E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turizmi kulturor nga Saranda në Antigone

• GJIROKASTËR – Afrimi i sezonit të ri turistik ka bashkuar në një tryezë kryebashkiakun e Sarandës dhe drejtorin e Parkut Kombëtar të Antigonesë, në Gjirokastër.

 Ky bashkëpunim ka në themel promovimin e turizmit kulturor dhe atij të trashëgimisë mes Bashkisë së Sarandës dhe Parkut Kombëtar të Antigonesë. Specialistët dhe stafi i Bashkisë së Sarandës kanë kontaktuar me menaxhuesit e Parkut të Antigonesë për të azhornuar informacionet për turistët e huaj që mbërrijnë në Sarandë , të cilëve do t’u serviret si zonë atraktive edhe Antigonea. Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Edmond Gjoka dhe drejtori i Parkut të Antigonesë, Ëngjëllush Serjani, kanë rënë dakord për një bashkëpunim konkret dhe të qenësishëm me qëllim organizimin dhe promocionin e guidave si dhe paketave turistike Sarandë–Antigone, Sarandë–Butrint–Antigone dhe anasjellas, Tiranë-Antigone-Sarandë-Butrint. Guidat do të paraprihen nga botime bashkëkohore promocionale në shqip dhe gjuhë të huaja. Në takim Gjoka i ka dhuruar Zyrës së Administrimit dhe Koordinimit të Antigonesë, një numër botimesh promocionale të Bashkisë Sarandë me logon e qytetit bregdetar, si edhe ka marrë disa botime të fundit në Parkun e Antigonesë. Eshtë hera e parë që një njësi vendore e kategorisë së parë, siç është Saranda, të krijojë lidhje bashkëpunimi me një park arkeologjik.                               p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›