Kinemaja e diktaturës shfaqet në TIFF
alma mile
Një fotografi që lë shenjë. Një gërshërë që pret ca flokë të verdhë... Sa krijimtari është “krasitur” ashtu gjatë diktaturës?! Për të ecur përpara, por edhe për të mos harruar të shkuarën Tirana International Film Festival, i cili ka nisur rrugëtimin e tij të shtatë, prej ditës së premte shfaq ndër të tjera, edhe një seri filmash shqiptarë, të realizuar gjatë viteve të diktaturës. Dhe këtë e bën përmes një homazhi kushtuar regjisorit Viktor Gjika, i cili u nda nga jeta, jo shumë kohë më parë. Nga krijimtaria e tij janë përzgjedhur tre filma të hershëm, kur Gjika ishte ende një djalosh në fillim të karrierës. Është përzgjedhur “Debatiku”, filmi i regjisorit Hysen Hakani, prodhim i vitit 1961, ku Gjika, së bashku me një tjetër kineast të shquar shqiptar, Dhimitër Anagnosti ishin në pozicionin e operatorëve. Dyshja Anagnosti-Gjika na shfaqet sërish, por këtë herë si regjisorë në filmin “Komisari i Dritës”, prodhim i vitit 1966. “Rrugë të bardha”, një film i vitit 1974 sjell Viktor Gjikën si një regjisor i konsoliduar e që më vonë do të krijonte disa ndër filmat më të mirë shqiptarë të të gjitha kohërave. “Gjika ishte një vrull jetësor, një njeri energjik dhe produktiv, i cili me punën e vet si regjisor, skenarist dhe operator, nuk rreshti së krijuari imazhe, fjalë dhe tinguj. Gjatë konsultimit me koleksionin aq të pasur të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF), më ra ndër duar një fotografi e jashtëzakonshme e Roza Anagnostit nga filmi “Komisari i dritës”, i Gjikës, një film klasik shqiptar realizuar në vitin 1966. “Kjo fotografi më mahnit me kompozimin e vet dhe konotacionet që ajo ka mbi Shqipërinë, por edhe më bën të hamendem mbi fatin e asaj copëze peizazhi ku kjo foto u shkrep. Po sikur pemët në sfond të jenë prerë, për t’i lënë vendin një qendre tregtare? Kushedi?!”, thotë Tomas Logoreci, programues i TIFF-it. “Shfaqja e këtyre filmave është një dëshmi që u jepet kryesisht të rinjve, për të treguar se sa e indoktrinuar ishte jeta nën diktaturë dhe se në çfarë arme mund të kthehej kinematografia”, thotë njëri prej organizatorëve të TIFF-it, Genc Përmeti, duke shtuar që mes gjithë asaj krijimtarie të para ’90-ës janë zgjedhur gjithsesi disa filma më pak patetikë. Pjesës së retrospektivës i shtohet edhe pak nga krijimtaria kinematografike kineze, e cila është bërë pjesë e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, qysh në kohërat e vëllazërisë shqiptaro-kineze. Asokohe këta lloj filmash zinin një hapësirë të gjerë në kinematë shqiptare, pasi përmbushnin kërkesat ideologjike të kohës, por edhe pëlqeheshin nga publiku, i cili në fakt nuk kishte shumë mundësira zgjedhjeje. Prej këtyre filmave, të cilët për vite me rradhë kanë “fjetur” në raftet e AQSHF-së janë përzgjedhur “Lindja është e kuqe”, i cili u shfaq pasditen e së dielës. Një muzikal i vitit 1965, me përmasa të jashtëzakonshme, ku marrin pjesë 3 mijë artistë performues nga e gjithë Kina, nën drejtimin e regjisores së parë kineze Wang Ping. Filmi ndërtohet mbi 36 këngë revolucionare dhe 24 koreografi. Mbrëmë u shfaq një tjetër film i titulluar “Nga fitorja në fitore”, prodhim i vitit 1952, me regji të Cheng Yin dhe Tang Xiaodan. Në programin e ditës së sotshme është programuar shfaqja e filmit kinez “Duke kaluar lumin Jance” (1974), prej 84 minutash. Filmat paraprihen edhe nga një dokumentar prej 10 minutash, të zgjedhur po nga arkivat e filmit, duke respektuar traditën e hershme, ku përpara çdo filmi artistik shfaqej një dokumentar me arritjet e socializmit.