Kur refuzojmë partnerin, rreziqet që shfaqen në lidhje
Nëse njëri nga bashkëshortët kërkon më shumë seks nga sa dëshiron tjetri, apo përparon më shumë seksualisht, atëherë të jeni të sigurt se jeni në telashe. Refuzimi të lëndon! Pasi kalon një farë kohe nga dita që jeni lidhur në martesë partnerët fillojnë të ndjejnë refuzim dhe mërzitje. Në vend që të merreni në të vërtetë me çështjen dhe të luftoni për ndjenjat e humbura, ju filloni të lini mënjanë gjërat e bukura. Me kalimin e kohës ju ndaloni së bëri gjëra të vogla për bashkëshortin tuaj, si për shembull, të vishni një palë të brendshme të reja të cilat mbajnë ngjyrën e tij të preferuar. Nëse ai vjen i lodhur nga puna dhe ka nevoja për pak përkëdhelje e puthje prej jush, ju do të jeni të zëna me punët e shtëpisë dhe fëmijët dhe nuk do ta keni mendjen fare tek çlodhja e tij. Ndoshta edhe pa e kuptuar filloni të evitoni njëri-tjetrin, ose më mirë të thuhet ju filloni të evitoni takimet të cilat mund të përfundojnë me seks. Filloni të vini çdo ditë e më shumë mënjanë njëri-tjetrin dhe në vend që të dukeni si dy të dashuruar, dukeni si dy shokë dhome.
Rreziku
Ky është rreziku i vërtetë i një rruge seksuale pa krye. Është koha kur gjithçka mbetet në hije. Kur dy njerëz bëjnë seks të kënaqshëm, është diçka shumë pozitive e rëndësishme e një marrëdhënieje, por padyshim jo e gjithë marrëdhënia. Nëse seksi bëhet problematik për çfarëdolloj arsyeje fillon të konsumojë dhe dominojë një lidhje. Seksi i keq e dëmton më shumë një marrëdhënie, nga sa do ta përmirësonte një aktivitet seksual i mirë. Nuk ka rëndësi se cila është arsyeja e kësaj rruge pa krye, secili nga ju duhet të bëjë gjithçka për të gjetur dritë tek ajo. Kjo do të thotë se duhet të filloni të bisedoni, të merrni guximin dhe t’i thoni gjërat hapur. Të flasësh nuk nënkupton t’i thuash gjërat egër, si për shembull: “Më mungon koha kur ishte i ri sepse ishe më seksi”. Kjo fjali do ta dëmtonte shumë një marrëdhënie dhe do t’u largonte edhe më shumë nga partneri. Çelësi i bisedës është të krijoni një mjedis ku mund të flisni hapur, ku mund të shpreheni pa rezerva dhe ku mund të flisni me njëri-tjetrin pa ia hedhur atij/asaj fajin. Të kesh kurajën për të vendosur dëshirat tuaja mënjanë dhe të vendosni nevojat e marrëdhënies në plan të parë është një element që pjek dhe e forcon shumë një lidhje.
Dëshirat
Për të pasur një raport të shëndetshëm duhet vazhduar të kontribuohet përmes disa zgjedhjesh që do të thotë angazhim dhe përpjekje për të rifreskuar herë mbas herë këtë marrëdhënie. Intimiteti në një marrëdhënie nuk mund të jetë pjesë e të shkuarës. Një shprehje në lidhje me këtë çështje thotë: “Jeta pa seks është si një llogari bankare bosh”. Sipas studimeve, ka rezultuar se seksi jo vetëm shton gëzimin tek njerëzit, por edhe përmirëson shëndetin, madje kontribuon edhe në zgjatjen e jetës. Thuhet se në disa marrëdhënie, intimiteti nuk vdes kurrë, ndërsa në disa të tjera dëshira për seks bie shumë shpejt. Sipas psikologëve që kanë trajtuar tematika të tilla, dëshira për seksin lidhet me pasionin i cili herë mbas here edhe mund zhduket. Çfarë e karakterizon këtë intimitet ndryshon nga personi në person. Megjithatë është argumentuar se sa më shumë të zgjasë një marrëdhënie aq më shumë ulet dëshira për seksin. Kjo gjendje është akoma më problematike kur në një marrëdhënie njëri nga partnerët ka një orientim të lartë seksual dhe tjetri shumë të ulët. Mënyra se si e konceptojnë ata realizimin e dëshirave të tyre intime është i ndryshëm. Martesat e lumtura nuk vijnë aksidentalisht në fakt. Eksperienca dhe kërkime dekadash kanë treguar se në kulturën lindore, marrëdhëniet e shëndetshme dhe të gjata janë më së shumti të ndërtuara mbi inteligjencën emocionale. Ajo që ne dimë rreth martesës dhe marrëdhënieve intime vjen nga eksperiencat e hershme, nga familja dhe origjina jonë. Por të tilla eksperienca ende edhe sot i lënë të papërgatitur çiftet ndaj sfidave dhe të papriturave që dalin gjatë udhës së përbashkët, e që natyrisht një pjesë e mirë e kësaj udhe janë edhe marrëdhëniet seksuale.
Faktorë që ndikojnë në dëshirat seksuale
Janë të njohur disa faktorë që ndikojnë në dëshirat seksuale si: faktori biologjik, medikamentet, alkooli, mosha dhe gjinia. Dëshira seksuale ndikohet nga shumë komponentë psikologjikë por edhe ata biologjikë gjithashtu. Megjithëse mund të mos shquhet që në rini, seksi është një sistem biologjik shumë delikat që ndikohet lehtë nga gjendja jonë shëndetësore. Po ashtu ilaçet më të zakonshme që mund të krijojnë efekte në dëshirën seksuale janë antidepresivët ose medikamentet kundër ankthit. Në fakt medikamente të ndryshme ndikojnë tek njerëzit në mënyra të ndryshme, pra jo të gjithë njerëzit mund t’i nënshtrohen efektit të tyre. Edhe alkooli është konsideruar si një komponent që ndikon në dëshirën për marrëdhënie seksuale dhe e dëmton funksionimin seksual. Përdorimi i tepërt i alkoolit ul dëshirën seksuale si tek burrat ashtu dhe tek gratë. Shumë njerëz mund të kenë një përgjigje problematike seksuale teksa vitet kalojnë. Megjithatë mund të jetë një periudhë e shkurtër në jetën tuaj që trupi mund të pësojë rënie të oreksit seksual. Shumë gra përballen me simptomat e “paramenopauzës” për shumë vite para ardhjes së menopauzës. dhe kjo e redukton në minimum dëshirën seksuale. Gratë tashmë janë duke i përjetuar shenja të tilla shumë herët. Ndërkohë që dhe burrat përballen me ndryshime hormonale gjithashtu. Në raste të tilla do ishte shumë i dobishëm konsultimi me një specialist.
17 Prill 2010