SHBA, Obama: “Nëse fitoj, do të ndihmoj Kosovën ekonomikisht”
Kandidati demokrat për Shtëpinë e Bardhë, Barak Obama ka premtuar ndihmë ekonomike për Republikën e Pavarur të Kosovës nëse do të zgjidhet president i SHBA-ve. Pas letrës së disa muajve më parë me anë të së cilës u drejtohej krerëve serbë t’i riktheheshin marrëdhënieve tradicionale me SHBA-të, këtë radhë Obama përqëndrohet te Kosova dhe zhvillimi i saj. Kandidati demokrat ka shprehur mbështjetjen e tij për pavarësinë e Kosovës dhe ka shprehur dëshirën që dëshirën ky vend të ecë përpara drejt sovranitetit të plotë. Zyra e informacionit e kandidatit demokrat për president të SHBA-ve, ka bërë të ditur qëndrimin e Obamës nëpërmjet një deklarate për shtyp. Në njoftim thuhet se nëse ai fiton zgjedhjet do të punojë për zhvillimin ekonomik të Kosovës.
“Si president i Amerikës, Obama do të punojë për zhvillimin e një ekonomie tregu të begatë në Kosovë, duke u përqëndruar në zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të punës”, thuhet në deklaratën e publikuar nga zyra e informacionit e kandidatit demokrat për president të SHBA-ve, Barak Obama. Deklarata e Obamës është komentuar nga shtypi kosovar. Sipas gazetës “Koha Ditore”, deklarata është përpjekja e parë publike e senatorit nga shteti i Illinoisit për të komunikuar drejtpërdrejt me komunitetin shqiptar në SHBA. Vendosja e theksit te çështja e Kosovës mund të ketë si synim qetësimin e shqiptaro-amerikanëve, të cilët kanë ndjekur me nervozizëm deklaratat që senatori ka bërë lidhur me Serbinë”,- thekson kjo e përditshme. Në deklaratat e tij si kandidat i demokratëve për Shtëpinë e Bardhë, Obama është shprehur edhe herë të tjera për vendet e rajonit tonë. Në fillim të muajit Korrik, Obama i dërgoi një letër Presidentit serb Boris Tadiç dhe Kryeministrit Mirko Cvetkoviç me rastin e formimit të qeverisë së re në Beograd. Në letrën e tij ai e ftoi Serbinë të punonin si aleatë të dikurshëm me SHBA-të. “Serbia dhe SHBA-të kanë shijuar tradicionalisht mes tyre marrëdhënie të ngrohta si partnerë dhe aleatë. Është koha për vendet tona që t’i rikthehen ndarjes së vlerave të përbashkëta dhe respektit reciprok e cila na ka shërbyer kaq mirë në të shkuarën. Administrata ime pret të shohë tek Beogradi një partner të aftë me të cilin së bashku të kultivojmë marrdhëniet tona”. Obama shprehu në letrën e tij të Korrikut se “si President do të punojë me të gjithë aktorët ndërkombëtarë dhe lokalë në Kosovë për të realizuar të gjithë gamën e mbrojtjeve për sërbët atje, duke përfshirë shtimin e kompetencave për bashkitë serbe, veprimtari dhe akses të lirë e të pashqetësuar për Kishën Ortodokse Serbe, dhe të drejtën e kthimit bashkë me rikthimin e pronës për të gjithë refugjatët dhe të shpërngulurit”. Ndërsa në 13 Shtator Barak Obama përshëndeti nëpërmjet një tjetër letre Serbinë për ratifikimin që i bënë në parlament MSA-së me BE-në.
Maqedoni, Gruevski: “Nuk kemi asgjë të re për Kosovën”
Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski ka deklaruar se qeveria e tij për momentin nuk ka asgjë të re që të deklarojë lidhur me njohjen e Kosovës. Nikolla Gruevski i bëri këto komente pas disa lajmeve ns media se qeveria maqedonase do t’a njohë Kosovën më 22 shtator. “Qeveria e ndjek këtë proces me kujdes dhe ne veprojmë në pajtim me interesat shtetërorë. Jemi në komunikim me partnerët tanë në NATO dhe BE. Po të kishte diçka të re, unë do ta shpallja. Tani për tani, nuk kemi asgjë të re”,- ka thënë Gruevski. Zëdhënësi i qeverisë, Ivica Bocevski tha se “Maqedonia me seriozitet dhe kujdes i ndjek zhvillimet e ngjarjeve në veri të vendit, dhe çdo vendim që do të marrë Maqedonia, do të bazohet në interesat kombëtare dhe shtetërore të popullit dhe shtetit maqedonas”.
Ban Ki Mun, raport të ri për Kosovën
Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara Ban Ki Mun, do të përgatisë një raport të ri për Kosovën i cili do të diskutohet nga Këshilli i Sigurimit rreth muajit tetor.
Agjencitë kosovare të lajmeve kanë bërë të ditur se raporti do të përfundojë para se Asambleja e Përgjithshme e OKB-së të deklarohet për nismën e Serbisë që pavarësia e Kosovës të diskutohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
UNMIK-u merr kontrollin mbi gjykatat në veri
Forcat e KFOR-it i kanë dorëzuarditën e djeshme UNMIK-ut kontrollin mbi gjykatat në veri të Mitrovicës. Lajmi u bë i ditur nga zëdhënësi i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Aleksandër Ivanko i cili për mediat serbe është shprehur se
në ndërtesën e gjykatave dhe përreth saj do të vendosen pjesëtarët e policisë së UNMIK-ut, mirëpo ka shtuar se aty, në një numër të kufizuar, do të mbeten edhe pjesëtarët e KFOR-it.
Ivanko ka bërë të ditur se Gjykata në veri të Mitrovicës do të fillojë punën më 3 tetor. Futja në funksion e gjykatave në veri të Kosovës pritet të ndodhë në disa faza. Ditë më parë zëdhënësi i UNMIK-ut, Sven Lindholm, ka bërë me dije se dy muaj pas vendosjes së gjykatësve ndërkombëtarë pritet t’u rikthehet normaliteti organeve të drejtësisë në Mitrovicë, kur edhe do të kthehen punëtorët shqiptarë në vendet e punës.
Sejdiu dhe Hyseni, fushatë për Kosovën në Nju Jork
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe ministri i jashtëm, Skënder Hyseni, kanë filluar dje në Nju Jork një axhendë të ngjeshur takimesh. Me këtë rast nuk janë bërë publike hollësitë, por zëdhënësja e ministrisë së jashtme në Prishtinë, Albana Beqiri, ka thënë se presidenti dhe ministri i jashtëm do të kenë të paktën 50 takime me presidentë, kryeministra dhe ministra të jashtëm të vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën. Kreu i shtetit dhe ai i diplomacisë së Kosovës shpresojnë se brenda dhjetë ditëve të ardhshme do të arrijnë që të sigurojnë njohje të reja të shtetit të Kosovës. Ndërkohë, dje ka mbërritur në Nju Jork edhe presidenti i Serbisë, Boris Tadiç. Presidenti serb Tadiç, në prag të nisjes për në Nju Jork, tha se do të ishte mirë që çështja e Kosovës të mos trajtohej si çështje politike por e drejtësisë ndërkombëtare. Tadiç pritet të flasë sot në Asamblenë e Përgjithshme. Fjalimi i tij pritet të përqëndrohet në nismën më të fundit të Serbisë që Gjykata Ndërkombëtare të japë vlerësimin e saj për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
23 Shtator 2008