Kuizi, Arben Thaçi fiton 1.750 euro
Në mes madhështisë “së koduar” siç është dhe duhet të jetë një kuiz që transmetohet edhe në 108 vende të botës, “Milioneri shqiptar”, i dhjeti me radhë pati fatin të vijë në vigjiljen e 1-vjetorit të pavarësisë së Kosovës me motivin “Dëshmorët janë ata që na sollën lirinë”. Pas një përshëndetje për shtetin më të ri, por edhe gjithë shqiptarët, nisi tensioni i garës në ekranin e Tv “Alsat”. Katër konkurrentë nga Kosova dhe 4 nga Shqipëria, Arbëror Prekazi, Saimir Mezini, Adelina Bita, Ylli Mekaj, Arben Xhini, Arjola Lorenci, Arbën Thaçi e Nazmi Pllana u vunë përballë njëri-tjetrit. Dhe ishin dy që iu priu fati, Arben Thaçit dhe Arjola Lorencit, të cilët treguan se kishin një bagazh të madh dijesh. Dhe mësuam më tej për ngjyrat e flamurit të shtetit të Kosovës, për veprat “Iliada”, “Bagëti e Bujqësia”, “Krim e ndëshkim” e “Komedia Hyjnore”, për bishat mitologjike njeringrënës, për krijesat me helmim vdekjeprurës, për gjendjen psikologjike kur viktima tregon shenja besnikërie dhe dashurie ndaj pengmarrësit, për “Kopshtet e Varura”, për alkimistët, për Traktatin e Romës, për personalitete të politikës, artit, sportit, etj. si Ibrahim Rugovën, Princin Vilhelm Vidin, Van Gogun, Aziz Salihun, etj. Më së fundi Arben Thaçi fitoi 1. 750 euro ndërsa Arjola Lorenci 850 euro. Emocione, por edhe fitore që mund të ofrojë vetëm “Kush do të bëhet milioner”. Sipas producentit të këtij spektakli, Enis Ujkani, ky kuiz ka stilin e vet të veçantë dhe unik, sepse është formati më i suksesshëm në të gjithë botën për 10 vjet jetë të tij. Këtë fat ka edhe “Milioneri” në shqip. Ujkani thotë se fillimi nuk ishte i lehtë. “Para se të fillonim realizimin e Milionerit në shqip vërtet patëm disa dyshime, disa paragjykime se mos në trojet shqiptare nuk do të pritet ashtu si në gjithë botën. Kjo ndoshta edhe si shkas i disa intervistave që kemi bërë paraprakisht, ku mendonin se te shqiptaret funksionon më shumë fati, po kur ka të bëjë me dijen nuk kanë guxim të futen në garë, por e vërteta ndodhi fatmirësisht krejt ndryshe”. E ndërsa publiku pret që dikush të bëhet fitues i çmimit të madh, producenti Ujkani thotë se “Titulli Milioner ani pse nuk e ka vlerën materiale në miliona, e ka vlerën shumë të madhe, pasi ai kandidat që do përfitojë titullin milioner, do të gëzojë një respekt të veçantë në mbarë opinion shqiptar, sepse e dallon atë në dije nga miliona njerëz të tjerë”.