E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy muaj maratonë kulture

 

Çdo ditë parashikohet një aktivitet. Do të jetë një koncert, një ekspozitë, film, apo shfaqje teatrale. Ky është programi i muajve të kulturës Shqipëri-Kosovë, që nis me rastin e 1-vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Me mbështetjen e ministrive përkatëse të Kulturës, gjatë muajve shkurt-mars do ët zhvillohet një maratonë kulturore me pjesëmarrjen e artistëve shqiptarë e kosovarë. Kalendari ka nisur të aplikohet tashmë qysh me koncertin “Bozhuret e Lirisë të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore në skenën e TKOB, për të vijuar sot në të njëjtën skenë me “Mbrëmje Gala për Pavarësinë”, koncert me krijimtari të zgjedhur nga vepra të kompozitorëve shqiptarë. Po sot në Gjakovë do të realizohet koncerti i përbashkët i Ansamblit Popullor Shqipëri dhe Ansamblit “Shota” Kosovë, “Një komb – një kulturë”. Ditën e premte në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, do të çelet ekspozita në nderim të viktimave të terrorit  komunist dhe gjenocidit ndaj popullsisë shqiptare në vitet ‘44-‘90, ndërsa në sallën “Kadri Roshi” të Teatrit Kombëtar, do të vihet në skenë premiera e dramës “Filomena Marturano”, e cila do të mbahet nën okelion e Festës Kombëtare të Kulturës Shqipëri-Kosovë. Çdo të mërkurë Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, do të shfaqë për nxënësit e shkollave të mesme, katër filma artistikë kosovarë, “”Kur pranvera vonohet”, “Proka”, “Uka i bjeshkëve të namuna” dhe “Rojet e mjegullës”. Në fillim të muajit mars, si rezultat i nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit mes tre teatrove  kombëtare shqipfolës, në Teatrin Kombëtar do të shfaqet premiera e dramës “Çifti Martin” i Joneskos, dhe “Tartufi” i Molierit nga trupa e Teatrit të Prishtinës. Do të ketë ekspozita bukinistësh, të Bibliotekës Kombëtare, do të shfaqen filma dokumentarë, premiera operistike, takime mes muzikantësh e letrarësh e aktivitete të rinjsh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›