E Diel, 1 Nëntor 2026

E vërteta njerëzore në poezinë e Dhimitër Pojanakut



Bujar Plloshtani

Vërtet ka një shpirt të trishtë. Jo se qielli është kundrejt tij, por se shpirtin të tillë të lindur, e ka. Nuk i ngjan askujt, pos poezisë së tij filozofike, që vdekjeve të afërta u jep shpresë, artin e jetës. Edhe pse qielli e verbon shpeshherë, ai e adhuron atë, pastaj e shkruan nëpër poezi, duke e bërë më bindës ndaj tij. Nganjëherë, gjoja duket se është më kokëfortë se qiejt, ndofta poezia e krijon sipas llojit të vet, por fundja është poet i lindur, pra i talentuar për t’i përdorur tekat, që i ka si armë të fundit drejt kësaj ekzistence shoqërore. Poezia e tij është frymëzimi i natyrës, që e reciton kaq mahnitshëm me vlerën ngadhënjyese të vrullit krijimtari. Realitetin e kësaj ekzistence, ai pretendon ta ndryshojë me ironinë e tij poetike, ndryshe, turma i kupton si përherë poetët larg realitetit, ai përpiqet t’ua thotë të tjerëve, se poeti ndodhet kudo, thuajse dhe brenda çdo realiteti, pavarësisht lëkundjeve dhe lëvizjeve shpirtërore. Ai është poet fin dhe kapriçoz.
Unë shpeshherë them, që, poezia është perëndi! Sepse lind prej një shpirti krijues, si krijim gjenial, dhe vjen nga ndriçimi absolut i shpirtit. Sa e ndërlikuar, po aq dhe e thjeshtë! Ndërkaq, poezia e Pojanakut është natyrë e gjallë që mishëron një qiell që shkoqit terrin verbues ndaj çdo trupi të humbur. Ai nuk mund të të shpëtojë nga e keqja, nga misteri, por mund të përshkruajë të keqen se si luan me fatin e njeriut të shkretë. Parulla e recitimit të tij, dhe e keqja sikur të mos përsëritet më! Këtu ka lindur dhe një pjesë e ironisë së tij ndaj vetvetes, turmës, qiellit. Prandaj, dhe e bukura kërkon nevojë shpirtërore të lindur, e cila dëshmon se nuk është bosh, andaj ka lindur nga nevoja. Poezia e tij është tepër njerëzore, pavarësisht ironisë therëse, tekave, naivitetit, këto të fundit kanë lindur te shpirti i tij si pasojë e fatit të hidhur shoqëror, por, megjithatë, në thelb poezia e tij përmban meditim kontemplativ mbi të drejtën e shoqërisë njerëzore, mbi të vërtetën humane njerëzore, mbi qiellin mistik, mbi shpirtin krijues. është si verë e kuqe, që noton drejt gjakut të tij si anija pa vela. Gati e vetmuar. Edhe shpirti i tij është i vetmuar, por jo dhe poezia e tij... Poezia e poetit Pojanaku është një gur i çmuar, i fshehur në brendësinë e tij si të jetë me vakum, duke rrezatuar natën, ndritjen e arsyes së fjalës. Poezi e thellë, bindëse, kurajoze, e ngjashme me vetveten...
Pojanaku është poet i asaj gjeneratë që arrin të imponohet pranë lexuesit me një poezi të kulluar, të pastruar nga foljet e tepërta gati të bezdisshme që hasen shpesh në poezinë tonë bashkëkohore. Me kujtohet poezia “Dimër në lokalet e plazhit”. Në më pak se dy folje, Pojanaku krijon varg “horizontesh” shpirtërore tek lexuesi...
Me anë të fjalës emocionale, poeti dëshmon kundrejt humbjes, trishtimit shpirtëror, çhumanizmit njerëzor; mbase kjo është një veti e tij e mirë që shquan botën e shpërfillur nëpërmjet të drejtës natyrore, që është arsyeja ndaj të vërtetës njerëzore. Poezia e tij është një grusht i fuqishëm ndaj revoltës, ndaj turmës dhe ndaj trishtimit të verbër të shpirtrave të lirë, dhe nëpërmjet fjalës, tekave të tij hënore, ai mund çdo lakuriqësi mendimesh që mundohen ta zhveshin autenticitetin njerëzor. Një traktat intelekti prej poeti filozof mund të vihet përballë çdo të mete që e ndikon botën dhe ligjet e saja fizike.

Botimet poetike
“Shiu lexon trishtimin tim”,
1991
“Mëngjes dhe pak natë”,
1993
“Xhindet kërcejnë polka”,
1999
“Gurët zbardhin natën”,
2002
“Shtëpia ime rrotullon qiellin”,
2000

çmime
1996 – çmim ndërkombëtar për poezi në Milano
1997 – çmim ndërkombëtar për poezi në Francë
2002 – çmim special ndërkombëtar në Itali.
2003 – çmim ndërkombëtar në takimin poetik me poetë nga Shqipëria, Greqia, Maqedonia.
2003 – “Penda e argjendtë”, për vëllimin “Gurët zbardhin natën”
2005 – Merr titullin “Qytetar Nderi” i Pogradecit.
2006 – çmim në takimin poetik ndërkombëtar në Shkup, Maqedoni
2007 – çmim në “Ditët e verës”, në Elbasan
2008 - çmimi “Lasgush Poradeci” në takimin e vjeshtës, Korçë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›