Mësuesi kundërshton përdhunimin, gjykata e lë në burg pa afat
PESHKOPI - As mësuesi Gëzim Çela dhe as avokati i tij mbrojtës nuk e kanë bindur Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Dibër ta lërë të lirë atë nga akuza për përdhunim të nxënëses, njëkohësisht kushërirës së tij, S.F. Provat që policia dhe Prokuroria e Rrethit i kanë vënë në dispozicion trupit gjykues kanë qenë të forta dhe të argumentuara. Përveç dëshmisë, dhënë tre ditë më parë në prezencë të një psikologeje, mësohet se e mitura i është nënshtruar një vizite të hollësishme te mjekët gjinekologë, të cilët kanë argumentuar nëpërmjet një raporti të lëshuar se vajza e mitur është përdhunuar. Kjo ka qenë prova më e fortë, e cila ka bindur gjykatën të vendosë masën e sigurisë “burg pa afat” për shtetasin Gëzim Çela, 50 vjeç, lindur në Stëblevë të Librazhdit, banues në Tiranë dhe mësues prej disa vitesh në Klenjën e largët. Ngjarja e rëndë ndodhi më 27 janar të këtij viti, por kallëzimi ndaj mësuesit maniak u bë vetëm ditët e fundit, atëherë kur ai tentoi sërish të kryente marrëdhënie me dhunë më të miturën që e kishte nxënëse dhe kushërirë. Drejtuesit e pushtetit vendor, të Drejtorisë Arsimore, banorë të fshatit dhe kolegë të tij e kanë dënuar aktin e turpshëm dhe kanë kërkuar nga drejtësia ta ndëshkojë autorin për krimin që ka kryer. h.p