E Diel, 1 Nëntor 2026

Të pastrehët, si mund të merrni kredi të zbutur në bankë



Laureta Rryçi

Qeveria ka përcaktuar bankën me të cilën do të bashkëpunojë për kreditë e zbutura. Nga ky vendim i qeverisë do të përfitojnë të pastrehët ashtu edhe qytetarët që jetojnë në banesat e ish-pronarëve. Për të pastrehët këshillohet që t’i drejtohen Bankës Kombëtare Tregtare për të nisur procedurat për marrjen e një kredi të zbutur. E thënë ndryshe, përqindja totale e interesit të kredisë për këta qytetarë do të paguhet pjesërisht nga Ministria e Transporteve. Për të përfituar një kredi të tillë, ata që janë të pastrehë dhe kanë aplikuar në bashki duhet të shkojnë dhe të interesohen direkt në bankë. Ndërsa për ata që jetojnë në shtëpitë e ish-pronarëve duhet të interesohen tek Enti i Banesave për të mësuar nëse e kanë emrin në listën e përfituesve. Për këtë kategori, lista zyrtare që i dërgohet bankës do të përgatitet nga Enti i Banesave.
Vendimi
Familjet e pastreha mund të përfitojnë kredi me vetëm 3 për qind interes dhe me afat 30-vjeçar. Drejtues të Entit Kombëtar të Banesave, janë shprehur kohët e fundit se në sajë të një vendimi të posaçëm, bashkitë mund të dërgojnë emrat e familjeve të pastreha për të përfituar nga projekti. Aktualisht, sipas tyre, janë rreth 1100 familje që janë dërguar tek Enti, të cilat më pas marrin kredinë nga banka. Emrat e përfituesve miratohen nga bashkitë, të cilat kanë të përcaktuar edhe procedurën, kushtet, si dhe sasinë e kredisë që mund të marrë një familje në bazë të frymëve që ka. Sipas drejtuesve, bashkitë mund të dërgojnë emrat e familjeve tek ne. Vetëm Bashkia e Tiranës ka dërguar deri tani 145 familje, të cilat do të përfitojnë nga projekti. Familjet paguajnë vetëm 3 për qind interes, ndërsa pjesën tjetër e paguan Enti. Deri tani kanë ardhur mjaft kërkesa nga shumë bashki të vendit si ajo e Tiranës, Vlorës, Peshkopisë, Beratit etj., por që kanë mundësi të dërgojnë sa më shumë, për t’iu dhënë mundësi familjeve të pastreha që të marrin kredi për shtëpi.
Përfituesit
Fillimisht familjet e pastreha duhet të sigurojnë një vërtetim negativ nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, ku të vërtetojnë se nuk kanë asnjë apartament në pronësi të tyre. Duhet të paraqesin dokumentin e lëshuar nga Këshilli Bashkiak, ku kanë përfituar statusin e të pastrehëve, certifikatën familjarë të datës 31 dhjetor 1992, si dhe adresën e banesës dhe të pronarit të banesës ku ata jetojnë momentalisht. Zyrat rajonale të Entit të Banesave shpallin listat e familjarëve që do të përfitojnë nga ky projekt. Ndërkohë do të rishqyrtohet dokumentacioni i paraqitur dhe në rast se vërtetohet se janë familje të pastreha, ato do të shtohen në këto lista. Më pas, pasi është vërtetuar lista e Këshillit Bashkiak dhe lista e Entit Kombëtar të Banesave dhe pasi të dorëzohet edhe marrëveshja me bankën përkatëse ku merret kredia, lista dorëzohet në Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit.

Kreditë që do të përfitojnë 500 familje që janë në shtëpitë e ish-pronarëve

Familjet që jetojnë në shtëpitë e ish-pronarëve po përkrahen me kredi me 0 interes me afat 30-vjeçar dhe deri tani 500 familje e kanë përfituar këtë kredi. Drejtori i Entit Kombëtar të Banesave, Ilir Proko, tha për gazetën “standard” se deri tani janë mbi 800 aplikime, nga të cilat 500 kanë përfituar kredinë me 0 interes. Sipas Prokos, familjet që jetojnë në shtëpitë e ish-pronarëve dhe që duhet t’i lirojnë ato, duhet të aplikojnë tek Enti Kombëtar i Banesave për të përfituar këtë kredi. Sipas tij, janë evidentuar tashmë rreth 3 mijë familje, të cilat shteti është i gatshëm t’i ndihmojë me kredi. Kufiri maksimal i kreditimit është deri në 80 për qind të vlerës së apartamentit të blerë në treg të lirë. Udhëzimi përcakton se familjet e pastreha duhet të rifreskojnë dokumentacionin dhe duhet ta paraqesin tek Enti Kombëtar i Banesave. Fillimisht, familjet e pastreha duhet të sigurojnë një vërtetim negativ nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, ku të vërtetojnë se nuk kanë asnjë apartament në pronësi të tyre.

Dokumentacioni për Kredi për Shtëpi
Dokument identifikimi (Fotokopje e Pasaportës/Letërnjoftimit ose Certifikatë personale të Klientit dhe dorëzanësit)
Certifikatë Familjare (origjinale)
Vërtetim nga Gjykata dhe Prokuroria që vërteton se klienti&dorëzanësi është i lirë ndaj çdo detyrimi ligjor (origjinale).
Vërtetim nga Zyra e Përmbarimit për klientin&dorëzanësin
Vërtetim Vendbanimi (origjinal) për klientin&dorëzanësin
Vërtetim i Pagës (origjinal) së Klientit dhe dorëzanësve (nëse ka).
(Nëse të ardhurat nuk janë nga pagat, shihni më poshtë për dokumentacionin e nevojshëm):

Për persona të vet-punësuar ose të licencuar si persona fizikë:

Ekstrakti i QKR-së (Lëshohet nga Zyra Kombëtare e Regjistrimit)
Certifikatë Licencë nga Zyra e Tatim-Taksave
Vërtetim nga Zyra e Tatim-Taksave ku të përcaktohet se klienti i ka shlyer të gjitha detyrimet tatimore.
Vërtetim nga zyra e Tatim-Taksave mbi deklarimin e të ardhurave

Për pronarë (ose bashkë-pronarë) të një kompanie:

Vendimi i Gjykatës të regjistrimit si person juridik.
Licencë nga Zyra e Tatim-Taksave
Akti i Themelimit dhe statusi i kompanisë
Deklaratë nga Zyra e Tatim-Taksave që vërteton se kompania i ka shlyer të gjitha detyrimet (origjinale)
Vërtetim nga Zyra e Përmbarimit
Bilanci i sigluar nga zyra e Tatim -Taksave

Për pronarë të pasurive të paluajtshme (të ardhura nga qiratë):

Vërtetim/Certifikatë Pronësie
Kontrata e Qirasë
Vërtetim i origjinës së pronës së ofruar si kolateral
Vërtetim/Certifikatë Pronësie, kartela dhe harta e kolateralit të ofruar
Kontratë shitblerje, Kontratë Porosie ose Kontratë Sipërmarrje (sipas rastit) e noterizuar.

Përshkrimi i produktit:

Për shumë prej nesh, blerja e një pasurie rezidenciale është një nga vendimet më të rëndësishme si dhe ndonjëherë transaksioni më i madh financiar që mund të bëhet në jetë dhe që mund të ndryshojë tërësisht standardet e jetesës. Por jo të gjithë mund ta kenë këtë mundësi me fondet e veta! Nëpërmjet kredive hipotekore synohet të përmbushen nevojat personale të individëve për blerje, ndërtim ose rindërtim shtëpie, por edhe të personave profesionistë të vetëpunësuar (mjek, dentist, farmacist, avokat etj) të cilët duan të blejnë ose ndërtojnë ambientet e tyre të punës (zyrat).

Normat e ofruara të interesit:

Lek - Bono Thesari 12M + 1.3 % (Për klient preferencial)
Ofertë: Bono Thesari 12M për 3 vitet e para, më pas Bono Thesari 12M + 2%

Bono Thesari 12M + 1.7 % (Për klient standard)
Ofertë:Bono Thesari 12M për 3 vitet e para, më pas Bono Thesari 12M + 2.5 %
Eur 7.5 % deri në 31.12.2010, më pas Euribor 12M +3.5 % (Për emigrant)

- 8 % deri në 31.12.2010, më pas Euribor 12M +4.5 % (Për rezident me të ardhura në Euro)

Kohëzgjatja e kredisë: Kreditë në LEK – deri në 20 vjet (ose 240 muaj)

Kreditë në valute (EUR) – deri në 20 vjet (ose 240 muaj)

Shuma maksimale e kredisë: 50,000,000 Lekë ose 400,000 Euro

Mbulimi i kredisë: Si kolateral mund të vendoset pasuria që do të blihet ose pasuri tjetër e paluajtshme. Marzhi i mbulimit duhet të jetë minimalisht 120 % e vlerës së kredisë.

17 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›