E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji, gërmime arkeologjike dhe nga subjektet private

 

ALMA MILE

Prej shtatë muajsh ka nisur funksionimin Agjencia e Shërbimit Arkeologjik. Përpara se të fillojë një ndërtim në një zonë potenciale arkeologjike, është ASHA që merr në dorë situatën dhe mbikëqyr gërmimet e themeleve, për të evituar ndeshjen me një objekt arkeologjik dhe dëmtimin e saj. Mbi rëndësinë e këtij institucioni dhe eksperiencën e vendeve të tjera, u zhvillua dje një seminar me pjesëmarrjen e ekspertëve shqiptarë e të huaj. Ndërkaq, drejtori i ASHA-s, Roland Olli tregon për punën e ASHA-s, zonat më “problematike”, gërmimet nga subjektet private dhe shkeljet e hasura deri më sot. Çfarë është shpëtuar deri më tani që nga krijimi i ASHA-s?
Agjencia po punon me një model të përparuar evropian dhe tendenca është që të parandalojmë e të mos arrijmë në fazën e dëmtimeve dhe pastaj të marrim masa. Agjencia është aktivizuar që në momentin kur janë paraqitur projektet e zhvillimit, qofshin këto ndërtimore si rrugë, ujësjellës, të gjithë projektet e natyrës ndërtimore, ose për ta nisur më herët që nga momenti kur janë përgatitur planet e zhvillimit urban, gjithmonë për ato zona që kanë zonifikim arkeologjik. Por kjo nuk e përjashton ndërhyrjen apo futjen e agjencisë edhe në zona të tjera, që pavarësisht arsyes së mungesës së informacionit ka të dhëna për gjetje arkeologjike. Në kuadrin e shpëtimeve do të përmendja Durrësin, një qytet me një potencial të madh arkeologjik, sa shpesh në gjuhën popullore e thonë, në çdo vend të gërmosh në Durrës do të gjesh rrënoja apo mbetje arkeologjike. Në rastin konkret në Durrës për të gjithë rastet që kanë filluar ndërtimet pas krijimit të ASHA-s, nga ekipi i arkeologëve të agjencisë është udhëhequr gërmimi, deri në momentin kur është arritur kuota përfundimtare e themeleve të ndërtimit, e pasi janë bërë të gjithë evidentimet e gjetjeve është bërë inventarizimi i tyre, pastrimi, janë dërguar pranë muzeve arkeologjikë përkatës, dhe më pas është hartuar raporti përfundimtar mbi gjithë zhvillimin e gërmimit arkeologjik. Vetëm atëherë i është dhënë leja kompanisë ndërtuese për të vazhduar ndërtimet.
Flitet se vazhdojnë të jepen leje ndërtimi në Durrës, në zonën B veçanërisht. Është kjo një mungesë koordinimi me vendorët?
Lejet e ndërtimit të dhëna në zonën B nuk janë të kundërligjshme. Do përkufizoja kështu lejet në zonën arkeologjike A, që e quajmë zonë arkeologjike të kategorisë së parë. Në zonën B, në bazë të ligjit “Për trashëgiminë kulturore” lejohen ndërtimet. Por gjithmonë me ndërhyrjen e ASHA-s. Pikërisht rastet që përmenda për Durrësin kanë qenë raste të pastra të një mbikëqyrjeje të gërmimit nga fillimi deri në fund. Më pas Bashkia Durrës ka bërë zbardhjen e lejes së ndërtimit. Mund të them me kënaqësi se që në momentin që ASHA është bërë evidente si një strukturë në MTKRS, bashkitë kanë filluar të bashkëpunojnë. Të gjitha kërkesat dhe lejet e ndërtimit janë bërë vetëm mbi bazën e informimit. Ata kanë informuar dhe janë drejtuar zyrtarisht tek ASHA.
Në bazë të ligjit, gërmime mund të zhvillojnë edhe subjekte private…
Nuk është një koncept që aplikohet për herë të parë në Shqipëri. Në përgatitjen e procedurave jemi bazuar në standardin gjerman dhe pikërisht të gjitha procedurat dhe rregullat e kërkimit arkeologjik, bazohen pikërisht mbi këtë rregullore të standardit gjerman, të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë. Prej fund janarit kjo rregullore është në fuqi dhe është standardi që do të zbatohet, si në rastin kur gërmimet i udhëheq ASHA, si subjektet private, që do të licencohen. Akoma nuk kemi filluar me procedurën. Sepse për procedurat e licencimit duhet të kemi kërkesa. Këto procedura i miraton përsëri Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë.
Nuk mund të përbëjë kjo rrezik?
Mendoj se nuk përbën rrezik. E them me siguri këtë, sepse në të gjithë rastet rregullat dhe kriteret e vendosura për licencimin e subjekteve private kanë kërkesa të tilla, që nuk lejojnë abuzime apo keqpërdorime të privatit në këtë fushë. Janë të përcaktuara shumë qartë detyrimet, deri në përgjegjësi penale nëse bëjnë abuzime me këtë të drejtë, që iu është dhënë për të udhëhequr gërmimet e shpëtimit.
Gjatë punës suaj keni hasur dhe shkelje. Më konkretisht?
Shkelje ka pasur në disa drejtime. Shkelja më flagrante është fillimi i ndërtimeve pa leje dhe pa informuar ASHA-n. Një shkelje tjetër e kësaj natyre është kur subjekte të ndryshme ndërtuese zbatojnë punime ndërtimi dhe në një zonë për të cilën nuk kanë pasur informacion, ndesh në një objekt arkeologjik dhe nuk njofton ASHA-n dhe institucionet e tjera brenda tri ditëve. Kemi pasur një rast të tillë shkeljeje në afërsi të Ksamilit në Sarandë. Gjatë punimeve të ndërtimit për një banesë, në themelet e saj është zbuluar një varr parahistorik dhe nuk është informuar ASHA. Ai gërmim është drejtuar nga arkeologë, por shkelja ligjore ekziston. Në bazë të ligjit kemi dhënë edhe ndëshkimin. Ka dhe shkelje siç është mosparaqitja e projekteve në Këshillin Kombëtar të Arkeologjisë. Në këto raste jemi munduar në institucionet kryesore të vendosim masa, që të mos shkojnë deri në shkelje të tilla apo bllokim të objekteve. Në Durrës kemi pasur dy shkelje. Në të gjitha rastet ka pasur ndëshkime.
Çfarë ndëshkimesh?
Të konsiderueshme dhe shumë të rënda në aspektin financiar. Nuk janë simbolike. Ligji i ka përcaktuar shumë qartë në varësi të shkeljes, dëmit që shkakton. Deri në ndjekje penale, kur ka dëmtime të pasurisë arkeologjike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›