnë dy nga lojtarët më të mirë të tij, mesfushori Ilirjan Çaushaj dhe sulmuesi Erjon Mustafaj (ky i fundit u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen e fundit kundër Tiranës në Peqin).
Por, në dispozicion të trajnerit Përparim Daiu është Endri Bakiu, ky i fundit i siguroi triumfin peqinasve ndaj Dinamos në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë. Trajneri Përparim Daiu tha se eliminimi i hidhur nga Kupa e Shqipërisë nuk pati ndikim te futbollistët e tij, dhe se pas pikës së marrë në barazimin pa gola në Laç, skuadra e tij e ka rigjetur moralin. Shkumbini fitoi në ndeshjen e fazës së dytë ndaj Tiranës në fushën e tij 1-0 (gol i Isidor Sekserit) dhe në takimet e fundit, peqinasit kanë pasur disa rezultate pozitive, ku kulmi është fitorja 4-0 ndaj Dinamos, kampiones ende të pashpallur të Superligës. “Tirana është një rival direkt i yni për një nga vendet që të çojnë në Kupat e Europës. Të gjitha ndeshjet deri në fund të kampionatit do t’i konsiderojmë si finale”, - tha Daiu, trajneri i tretë sezonal i Shkumbinit, pas Gugash Maganit dhe Kristaq Miles. Deri në javën e 10-të këtij sezoni, Apolonia u shfaq seriozisht si një pretendente e qartë për një vend në Europë, aq sa u kujtua edhe historia e saj në aktivitet ndërkombëtare (4 ndeshje). Por tashmë, që prej vetëlargimit të trajnerit boshnjak Esad Karishik, nën drejtimin e Hasan Likës, Apolonia është duke luajtur me fatin e mbijetesës së saj në Superligë. Vendi i parafundit, 31 pikë, dhe sidomos sfida e radhës me Dinamon, në kërkim të mbylljes sa më shpejt të çështjes matematikore të titullit. Klubi i presidentit Koço Kokëdhima, njeriut që drejtoi edhe Asamblenë e fundit zgjedhore të Federatës Shqiptare të Futbollit (president u rizgjodh Armand Duka), tashmë është në rrezik të plotë, pasi Dinamo (nuk fiton prej 4 javësh) synon rregullimin e imazhit të saj, ndërkohë që trajneri Shkëlqim Muça vazhdimin e punësimit. Apolonia vjen në përballjen me kryesuesit e Superligës, pas humbjes me Besën në Kavajë, dhe trajneri Hasan Lika, beson se skuadra e tij do të jetë e aftë të ndërgjegjësohet për të reflektuar ndaj Dinamos. Në ndeshjen e fundit në Fier, Apolonia humbi me Tiranën ( e treta humbje ne pesë ndeshje në fazën e tretë), ndërkohë që drejtuesit kanë paralajmëruar se kërkojnë suksesin me Dinamon, përpara se fierakët të luajnë me Skënderbeun në Korçë në javën e 29-të, në një ndeshje për “jetë a vdekje”.
Kategoria Superiore
Java 28
Shkumbini-Tirana
Apolonia-Dinamo
Teuta-Besa
Vllaznia-Dinamo
Laçi-Gramozi
Flamurtari-Kastrioti
RENDITJA
Dinamo 58
Besa 43
Tirana 41
Laçi 39
Shkumbini 39
Vllaznia 39
Flamurtari 36
Kastrioti 33
Skënderbeu 33
Teuta 32
Apolonia 31
Gramozi 22
Flamurtari-Kastrioti
Krutanët me kujtime të hidhura nga Vlora
Kastrioti mbërrin në Vlorë me kujtime të hidhura nga ndeshja e fundit kundër Flamurtarit, me krutanët e tërhequr nga fusha në minutën e 89-të takimit, në shenjë proteste për penalltinë e dhënë nga gjyqtari ndërkombëtar, Sokol Jareci, të shoqëruar më pas me jo vetëm fitoren 2-0 në tavolinë Flamurtarit Komisionit të Disiplinës dhe me zbritjen 3 pikë nga renditja e përgjithshme.
Rezultati deri në minutën e 89-të ishte 1-1, kur gjyqtari i FIFA-s, Jareci, dha një penallti në favor të vlonjatëve pas një faulli ndaj sulmuesit Migen Memelli e të kontestuar fort nga Kastrioti.
Golat në deri në minutat e luajtura mbanin firmat e Artan Sakajt (19’, penallti e fituar nga Memelli) për vlonjatët e Gugash Maganit dhe Eleandro Pemës (35’) për krutanët e Ramadan Ndreut.
Të dyja skuadrat vijnë në përballjen e tretë sezonale pas fitoreve të rëndësishme në transfertë më të njëjtin rezultat, 1-0: Kastrioti në Ersekë kundër Gramozit, dhe Flamurtari në Korçë kundër Skënderbeut. Në fazën e parë takim midis dy ekipeve në Krujë kishte përfunduar në barazim 1-1. Për skuadrën krutane shënoi Olsi Teqja në minutën e 57-të, ndërkohë që braziliano-kroati Robert Alvizh barazoi në minutën e 92-të, i dëbuar nga drejtuesit vlonjatë fill pas kësaj ndeshjeje. Trajneri i Kastriotit, Ndreu: “Duhet pranuar se kemi lënë shumë pikë brenda në Krujë (6F,3B, 4H), por dhe në transfertë. Ndeshja kundër Flamurtarit është mjaft e vështirë për vetë objektivat që kanë vendasit”. Kastriotit do t’i mungojë krotari Matko Djarmati (i pezulluar), ndërkohë që i dëmtuar është Ivan Babiç, autori i golit të çmuar në fitoren kundër Gramozit.
Flamurtari ka tri pikë më shumë se Kastrioti (33) dhe një fitore ndaj krutanëve, do ta çonte në gjashtë pikë diferencën pesë javë para përfundimit të sezonit. Trajneri i Flamurtarit, Gugash Magani, do të ketë plot pesë mungesa kundër krutanëve, përfshirë dhe sulmuesin e ri Odise Roshi, ky i fundit është në provë te Paris Saint Germain në Francë.
Bylis, një pikë në Lezhë dhe...kampion
Të dielën luhen Elbasani-Burreli, Lushnja–Partizani dhe Kamza–Skrapari
Bylisi, kryesuesi absolut i Kategorisë së Parë, është vetëm një pikë larg shpalljes kampion matematikor katër javë përpara përfundimit të sezonit. Ballshiotëve të drejtuar nga Ilir Spahiu (25 ndeshjeve, 63 pikë) u mjafton barazimi në Lezhë kundër Besëlidhjes vendase, që të zyrtarizojnë trofeun dhe ringjitjen në Kategorinë Superiore, pasi diferenca aktuale me Elbasanin e vendit të dytë është 14 pikë, kur kanë mbetur edhe pesë ndeshje për t’u luajtur. Tri takimet e tjera të rëndësishme të javës së 26-të të Kategorisë së Parë, ku janë të përfshira katër skuadrat e tjera që renditen në vendet 2-5 e diskutojnë midis tyre vendet 2-4, Elbasani-Burreli, Lushnja–Partizani dhe Kamza–Skrapari do të luhen ditën e diel (15:00). Të shtunën do të luhen Besëlidhja-Bylis, Memaliaj-Gramshi, Turbina-Bilisht Sport, Pogradeci-Sopoti dhe Ada-Luftëtari (të gjitha në orën 15:00).
Kapllani, 30 gola në Gjermani
Sulmuesi durrsak i Tus Koblenz ndëshkon ish-skuadrën e tij, Karlsruher
Sulmuesi shqiptar i Tus Koblenz, Edmond Kapllani, u hakmor ndaj ish-skuadrës së tij, Karlsruher, në barazimin 2-2 në ndeshjen hapëse të javës së 31-të të kampionatit gjerman Bundesliga 2.
Sulmuesi durrsak realizoi në minutën e 31-të golin e barazimit të përkohshëm 1-1, me një gjuajtje me të djathtën pas shërbimit të Viblishauzerit, kur më parë për Karlsruher kishte shënuar në minutën e 2-të, Stindle. Mavriç me penallti çoi në 2-1 shifrat për Tus Koblenz (62’), por Stafeldt barazoi me një gol me kokë (82’) për Karslruher. Për sulmuesin durrsak, të huazuar nga Augsburgu, bëhet fjalë për golin e tij të katërt në 14 ndeshje me fanellën e Tus Koblenz, e njëherësh edhe për golin e tij të 30-të jubilar në Gjermani, duke llogaritur këtu edhe 26 golat e realizuar me ish-ekipin e tij, Karlsruher. Sulmuesi i Kombëtares ka shënuar 28 gola në Bundesliga 2 (86 ndeshje) dhe 2 gola në Bundesliga 1 (48 ndeshje). Mesfushori Ervin Skela u aktivizuar në takimin kundër Karlsruher në minutën e 88-të në vend të Gunkel. Tus Koblenz vazhdon të jetë në zonën e rënies nga Bundesliga 2, i parafundit, me 29 pikë pas 31 ndeshjesh.
17 Prill 2010