E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Dita pa makina” shton trafikun në kryeqytet



Në “Ditën ndërkombëtare pa makina” rrugët e qytetit u bllokuan përreth dy orë, ku u shkaktuan radhë të gjata makinash nëpër rrugët e lira. Iniciativa “Dita pa makinën time”, nën kujdesin e bashkëshortes së kryeministrit, Liri Berisha është një kujtesë botërore për dëmet e shkaktuara nga gazrat e çliruara nga lëndët djegëse, në shëndetin e individit dhe ngrohjen globale. Aktiviteti është përkrahur edhe nga Komiteti Olimpik Shqiptar si dhe Federata Shqiptare e Çiklizmit që kanë qenë të pranishëm në organizimin e tij. Në orët e paradites janë bllokuar rrugët kryesore të kryeqytetit përgjatë Sheshit “Nënë Tereza”, Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, Sheshit “Skëndërbej”, Bulevardit “Zogu i I-rë”, në kthim nga Stacioni i Trenit deri në Sheshin “Nënë Tereza”. Qytetarët dhe nxënësit e shkollave që u sensibilizuan me këtë nismë kanë përshkuar rrugët më këmbë apo me biçikleta, duke kujtuar se ecja më këmbë është në dobi të shëndetit dhe nuk ndot ajrin dhe mjediset që na rrethojnë. Numri i qytetarëve që kanë marshuar në bulevard dhe që kanë përkrahur këtë nismë qytetare ka qenë i pakët. Kjo ditë është përkujtuar në disa qytete të vendit, duke ndjekur traditën e festimeve që zhvillohen çdo vit në kryeqytet.

S’ka më të drejtë atësie për prindërit që detyrojnë fëmijët të lypin

Prindërit që do ti detyrojnë fëmijët e tyre të lypin në rrugë do të penalizohen nga shteti, duke i’u hequr e drejta e atësisë. Ministri i Punës Kosta Barka ka prezantuar dje strategjinë “Dokumenti i Politikave të Kujdestarisë”. Një nga pikat kyçe të kësaj strategjie është heqja e të drejtës së atësisë prindërve që i kthejnë fëmijët në lypës. Sipas kësaj strategjie, rreth 5 mijë fëmijë jetimë dhe në nevojë, në të gjithë vendin, parashikohet të vendosen nën kujdesin e familjeve të ndryshme, një shërbim i ri alternativ i nisur nga Ministria e Punës. Për zbatimin e strategjisë, do të ketë një fazë pilot të ndërmjetme 2-vjeçare (2008-2010), e cili do të nisë këtë vit në Tiranë dhe Shkodër, ku numri i fëmijëve jetimë dhe në nevojë është më i madh. Në këto zona, organizata “EveryChild” me dy qendra komunitare, ka krijuar eksperiencë paraprake. Në këtë fazë, parashikohet që të trajtohen mbi 80 fëmijë, ku kostoja mesatare paraprake vjetore për secilin prej tyre, llogaritet 110 mijë lekë në vit. Në bazë të strategjisë, parashikohet që fëmijët jetimë, apo në nevojë, të vendosen në një familje kujdestare, e cila mund t’u ofrojë atyre dashuri, kujdes dhe përkushtim prindëror të munguar. Grupet që do të përfshihen me prioritet në këtë strategji janë grupet e fëmijëve në situatë kritike ekonomike dhe shoqërore, që u mohohen apo nuk u respektohen të drejtat: fëmijët e familjeve më të varfra, të cilët jetojnë me ndihmë ekonomike, fëmijët që u mungon kujdesi prindëror, fëmijë me aftësi të kufizuara, fëmijët që detyrohen të punojnë, fëmijët e trafikuar dhe që kanë migruar, fëmijët e ngujuar për shkak të gjakmarrjes, fëmijët romë dhe egjiptianë, fëmijët e paregjistruar në lindje. Nga të dhënat e Shërbimit Social Shtetëror në vend janë të regjistruar të paktën 1198 fëmijë jashtë kujdesit prindëror.

23 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›