E Diel, 1 Nëntor 2026

Hapat që duhet të ndiqni në momentin që paraqiteni në bankë



Laureta Rryçi

Hapi i parë në procesin e aplikimit për kredi do të ishte parapërgatitja, për kontaktin me bankën. Kërkoni për ofertën më të mirë, sepse konkurrenca ndërmjet bankave është e egër, dhe megjithëse interesat mund të mos kenë shumë ndryshim, kostot që bankat vendosin për shërbimet e tyre në formën e tarifave mund të variojnë. Pas kërkimit për ofertën më të mirë, ngushtojeni rrethin e bankave në një apo dy banka me reputacionin më të mirë dhe që kanë një sërë programesh kredie. Pasi të jeni gati për të aplikuar për kredi, do të duhet të takoheni me një oficer kredie, i cili do t’ju ndihmojë të bëni aplikimin dhe do t’ju kërkojë mjaft informacion. Por mos harroni, se ndërkohë kjo është
mundësia juaj për të njohur bankën. Përcaktoni pyetjet përkatëse që do të doni të bënit. Pas këtij takimi duhet të jeni gati për intervistën e radhës. Para së gjithash, filloni të bëni disa llogari të thjeshta. Llogarisni në detaje të ardhurat dhe shpenzimet tuaja mujore. Në këtë mënyrë do të mund të vlerësoni pozitën tuaj financiare, por edhe të kurseni kohë në plotësimin e formularëve të aplikimit në bankë. Pasi të jenë llogaritur të gjitha zërat e buxhetit, jeni gati të përcaktoni tepricat në para d.m.th diferencën midis të ardhurave dhe shpenzimeve mujore. Ndërkohë, në bazë të vlerës që del nga përllogaritja, ju
mund të përcaktoni afërsisht shumën e kredisë që mund të përballohet nga familja juaj. Procedurat e brendshme të bankave përcaktojnë sa për qind e të ardhurave tuaja mujore zë kësti
mujor i kredisë. Kjo përqindje mund të variojë nga 30% deri në 50%. Disa banka kanë udhëzues për shpenzimet minimale të konsumit për çdo anëtar të familjes.
Afati i shlyerjes
Shumica e kredive hipotekore janë krijuar në bazë të një plani shlyerje 20 vjeçar, por mund të variojnë nga 10 deri 25 vjet. Pasi të përcaktoni afatin e përshtatshëm të shlyerjes, përcaktoni shumën që mund të paguani çdo muaj. Sa më i shkurtër të jetë afati i maturimit, aq më i lartë do të jetë kësti mujor, por
në vlerë absolute do të paguani më pak interes gjatë ripagimit të kredisë. Interesi është kryesisht çmimi që ju i paguani institucionit huadhënës për përdorimin e parave të tyre.
Sigurisht, sa më e ulët të jetë norma e interesit (kur shuma dhe afati i kredisë mbetën të pandryshuar) aq më të ulëta do të jenë këstet mujore. Huadhënësit konkurrojnë egërsisht në treg, kështu që kërkoni për normat më të ulëta të interesit që mund të përfitoni. Bëni kujdes në dallimin e ndryshimit midis normës nominale dhe asaj reale të interesit. Norma nominale siç komunikohet shpesh në spotet televizive nuk përfshin kostot shtesë mbi huanë (komisionet, tarifat, primet e sigurimeve, etj), ndërsa norma reale i përfshin të gjitha këto kosto shtesë. Norma reale i lejon aplikantëve për kredi të krahasojnë ofertat e
ndryshme në treg.
Shuma e kredisë
Shuma e kredisë hipotekore është shuma e parave që ju po merrni hua. Kur blini një shtëpi, kjo shumë është zakonisht çmimi i shtëpisë plus çdo komision dhe kosto minus këstin e parë (kapari). Nëse porifinancoheni, shuma e rifinancimit të kredisë suaj duhet të jetë shlyerja e kredisë aktuale plus çdo tarifë
shtesë. Ju duhet të dini shumën totale të këstit mujor për të përcaktuar nëse mund ta përballoni marrjen e një
kredie të caktuar. Vetëm për faktin se huadhënësi thotë se ju kualifikoheni për një shumë të caktuar kredie nuk do të thotë se ajo kredi mund të jetë e përballueshme prej jush. Disa produkte kredie ofrojnë “norma joshëse”, norma interesi të ulëta për një kohë të shkurtër që më pas rriten duke rezultuar në
pagesa mujore shumë më të larta.

box
Çfarë monedhe duhet të zgjidhni për të marrë kredinë tuaj
Kredia për shtëpi në monedhën vendase mund të shlyhet vetëm në Lek, ndërsa ajo në monedhë të huaj mund të shlyhet vetëm në valutë. Huamarrja në Lek, si avantazh kryesor i kredisë hipotekore siguron një plan vjetor shlyerje konstant duke mos ofruar surpriza përgjatë kësaj periudhe. Duke e marrë kredinë
në Lek ju do të mund të menaxhoni lehtësisht portofolin personal si dhe minimizoni rreziqet që do të ndikonin shpenzimet tuaja ditore ose mujore. Megjithëse, çmimi i pasurisë së paluajtshme i nënshkruar në kontratë mund të jetë përcaktuar në valutë, këshillohet që kredia të merret në Lek dhe të kryhet vetëm një shkëmbim valutor po atë ditë, dhe jo të bëhet çdo muaj deri në maturim të plotë të kredisë. Norma e interesit që caktohet për kredinë në monedhë të huaj bazohet në normat e interesit të
zbatueshme në valutën në të cilën është vendosur dhe jo mbi normat e interesit të zbatueshme në Lek. Kreditë hipotekore në valutë paraqesin rreziqe shtesë si për huamarrësin dhe për huadhënësin (banka). Për huamarrësin, huamarrja në valutë pa informacionin e duhur përbën përfundimisht një nga format e
spekulimit valutor, e cila ekspozon huamarrësin përballë rrezikut valutor. Kreditë në valutë të huaj janë preferencë e spekulatorëve të vetëdijshëm ndaj ekzistencës së rrezikut.
Luhatjet e këmbimit valutor janë të paparashikueshme dhe ndërkohë ju thjesht tentoni të parashikoni nëse valuta do të forcohet ose dobësohet kundrejt Lekut. Kreditë hipotekore në valutë kërkojnë një përkujdesje të veçantë. Në rastin e emigrantëve, të cilët kanë të ardhurat dhe asetet e tyre në valutë, mund të jetë e arsyeshme, që të marrin një kredi hipotekore në valutë.

box
Shembull si të përllogarisni se sa para jeni në gjendje të shlyeni në muaj

Me qëllim që të ilustrojmë ushtrimin e vetë-vlerësimit të aftësisë shlyerëse, do të përdorim shembullin e një familjeje që është e gatshme të marrë kredi hipotekore. Familja përbëhet nga gjashtë anëtarë, që jetojnë në shtëpinë e tyre në Tiranë. Ata kanë menduar të marrin një kredi hipotekore me qëllim që të blejnë një shtëpi më të madhe meqenëse shtëpia e tyre
aktuale nuk është më e rehatshme, e përshtatshme dhe nuk plotëson nevojat e tyre. Familja: Z. Agim Mali (47 vjeç), dhe gruaja e tij Znj. Lindita Mali ( 45 vjeç), dy fëmijët, djali Ermal (23
vjeç) dhe vajza Anduela, (17 vjeç). Bashkë me ata jetojnë edhe prindërit e kryefamiljarit. Punësimi: Huamarrësi është specialist marketingu në kompaninë e komunikimit celular EAGLE Mobile,
dhe gruaja e tij punon si pedagoge në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë. Djali i tyre sapo është diplomuar dhe ka filluar punë në një OJQ (Organizatë Jo Qeveritare). Pasuritë e familjes: 2,000,000 lekë depozitë me interes vjetor; 500,000 lekë para cash; një makinë Volksëagen e re. Të ardhurat familjare: rroga mujore e huamarrësit është 80,000 lekë. Ai merr bonuse tremujore dhe vjetore të cilat janë përkatësisht 10% ( 2.666 Lekë në muaj) dhe 20 % ( 1.333 Lekë në muaj) të rrogës bazë. Gruaja e huamarrësit përfiton një rrogë prej 59,000 Lekë në muaj dhe djali 44,350 Lekë. Shpenzimet dhe detyrimet e familjes: kredia e makinës prej 500,000 Lekë të ripaguhet për katër vjet me këste mujore prej 15,000 Lekë; 10,000 lekë pagesat shërbime komunale; 100,000 Lekë është pagesa vjetore e shkollimit (djali i huamarrësit ndjek studimet pasuniversitare, Master) 8,000 Lekë
shpenzohen çdo muaj për kurset private që ndjek vajza. Aftësia e familjes për të shlyer kredinë është diferenca ndërmjet të ardhurave dhe shpenzimeve. Në rastin e dhënë është, 187,380 Lekë – 82,300 Lekë = 105,080 Lekë.

Familjet
Brenda vitit 2010 pritet të mbyllet një pjesë e projektit të Ministrisë së Punëve Publike, që do të bëjë të mundur të strehojë 1200 familje në nevojë. Projekti është i shtrirë në 8 bashki të vendit dhe do të krijojë mundësi për familjet në nevojë të sigurojnë një banesë. Projekti është shtrirë në qytete si Tirana, Durrësi, Korça, Elbasani, Peshkopia, Berati, Fieri e Kavaja, ku do të ndërtohen edhe banesat sociale. Ndërtimi i banesave do të bëhet nga kredia prej rreth 25 milionë eurosh, që është marrë nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës, e cila do t’u jepet bashkive. Nga ky projekt pritet që të përfitojnë dy kategori kryesore në nevojë: familjet që jetojnë në shtëpitë e ish-pronarëve, si dhe familjet më në nevojë. Deri tani janë evidentuar rreth 800 familje më në nevojë, që do të përfitojnë me siguri nga ky projekt. Njëkohësisht brenda këtyre dy kushteve, pra që jeton në një shtëpi të ish-pronarëve ose je i pastrehë dhe me të ardhura të ulëta, llogariten si prioritet edhe familjet që në përbërjen e tyre kanë persona me aftësi të kufizuara, persona që kanë statusin e jetimit, gra të divorcuara që kanë në ngarkim fëmijë, të moshuar pa përkrahje, si dhe çifte të reja deri në moshën totale 55 vjeç. Familjet që plotësojnë kriterin si të pastreha me të ardhura të pakta, por që në familje ka persona në nevojë, do të jenë më prioritare në marrjen e një banese sociale. Familjet që do të përfitojnë banesë do të kenë mundësi që të marrin një kredi me interes zero, ose do të paguajnë një qira sociale minimale. Qiraja sociale llogaritet në bazë të kostos, ku qiraja vjetore është sa 4 për qind e kostos së ndërtimit të një banese, por familja për pagesën e kësaj qiraje nuk duhet të shpenzojë më shumë se 25 për qind e të ardhurave.

Avantazhet kryesore të kredisë hipotekore janë si më poshtë:
Me marrjen e një kredie hipotekore, huamarrësi vë në zbatim një nga parimet bazë të blerjes së pasurive të paluajtshme: blerjen me paratë e të tjerëve. Kjo eliminon nevojën e përdorimit
të parave (cash) ose rezervave (depozitave), të cilat janë aq të vlefshme në raste urgjence, apo për mundësi të tjera investimi. Po aq i rëndësishëm mbetet fakti, që ju mund të mos i zotëroni këto para për ekzekutimin e këtij transaksioni.

Me blerjen e pasurisë tuaj ju nuk do të shpërdoroni më paratë në shpenzime qiraje. Gjithashtu, ju mund ta përdorni pasurinë e paluajtshme si kolateral për një kredi të dytë në të ardhmen.

Kredia hipotekore mund të shërbejë për realizimin e qëllimeve të ndryshme si: ndërtimin e një shtëpie verore, rinovimin e shtëpisë suaj etj.

Pasuria e paluajtshme mund të përdoret si një rezidencë e dytë ose mund ta jepni me qira, të ardhura këto me të cilat mund të shlyeni këstet mujore të kredisë.
Megjithatë, marrja e një kredie hipotekore ka edhe disavantazhe:

Ekziston risku i mospagimit në kohë, si pasojë e papunësisë, sëmundjeve, apo ndonjë ngjarjeje të paparashikueshme e cila nuk mbulohet nga policat e sigurimeve.

Mund të përballeni me uljen e vlerës së shtëpisë tuaj; si pasojë, çmimi i shtëpisë tuaj mund të rezultojë më i vogël sesa borxhi ndaj huadhënësit.

Norma e interesit mund të luhatet përderisa kreditë jepen me norma të ndryshueshme interesi.

Nëse interesi rritet, kësti mujor i kredisë do të rritet.

17 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›