E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oborret e shkollave, të pushtuara nga ndërtimet

• FIER – Territoret e shkollave në qytetin e Fierit “vuajnë” nga ndërtimet pa leje.

Mësohet se këto ndërtime zënë një sipërfaqe të konsiderueshme të asaj që duhet të ishte pronë e shkollës. Sipas Bashkisë Fier, përpara vitit 1990, 15 objektet arsimore në territorin e kësaj bashkie kishin një sipërfaqe prej 70 mijë metër katrorë, ndërsa në vitin 2005 kjo sipërfaqe ishte reduktuar në 55 mijë metër katrorë. Pra, nga ndërtimet pa leje në territoret e shkollave dhe të kopshteve janë zënë 15 mijë metër katror. Edhe para pak kohësh u ndërmor një aksion për prishjen e këtyre objekteve, të cilat janë shtëpi, kioska apo dyqane, fadromat e ndërtimores e kanë mbyllur punën me prishjen e vetëm dy objekteve. “Jemi ankuar disa herë. Kemi bërë edhe shkresë për në Ministrinë e arsimit, por nuk na është kthyer një përgjigje përfundimtare. Ngritja e këtyre objekteve na ka sjellë probleme. Nuk kemi hapësira të mjaftueshme sportive, palestra apo fusha futbolli”, është shprehur njëri prej drejtorëve për “Panorama”-n. Sipas nënkryetarit të bashkisë, Jani Fuli, bashkia ka nisur një dosje të plotë të gatshme për ekzekutim në Policinë Ndërtimore të Qarkut Fier. Ndërkohë që, sipas tij, Policia Ndërtimore ka deklaruar se “zvarritja” ka ardhur nga mospërfundimi i problemeve në gjykatë, pas ankimeve të bëra nga pronarët e ndërtimeve të jashtëligjshme. “Por kalimi i ndërtimorëve në inspektorat, që sot varet nga bashkia do të sjellë një tjetër pamje për oborret e shkollave. Fundi i këtij do të jetë edhe fundi i ndërtimeve në institucionet arsimore”, ka përfunduar Fuli.                       m.r.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›