E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deficiti dhe borxhi publik, të flasim hapur

Ervin Bushati

Pavarësisht retorikës politike, është thelbësore, sidomos në këto momente dhe kthesa e ekonomisë sonë si pjesë e pandashme e asaj globale, të kemi një analizë reale ekonomike dhe të flasim hapur. Këto kohë dhe organizma të rëndësishëm ndërkombëtare "flasin me dorashka" dhe shprehen në një zhargon quasi-politik përballë politikave fiskale të Qeverive. është kjo etikë e tepruar që anashkaloi një analizë të kthjellët të krizës greke dhe nuk lëshoi një alarm miqësor para se ajo të shpërthente në mes të Eurozonës.
Në këto kushte duhet lexuar mes rreshtave dhe kuptuar drejt shifrat dhe raportet e parametrave ekonomike në zhvillim. Rreziku në rritje i borxheve sovrane që mbart një shtet, sjellin në një optikë primare menaxhimin e financave publike në këto kohë të turbullta. Më mirë e perifrazoi krizën tashmë ndërkombëtare të borxhit publik Kryeministri Papandreu, "heroi i fundit" i mitologjisë greke: "Le të flasim hapur dhe të mos i biem anash, ne kemi një problem dhe problemi është i thellë aq sa dhe i vjetër".
DEFICITI BUXHETOR 2009:
Më i larti në 8 vite.
Deficiti buxhetor në 2009 ishte 7.1% e GDP, niveli më i lartë që nga viti 2001, kur vendi nisi rrugën e një konsolidimi fiskal të matshëm. Deficiti ishte në 4.2% të GDP në projektbuxhet 2009; por rezultoi jashtë realitetit, ndërsa Qeveria shqeu investimet publike në prag të zgjedhjeve.
o Të ardhurat në buxhet për vitin 2009 kanë rënë në nivelin e 27% nga 28.5% GDP që ishin parashikuar. Performanca tatimore ishte tepër e dobët në gjysmën e dytë të vitit, ndërsa rritja ekonomike u ngadalësua ndjeshëm.
oShpenzimet shkuan në 34.1% të GDP - shifra më e lartë në një dekadë. o Huamarrja e brendshme në 3.7% GDP, ishte më e larta nga viti 2001. o Shpenzimet korrente në 24.2% GDP, u kthyen në nivelin e vitit 2004, larg politikës së 'qeverisë së vogël'.
o Politikat fiskale agresive të vitit elektoral 2009 e frynë borxhin publik në 60% GDP në 2009, nga niveli 55% GDP në vitin 2008.
BUXHETI 2010:
FMN, "Shumë optimistë"
Projektbuxheti 2010, prezantuar vjet në nëntor, është tepër optimist, ndërsa bazohet në një zhvillim ekonomike prej 5.5% GDP. Gjithashtu, parashikohej një performancë e përmirësuar e tatimeve në rritjen e të ardhurave, të cilat projektoheshin në 329 mld lekë ose 28.2% GDP - një nivel që nuk është arritur dot kurrë më parë!
Qeveria projektonte të ardhura 19% më të larta se në 2009, kur rritja në atë vit nga 2008 ishte vetëm 4%. Mesatarja e rritjes së tyre nominale prej 2001, ka qenë 13%!
Shpenzimet korrente në 2010 janë të rritura në 24.9%, ashtu si dhe shërbimi borxhit do të shkojë në 3.5% GDP (3.1% në 2009). Në mungesë të ndonjë privatizimi me peshë, ngarkuar edhe me dështimin e emetimit të Eurobondit 400 mil në tregjet e huaja, gjithë presioni financimit të deficitit buxhetor (4-6% GDP) për këtë vit i kalon tërësisht tregut të brendshëm, duke asfiksuar sektorin privat nga likuiditeti.
Borxhi Publik: I Rrezikshëm dhe jashtë kontrolli.
Sa më sipër, kuptohet që deficit mbas deficiti në vite akumulojnë një borxh kombëtar në rritje. Borxhi publik i Shqipërisë arriti në 634 miliardë lekë (4.6 miliardë euro) në vitin 2009, shifër kjo e barabartë me 60 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Borxhi publik i Shqipërisë është një nga më të lartit mes 125 vendeve të analizuara nga konsulenti ndërkombëtar "Standard & Poor's", në raport me të ardhurat e Qeverisë. Financat publike shqiptare karakterizohen nga borxhi vazhdimisht i lartë i Qeverisë, pavarësisht rritjes shumë të fortë ekonomike. Borxhi i përgjithshëm i Qeverisë, i emetuar në dy të tretat në monedhën vendëse, parashikohet të jetë i barabartë me 57 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto në fund të 2010-s. Për më tepër, borxhi është 2.2 herë më i lartë se të ardhurat vjetore të Qeverisë dhe ky është një nga borxhet më të larta mes vendeve në vlerësim.
Dëshira e qeverisë për të rritur paga e pensione përtej normës së rritjes së të ardhurave të buxhetit duket se i mbingarkoi shqiptarët me borxhe. Në vitin e kaluar, mbi 12 për qind e taksave që shqiptarët i paguan Qeverisë, shkuan për të shlyer interesat e borxhit publik. Por problemi më i madh është që Qeveria shpenzoi për paga, pensione, e interesa borxhi më shumë nga sa siguroi të ardhura nga taksat.
Kriza greke dhe në
Pavarësisht parashikimeve, kriza helenike tanimë e ka ushtruar trysninë e saj edhe në tregjet rajonale që e rrethojnë, përfshirë edhe Shqipërinë. Do të ketë ndikime ekonomike të drejtpërdrejta dhe jashtë sferës së financave: investimit, administrimit dhe kostos së borxhit publik.
Së pari, nëse vështirësitë e Greqisë rrjedhin në tregje të tjera të BE, vende të rajonit tonë mund të shohin eksportet e tyre të bien ndjeshëm bashkë me aktivitetin ekonomik përkatës. Së dyti, shqetësimi mbi stabilitetin financiar e ekonomik mund të trembin investitorët, që në vijim do të tregohen më të ngurtë për të investuar në rajonin tonë me risqe të shtuara tanimë.
Dhe në fund, nëse bankat helenike bien në vështirësi, kjo do të do të ulë kreditimin e biznesit dhe ekonomive rajonale ku përfshihemi edhe ne. Këto banka janë prezente në Shqipëri prej disa kohësh dhe me profil tepër aktiv në ekonominë tonë, si familjare, edhe atë të biznesit. Një kreditim më i ulët do të thotë kontraktim ekonomik, mbyllje biznesesh dhe humbje vendesh pune në treg.
Transparenca dhe kredibiliteti financave publike.
Ndërsa kriza financiare goditi tregjet globale, Greqia ishte ekonomia më e dobët përballë kësaj "sëmundje sezonale". Në periudhën që pasoi, investitorët e huaj u treguan skeptikë dhe me një vullnet në rënie për të financuar akoma një shtet të papërgjegjshëm. Ata shqetësohen se në rast se kriza helenike nuk zgjidhet dot shpejt, shtete të tjera me borxhe të larta dhe financa të turbullta publike mund të hasin në vështirësi për pagesat e kësteve të borxheve që kanë.
Për disa kohë, tregjet financiare ishin të pavëmendshme dhe e nënvlerësuan borxhin e lartë që shtete si Greqia kanë marrë gjatë kësaj dekade dhe më shumë në rritje gjatë krizës së fundit për të nxitur ekonominë vendëse.
Pak a shumë, nuk pritet që Greqia dhe as ne të ndërrojmë kurs kaq shpejt për: kredibilitet financiar, reforma strukturore ekonomike, ngritje të menjëhershme në volum ekonomik dhe performancë buxheti. Kjo vështirëson lëvrimin e suksesshëm të një bondi jashtë vendit dhe me interesa të favorshme në treg. Të gjithë jemi duke "uruar" që të merren këto fonde frymëdhënëse për ekonominë tonë të asfiksuar, pas rënieve të pritshme dhe të remitancave nga emigrantët drejt familjeve të tyre në nevojë. Por kjo nuk duhen të na ndalojë të jemi kritikë ndaj të gjithë faktorët qeverisës që çuan ekonominë në këtë stres të financave publike të parashikuar që herët.
Parametra makroekonomikë nën trysni
Rritja e deficitit buxhetor dhe e borxhit publik do të vënë në provë stabilitetin makroekonomik, si një pasojë e pashmangshme e devijimit nga politika e konsolidimit fiskal. Ky kombinim vicioz i një rënie të fuqisë blerëse si dhe investimeve anemike nga ana e Qeverisë, do të tkurrin ndjeshëm ekonominë në të ardhmen afatmesme.
Kriza e thellë dhe në zhvillim e financave publike sot është pasojë direkte e drejtimit kriminal të buxhetimit të vitit të kaluar: një vit elektoral, një vit abuzimi dhe vjedhje me fondet publike të shqiptarëve. Ato pasoja i vuan ekonomia jonë e përbashkët dhe të ardhurat e çdo familjeje në veçanti - sot nën peshën e një borxhi publik fundosës.
Në një vit leku u zhvlerësua më 14% dhe kjo do të thotë çmime më të larta në treg për mallrat kryesore të konsumit të çdo familjeje shqiptare. Ne kemi një raport totalisht të pafavorshëm mes importeve dhe eksporteve - 4:1. Në rastin e ushqimeve shkon deri në 10:1. Këto janë indikatorë të sigurt të një inflacioni të fshehur në zhvillim, kur shumica e asaj që konsumojmë në familje vjen nga jashtë me çmime në rritje.
Me një matematike të thjeshtë del që inflacioni real i mallrave bazike, që zënë pjesën dërrmuese të buxhetit të shumicës së shqiptareve është mesatarisht 9% dhe jo aq sa shprehet Qeveria.
Biznesi: Sot shteti nuk paguan.
Kuptohet, që të gjitha të dhënat e mësipërme japin panoramën e klimës aspak të favorshme a stimuluese për biznesin privat, që është motori i ekonomisë shqiptare. Shteti shqiptar asfikson biznesin vendës dhe ekonominë, sepse Qeveria nuk paguan dot detyrimet që i ka sipërmarrjes vendëse: borxhe për punime të kryera dhe shërbime të ofruara që nuk financohen edhe pasi ato janë përfunduar. Qeveria nuk mund të jetë korrekte në financimin e biznesit shqiptar, sepse ajo nuk ka para në arkën e shtetit për të përmbushur detyrimet kontraktuale ndaj këtyre firmave.
Fondet publike të shpërdoruara vjet dhe administrimi prej krize i ekonomisë nga Qeveria që kemi sot, na kanë dorëzuar si shtet para gjendjes së trishtë të një stresi financiar. Një stres që ndihet nga mungesa e theksuar e likuiditetit në treg.
Dështimi i lëvrimit në kohë të një Eurobondi prej 400 milionë eurosh në tregjet ndërkombëtare, ka bërë që Qeverisë t'i shterojë durimi, bashkë me likuiditetin financiar.
është ky likuiditet i shteruar që e shtyn të harrojë detyrimet ndaj biznesit, që janë mbi 150 milionë euro. Sot shteti shqiptar nuk paguan dot borxhin që i ka biznesit.
SEKTORI PRIVAT: Kreditimi frenon ndjeshëm.
Nga ana tjetër e darës që shtrëngon biznesin është paraja në treg, ose më saktë mungesa e ndjeshme e saj.
Kreditimi ndaj sektorit privat u ngadalësua ndjeshëm në 2009 dhe vazhdon në të njëjtin trend edhe në këtë 6-mujor të parë të 2010.
Kombinimi i fundit është toxic: stepje e bankave tregtare për të dhënë hua në një treg me një numër në rritje kredish të këqija (Non Performing Loans) + (crowding out effect) shpërthimit të huamarrjes së brendshme të sektorit publik, që ishte në nivelin 260% të parashikimit për periudhën janar-maj 2010.
Shtrëngimi i kreditimit në monedhë të huaj (euro) reflekton aftësinë e reduktuar për monedhë të huaj, si dhe një frikë reale të një zhvleftësimi të mundshëm të lekut. Deri në fund të vitit 2009 rritja e kredisë në euro kishte rënë 7.4 herë (nga +37% në +5%).
Logjikisht, bankat tregtare preferojnë në këtë situatë dhe në këtë periudhë që të refuzojnë kërkesat e sektorit privat me një profil risku të rritur dhe kredi të këqija. Më tej, shpërthimi i kërkesës së Qeverisë për fonde e shtyn sistemin bankar drejt një investimi risk-free ('risk zero') dhe me interesa të larta, që e gjen te bonot e thesarit.
Fakt shqetësues është tkurrja e qartë e kërkesës së sektorit privat për kredi investimi: Banka e Shqipërisë raporton se shumica e sipërmarrjeve aplikojnë për kredi financimi borxhesh, në vend që të ndërmarrin investime të reja! Rënia e nivelit të kredive të këqija (NPL) në fund të vitit të kaluar, ka më shumë të bëjë me politika aktive të bankave tregtare zhvendosjen e kësteve të kredive dhe ka më pak të bëjë me përmirësimin real në cilësi të portofolave të kreditimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›