Laç, foshnja vdes në ambulancë
LAÇ/ ROLAND NIKOLLI
Një foshnjë që erdhi në jetë katër ditë më parë u nis dje nga spitali i Peshkopisë për t’i shpëtuar jetën në Tiranë, por vdiq rrugës pasi ambulanca pësoi aksident. Tentativa e drejtuesit të mjetit, për ta dërguar sa më shpejt në spital foshnjën që kishte probleme me frymëmarrjen, rezultoi fatale. Për pasojë foshnjës iu shkëput oksigjeni në momentin e aksidentit, duke ndërruar jetë në vend, ndërsa u plagosën rëndë 6 persona të tjerë, pesë prej të cilëve ndodheshin në ambulancë. Ngjarja ndodhi rreth orës 13:30 në superstradën Laç–Fushë Krujë, kur tre mjete u përplasën. Sipas mjekëve të Peshkopisë, në orën 11:00 ambulanca me targa DI 3732 A ishte nisur nga spitali për në Tiranë, pasi fëmija kishte probleme me frymëmarrjen. Ata konfirmuan se jeta e foshnjës nuk ishte në rrezik, por se e kishin nisur pas dëshirës së prindërve të tij, për një trajtim më të specializuar. Në tentativë për të parakaluar me shpejtësi, mjeti është përplasur me dy autovetura, njëra “Benz” me targa LA 4707 A dhe tjetra “Opel” me targë LE 7714 A. Për pasojë mbeti e vdekur në vend foshnja S.T, i datëlindjes 13.02.2009, ndërsa u plagos rëndë gjyshja e fëmijës, 55-vjeçarja Teuta Topuzi. Sipas policisë, në këtë ngjarje u plagos edhe infermierja e spitalit të Dibrës, Fatmira Manreka. Gjithashtu u plagosën rëndë edhe një tjetër i sëmurë që po dërgohej nga Dibra për në Tiranë, si dhe dy të afërm të tij. Ata janë 60-vjeçari Abduhrraman Çeliku, 56-vjeçarja Lule Çeliku, si dhe Taulant Çeliku, 20 vjeç. Të plagosurit u dërguar në Spitalin Ushtarak, ndërsa fëmija në morgun e Laçit. Në spitalin e Laçit përfundoi edhe drejtuesi i “Benz”-it, Sokol Ndreka. Pas ndihmës së parë, ai u shoqërua bashkë me dy drejtuesit e mjeteve të tjera, Guri Lala, 45 vjeç, që drejtonte ambulancën dhe drejtuesi i “Opel”-it, 34-vjeçari Dritan Meklesvani, nga Shëngjini i Lezhës. Sipas policisë, bazuar edhe në këqyrjen e vendit të ngjarjes, dyshohet se ambulanca ka qenë duke udhëtuar me shpejtësi të madhe. Makina tip “Benz” me targa të Laçit, i ka prerë rrugën asaj duke tentuar të kalojë në krahun tjetër të autostradës, ndërsa përballë saj lëvizte “Opel”-i. “Fëmija kishte probleme me frymëmarrjen dhe vendosëm ta dërgojmë në Tiranë. Shqetësimit të prindërve ne iu përgjigjëm me lëvizjen e tij në drejtim të kryeqytetit”, thanë mjekët pediatër të Peshkopisë. Mësohet se Bledar e Elsa Topuzi, nga fshati Trepçe, e kishin fëmijën e parë foshnjën që vdiq dje. Ata nuk janë ndodhur në ambulancë në momentin e aksidentit.
Viktimat
I vdekur
S.T., 4 ditëshe
Të plagosurit
Abduhrraman Çeliku,
Lule Çeliku,
Taulant Çeliku,
Teuta Topuzi
Fatmira Manreka
Sokol Ndreka