Itali, shkatërrohet banda shqiptaro-rumune e trafikimit të qenieve njerëzore
PRATO - Forcat e policisë në Prato në Itali kanë ndërmarrë një operacion për shkatërrimin e dy bandave, një shqiptare dhe një rumune, anëtarët e të cilave akuzohen për trafik qeniesh njerëzore dhe shfrytëzim të minorenëve për prostitucion. Aksioni është zhvilluar gjatë ditës së djeshme. Hetimet mësohet se kanë nisur pas tentativës së dy personave për të rrëmbyer një prostitutë. Një ditë më pas, e reja kishte denoncuar ngjarjen dhe ka shpjeguar për karabinierët, se tentativa për sekuestrimin e saj bëhej në kuadër të luftës së dy bandave për kontrollin e prostitutave. Nga hetimet rezultoi se grupet kriminale janë përplasur fillimisht për territorin dhe më pas kanë tentuar të detyrojnë prostitutat të kalonin nga një grup në tjetrin. Anëtarët e këtyre grupeve kriminale i sillnin vajzat që detyronin të prostituonin nga vendet përkatëse me justifikimin për t’i punësuar në lokale. Pjesa më e madhe e tyre ishin minorene. Pas mbërritjes në vendin fqinj ato detyroheshin të prostituonin në rrugë dhe apartamente.
Eksodi i kosovarëve, përkujtohet 11-vjetori në Kukës
KUKËS - Mijëra kosovarë i janë drejtuar gjatë ditës së djeshme qytetit të Kukësit me moton: "Kujtojmë për të mos harruar". Marshimi nga të gjitha viset e Kosovës, tashmë i kthyer në traditë të përvitshme, bëhet në kujtim të eksodit të pranverës ’99, kur afro gjysmë milioni shqiptarë nga Kosova, të dëbuar me dhunë nga vatrat e tyre, iu drejtuan familjeve mikpritëse kuksiane e të gjithë Shqipërisë. Me këtë rast në qytetin e Kukësit, është zbukuruar me flamuj kombëtarë e kosovarë dhe janë organizuar veprimtari të ndryshme. Një përfaqësi e komisionit organizator të marshimit është pritur nga kryetari i Bashkisë, Hasan Halilaj, ndërsa në sallën e madhe të pallatit të kulturës "Hasan Prishtina” është dhënë një koncert artistik me artistë kosovarë e kuksianë. Po ashtu janë kryer dhe vizita dhe biseda me të rinjtë, te memoriali i mirënjohjes. Për ecurinë sa më të mirë të veprimtarive nga forcat e policisë ishin dyfishuar postblloqet e lëvizshme në aksin rrugor Morinë-Kukës, ndërsa nga Policia Kufitare këtej e andej kufirit janë krijuar lehtësirat e kontrollit për të shmangur radhët e gjata.
I bie infarkt në timon, përplasen tri mjete
TIRANË - Një aksident i rrallë ka ndodhur pasditen e djeshme në Tiranë, në afërsi të teleferikut. Një 52-vjeçar ka pësuar infarkt në timon, ndërsa mjeti i tij i dalë jashtë kontrollit ka shkaktuar aksident të trefishtë. Viktima ka qenë duke udhëtuar me makinë në momentin që ka pësuar infarktin, i cili i ka marrë edhe jetën. Ai është identifikuar nga policia si Albert Marku 52 vjeç, me origjinë nga Burreli, por me banim në Durrës. Mësohet se në aksident janë përfshirë tri makina, por nuk dihet a ka persona të tjerë të lënduar. Policia e Tiranës ka nisur hetimet. Mësohet se trupi i pajetë i drejtuesit të automjetit është dërguar në spital ndërkohë policia rrugore po punon për normalizimin e trafikut, të krijuar nga përplasja e 3 mjeteve.
17 Prill 2010