E Shtunë, 31 Tetor 2026

Firmos edhe Greqia, Shqipëria në NATO

 

MARKO CAKA

Holanda dhe Greqia ratifikojnë Protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, duke i hapur rrugën asaj zyrtarisht për të marrë ftesën në samitin e prillit të këtij viti. Shqipërisë i janë dashur vetëm 155 ditë nga ratifikimi i parë në Parlamentin hungarez, deri në votimin e mbrëmshëm në Parlamentin grek, për të mbyllur të gjitha procedurat e anëtarësimit me të drejta të plota në NATO. Vlen për t’u theksuar se votimi në parlamentin e shtetit fqinj është bërë në unanimitet, madje as partitë nacionaliste nuk e kanë kundërshtuar atë. Sipas procedurës për anëtarësimin me të drejta të plota në NATO, protokollet e aderimit të Shqipërisë dhe Kroacisë u ratifikuan nga parlamentet e 26 vendeve anëtare, kurse instrumentet e ratifikimit u depozituan pas çdo ratifikimi në Departamentin amerikan të Shtetit, që është depozitues i Traktatit të Atlantikut të Veriut.
Basha
Mbyllja e të gjitha procedurave u përshëndet dje nga ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha. Në një deklaratë për shtyp, kreu i diplomacisë shqiptare falenderoi vendet anëtare për përmbylljen e këtij procesi. “Ministria e Punëve të Jashtme falënderon të gjitha vendet anëtare të Aleancës për impenjimin e dëshmuar, në përmbushje të angazhimit politik, të marrë gjatë Samitit të Bukureshtit, për të ratifikuar Protokollet e Anëtarësimit përpara samitit të prillit 2009. Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson gjithashtu se, periudha e shkurtër - vetëm disamujore, gjatë së cilës u realizuan të gjitha ratifikimet, është një shprehje tjetër e mbështetjes së vazhdueshme dhe të pakursyer që vendet anëtare të NATO-s i kanë dhënë Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit euroatlantik”, thuhet në deklaratë. Sipas njoftimit, “përfundimi i këtij procesi historik është shprehje e vlerësimit të partnerëve tanë për reformat e gjithanshme të ndërmarra nga Qeveria shqiptare dhe transformimet e padiskutueshme që ka përjetuar Shqipëria këto vitet e fundit. Gjithashtu, ky hap shpreh besimin e vendeve anëtare të organizatës në aftësinë e Shqipërisë për të qenë një aleat i denjë dhe i besueshëm, me kapacitetet e nevojshme për të dhënë një kontribut të rëndësishëm në sistemin e sigurisë kolektive”. Në të njëjtën kohë, ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, siguroi vendet anëtare të NATO-s se Shqipëria është e gatshme për t’u përballur me përgjegjësitë dhe detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi në këtë Aleancë dhe është plotësisht e vendosur për të vijuar procesin e reformave në drejtim të konsolidimit të mëtejshëm të institucioneve dhe shtetit ligjor, me qëllim përmbushjen e standardeve të nevojshme që kërkon integrimi euroatlantik.
Topalli
Miratimi i Protokollit nga Holanda dhe Greqia u përshëndet dje edhe nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. “Pas ratifikimit nga Dhoma e Përfaqësuesve të Holandës sot edhe senatorët holandezë i thanë po aderimit të Shqipërisë në NATO. Në letrën e saj drejtuar znj. Yvonne E.M.A. Timmerman-Buck, Presidente e Senatit të Holandës, kryetarja e Kuvendit e falënderoi për impenjimin e saj personal, për përfshirjen në axhendën e Senatit dhe aprovimin e këtij Protokolli, brenda një kohe të shkurtër”, thuhet në një deklaratë të Kuvendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›