E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cuca e Radohimës

Lavdosh Ferruni

Ndalova butonin teksa pashë në ekran një grumbullim të madh njerëzish përballë një podiumi të madh. Ngrita zërin. Nuk ishte miting. Ishte koncert. Nuk ishte në Tiranë. Ishte në Kukës. Këngëtarë nga më të mirët në vend kishin zbarkuar në Kukës për të zbrazur atje një pjesë të thesarit të madh të Këngës Popullore (në kuadër të maratonës së këngës popullore ). Gëzim e entuziazëm i madh i qytetarëve të Kukësit. "Cuca e Radohimës", një nga perlat e thesarit të këngës popullore kënduar nga këngëtarja e talentuar Eranda Libohova në këtë koncert, këngë që i këndon bukurisë së vajzave të krahinës magjepsëse të Radohimës në rrethin e Kukësit, më dha shtysën e fortë për këtë shkrim dhe emocionin për ta vendosur si titull të shkrimit. Në emisionin e së hënës e kudondodhura Xhunga u shfaq në brigjet e Valbonës në Tropojë, pranë një investimi turistik të tipit alpin mbresëlënës dhe shpresëdhënës. Vendësit thanë në këtë emision se 2-3 vitet e fundit është frenuar "ikja" e popullsisë. Mjaftojnë këto dy imazhe mjaft domethënëse për të kuptuar se koha e eksodit rural po merr fund. Njerëzit nga zona Veri-Lindore, nga zona më e pasur e vendit me resurse natyrore dhe paradoksalisht më e varfër, tash po mendojnë se mund të bëjnë një jetë më të mirë në trevën e tyre. Nuk harroj një shprehje të një vendësi tek na shoqëronte në një fshat malor në Veri, kur thoshte se të ikurit kur vijnë lart në fshat sjellin nga një pako biskota, ndërsa kur zbresin poshtë kthehen me thasë plot me ushqime, fasule, patate, fruta, arra, mjaltë, raki e kështu me radhë. Një tjetër mik imi i ardhur nga fshati, i cili ka mundur të ngrejë një biznes të vogël në Tiranë, argumentonte se në kushtet e një krize të mundshme është qytetari (këtu fuste dhe veten) që do të vuajë më shumë se fshatari, i cili sido që të jetë, me atë pak tokë që ka, së paku mund të ushqehet jo keq. Por nuk është vetëm buka problem. "Cucat e Radohimës" në mënyrë që të bëjnë një jetë më të mirë, kanë nevojë që t'i kenë "djemtë e Radohimës" pranë e jo t'i shohin njëherë në vit, apo edhe më rrallë kur kthehen nga kurbeti. Ato kanë nevojë edhe për koncertin, edhe për teatrin, dhe filmin e facebook-n, veç punës, shkollës, shërbimit mjekësor e të tjera shërbime jetike. Më gjerë mesazhi i këtij shkrimi është se vetëm vitalizimi i vendbanimeve në zonat rurale dhe veçanërisht i zonave malore përbën çelësin për një zhvillim të qëndrueshëm afatgjatë në vend.
Por a mundet vërtet që ky vitalizim i dëshiruar të ndodhë në Shqipëri? Por a mund vërtetë të vitalizohet zona rurale e veçanërisht ajo malore në Shqipëri? Si një ogur i mirë vjen lajmi se Shqipëria do të ketë në pak vjet një rrjet të zhvilluar të rrugëve rurale, falë një seti kredish të buta nga Qeveri të vendeve të zhvilluara, ku duket se pikërisht infrastruktura rrugore dhe veçanërisht ajo rurale janë prioritare. Por eksperienca botërore tregon se rruga më e mirë për të mbërritur në qytet nuk mjafton si zgjidhje për të garantuar një zhvillim hapësinor të barabartë. Nëpër strategjitë e shumta që ka hartuar sot Qeveria nuk mungojnë përqasjet bashkëkohore të zhvillimit rural të qëndrueshëm, madje edhe qeveritë socialiste i kanë pasur këto strategji, për shembull "Strategjia e Gjelbër" e hartuar në vitin 1998 (shen: autori ka drejtuar kapitullin e zhvillimit rural në këtë strategji). Ajo që mungon është përqasja fizike me zonat rurale, veçanërisht me zonat malore. Fondet e ndryshme publike dhe të donatorëve të huaj janë përqendruar në ultësirën e vendit, në një raport dukshëm të zhdrejtë me territorin. Teoria e hedhur vite më parë nga Berisha dhe që dominon akoma dhe sot është "t'i kthejmë sytë nga bregdeti". Ajo që kërkohet është pikërisht e kundërta, t'i kthejmë sytë nga zona malore dhe kjo për faktin fare të thjeshtë se Shqipëria është një vend malor. Nëse analizohet shpërndarja e granteve mbështetëse prej Ministrisë së Bujqësisë menjëherë konstatohet shpërpjesëtimi i tyre, ku zonat më marxhinale janë thellësisht të diskriminuara. Investimet e huaja pak shihen në funksion të zhvillimit hapësinor të barabartë, po ashtu politikat fiskale. E njëjta gjë është evidente edhe për edukimin e shëndetësinë. Ashtu si një prind kujdeset më shumë për fëmijën më të dobët, po ashtu shteti duhet të kujdeset më shumë për zonat marxhinale. Për shembull, nëse flasim për projektin "Shqipëria në moshën e internetit" do të ishte shumë bindëse që projekti të fillonte nga fshati, madje nga zonat më të marxhinalizuara që duhen mbajtur vitale, ku çdo familje me fëmijë në moshë shkolle të kishte me një çmim simbolik një laptop dhe akses në internet. Zhvillimi hapësinor i barabartë është një domosdoshmëri jo vetëm si rrjedhojë e historisë së zhvillimit botëror, por edhe si pasojë e fenomenit të ndryshimit të klimës, i cili fatkeqësisht është thuajse totalisht i neglizhuar në Shqipëri. Nuk është koha për diletantizma në drejtimin e vendit, nuk e kam fjalën për qeverisjen, që për një sërë faktorësh mund të jetë e mirë apo e keqe, por për projektimin e së ardhmes së vendit për dekadat e ardhshme. Ky projektim mungon. Edhe pse tash ky projektim që quhet Plani i Përgjithshëm Kombëtar është detyrim ligjor, vihet re injorim i tij, duke vazhduar të drejtohet vendi me baza spontane që bien erë të fortë klientelizëm. Ka të ngjarë që Qeveria edhe këtë plan madhor të vendit t'ia lërë në dorë ndonjë kompanie të huaj, që do fitojë tenderin. Në fakt, ky plan duhet të bëhet nga shqiptarët, duke filluar nga "Cucat e Radomirës".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›