E Shtunë, 31 Tetor 2026

Curri: Probleme në mesfushë, ndaj gabuam me Maltën

 

Debatik Curri (28 ndeshje me Kombëtaren, 1 gol) pohoi se Malta i dha atij dhe shokëve të ekipit një motiv më shumë për të bërë një prezantim të denjë në “Qemal Stafa”, aq më tepër kur priten të rikthehen mesfushorët Altin Lala e Lorik Cana, kapiteni dhe zv.kapiteni i Shqipërisë. Te qendërmbrojtësi i Kombëtares, Debatik Curri, ende ndihet “hija e Maltës”, por kosovari beson se në ndeshjen e 28 marsit kundër Hungarisë, Shqipëria do të tregojë se “aventura malteze” ishte thjesht një rastësi. “Është e natyrshme, - tha Debatik Curri në linjë telefonike nga Turqia për Albania-sport.com, - që barazimi me Maltën ishte i papritur për ne, pasi të gjithë shpresonim në fitore, çka do të na çonte në vendin e parë. Të gjithë lojtarët pas ndeshjes kanë qenë të mërzitur, madje edhe gjatë udhëtimit në avion, thuajse qëndruan të heshtur. “Edhe me Dallkun në rrugën e kthimit për në Turqi folëm shpesh për atë që ndodhi në Maltë, por unë mendoj se kundër Hungarisë do të tregojmë po ato vlera që dëshmuam kundër Suedisë (0-0 në “Qemal Stafa”) e Portugalisë (0-0, në Braga)”. Curri i mbështetur edhe nga Elvin Beqiri ia doli të bllokonte e të nxirrte jashtë loje yllin suedez Zlatan Ibrahimoviç. “Në të vërtetë patëm disa probleme në mesfushë, kjo u pa nga të gjithë, dhe besoj se prania e Lalës e Canës do të na ndihmojë për të qenë më të sigurt e më agresivë kundër Hungarisë”, tha Curri, një ndër pesë futbollistët kosovarë që së bashku me Arjan Beqajn, Lorik Canën, Armend Dallkun e Besart Berishën militojnë në “Kombëtaren Etnike”, siç e quan ai. Ekipi i tij ukrainas Vorskla Poltava është duke mbyllur ditët e fundit të përgatitjeve dimërore në Antalia të Turqisë. “Më 28 shkurt fillon kampionati dhe ndeshjen e parë e kemi në shtëpi kundër Tavri, një skuadër ndaj së cilës në fazën e parë fituam 3-1 në transfertë, ku një nga golat e shënova dhe unë”, tha Curri, i cili në fazën e parë realizoi tre gola. “Duhet ta fitojmë këtë takim, pasi e gjithë tifozeria jonë e pret një fitore”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›