E Diel, 1 Nëntor 2026

Hanin e shpëton vetëm kontrata nga shkarkimi

 

Jetmir Halilaj

Nëse në vend të Ari Hanit do të kishte qenë një trajner shqiptar, tani do të kishte ikur me kohë e me vakt. Jo sepse shqiptarët janë më të pazotë se të huajt, por sepse këta të fundit dinë t’i kopsitin më mirë kontratat e tyre dhe kësaj pune ia shohin lezetin kur gjenden përballë situatave të vështira. Kundër Maltës, Ari Han dështoi dhe sipas të gjitha gjasave, kjo do t’i kushtojë gjithë edicionin Kombëtares sonë. E megjithatë, Federata Shqiptare e Futbollit, ose më saktë, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, nuk mund ta shkarkojë dot holandezin, pasi institucioni që ai drejton nuk ia mban xhepi që t’i paguajë rrogën një trajneri të shkarkuar dhe ndërkohë të punësojë dikë tjetër.
Kontrata
Ari Han ka kontratë deri në fund të këtij viti me Federatën Shqiptare të Futbollit. Nëse do të shkarkohej pas atij barazimi zhgënjyes ndaj Maltës, ai do të vazhdonte të paguhej rregullisht. Nga ana tjetër, FSHF-së do t’i duhej të gjente një tjetër trajner, që sipas të gjitha gjasave, do të ishte edhe ai i huaj. Minimalisht për të afruar një tjetër teknik të huaj, do të duhej një shumë prej 200 mijë eurosh dhe përveç kësaj, pakkush mund ta pranonte ofertën për gjysmë edicioni. Trajneri i ri do të kërkonte një kontratë edhe për edicionin e ardhshëm.
Gabimi
Në kontratën e holandezit me Federatën nuk ka asnjë klauzolë që të mund ta detyrojë trajnerin të largohet. Nuk ka asnjë pikë ku FSHF të kapet për t’i thënë trajnerit se nuk përmbushi X objektiv në Y ndeshjet e para, ndaj edhe është i detyruar të largohet. Në kushte të tilla, sido që të punojë holandezi dhe çfarëdo rezultatesh të marrë skuadra jonë deri në fund, trajneri do t’i marrë të gjitha paratë. Ndoshta drejtuesit e Federatës u gënjyen nga CV-ja e pasur e Ari Hanit, apo nga puna e mirë që bëri Bariç një edicion më parë. Ky i fundit, ka meritën e padiskutueshme që krijoi një skuadër me bosht, ndonëse kuqezinjtë e detyruan ta mbyllte karrierën e tij si trajner në mënyrën më të shëmtuar të mundshme.
Konfirmimi
Duka nuk e fshehu zhgënjimin pas humbjes me Maltën, por nuk e humbi ekuilibrin dhe zyrtarisht i dha besim trajnerit, ndonëse dukej qartë që ishte një veprim diplomatik, pasi edhe ai vetë nuk u ka besuar syve kur ka parë holandezin teksa bënte zëvendësime absurde ndaj maltezëve. Megjithatë, tani kreu i Federatës shpreson që ndaj Hungarisë, kuqezinjtë të mos dështojnë, në të kundërt, do të jetë i detyruar ta gjejë një mënyrë për ta larguar Hanin nga pankina kuqezi, cilado qofshin pasojat financiare.

Ja pse nuk shkarkohet

1) Nuk e shkarkojnë dot, sepse do të detyrohen t’i paguajnë rrogën deri në fund të edicionit.
2) Do t’u duhet të gjejnë një tjetër trajner (të huaj me shumë mundësi), i cili gjithashtu do të ketë një kosto financiare të konsiderueshme dhe do të kërkojë kontratë edhe për edicionin e ardhshëm.
3) Federatës nuk ia mban xhepi të paguajë dy trajnerë njëkohësisht
4) Edhe nëse vjen një trajner tjetër, zor se tani mund të ndryshojë ecurinë e skuadrës këtë edicion.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›