E Shtunë, 31 Tetor 2026

Curri: Në mesfushë bëj diferencën

 

Jetmir Halilaj

Debatik Curri, shndërrohet në një golashënues i rrezikshëm kur luan si mesfushor. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare që realizoi dopietë kundër Dnjepro Petrovskit fundjavën e kaluar ku skuadra e tij barazoi 2-2, pohon se kur luan si mesfushor arrin të jetë më efikas në fushën e lojës. Një rol të tillë ai do të donte ta bënte edhe në Kombëtaren shqiptare, por të paktën për momentin kjo gjë është e parealizueshme. Në një intervistë për “Panorama Sport”, kosovari i bën apel në distancë Kuzhesë, që ta provojë qoftë edhe një ndeshje në mesfushë.
Një mbrojtës që realizon dy gola. Nuk ju ndodh shpesh kjo apo jo?
Unë nuk jam mbrojtës. Dua të them se më tepër luaj si mesfushor se sa si mbrojtës, por në Kombëtare më është dashur të sakrifikoj. Nëse shënova këtë javë, kjo ndodhi pasi trajneri më vendosi në mesfushë. Kisha për detyrë të bëja rolin e ndërlidhësit midis mbrojtjes dhe mesfushës.
Dhe me këtë rast bëtë edhe rolin e sulmuesit...
Eh, gjërat shkuan më mirë akoma në aspektin personal. Në fakt, unë gjithnjë jap më shumë kur luaj në mesfushë. Kjo për faktin se karrierën e kam nisur si sulmues i dytë dhe më pas jam përshtatur në disa role.
Cili është pozicioni juaj ideal?
Mesfushor i majtë, por i avancuar, pra që ka hapësira të ndihmojë edhe sulmin. Shpesh luaj edhe në qendër të mesfushës. Këto janë rolet ku unë vërtet mund të bëj diferencën.
Pra, në mbrojtje jeni tërësisht jashtë natyrës?
Jo tamam. Tani jam ambientuar edhe me këtë pozicion, por dihet se jo në çdo ndeshje mund të jem në nivelin që dua unë. Megjithatë, sa herë trajneri ka vendosur të më besojë rolin e qendërmbrojtësit, jam përpjekur të mos e zhgënjej.
A i keni kërkuar ndonjëherë Kuzhesë që t’ju vendosë si mesfushor?
Jo, asnjëherë. Si mund t’i them kur e shoh që ai ka nevojë për një mbrojtës. Mua do të më pëlqente shumë që me Kombëtaren të luaja në mesfushë, qoftë edhe një ndeshje, por të tilla janë rrethanat. Ah, po i kam kërkuar Hanit që të luaja si mesfushor, por as ai nuk e mori parasysh kërkesën time.
Sa ju shpërbleu klubi për dy golat që shënuat?
Këto janë të përcaktuara në kontratë. Për më tepër që gjithçka varet edhe nga rezultati i ndeshjes. Për fat të keq ne nuk fituam, por barazuam. Gjithsesi, shumën nuk mund t’ua them.
Shënuat një gol me penallti, ju jeni gjuajti i parë i 11-metërshave të skuadër?
Jo, është një lojtar tjetër. Ai ishte zëvendësuar dhe unë ngulmova që ta gjuaja vetë. E parandieja se nuk do të gaboja.
Edhe sa do të vazhdoni të qëndroni te Vorskla?
Nuk e di. Por nuk dua të flas për merkato që tani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›