E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harxhi: ”Mjekët janë gjithmonë të rrezikuar nga infeksionet”



Emanuela Sako

Bluzat e bardha që punojnë në Spitalin Infektiv të QSUT-së janë të ekspozuar ndaj marrjes së infeksioneve të ndryshme që kurohen në këtë qendër. Shefi i Qendrës Ambulatore të të sëmurëve me HIVAIDS, Arjan Harxhi, sqaroi për gazetën “Albania” se bluzat e bardha janë gjithmonë të rrezikuara dhe të ekspozuara ndaj prekjes nga sëmundjet infektive. Sipas tij, ky është një rrezik që ekziston gjithmonë, ndërsa pranon se ka pasur raste që punonjësit janë shpuar me age teksa kurojnë pacientin. Avokati i Popullit, Emir Dobjani, bëri publik rrezikun që u kanoset mjekëve dhe kushtet e këqija në spitale, me anë të një rekomandimi nisur Ministres së Shëndetësisë dhe Drejtorisë së QSUT-së. Në bazë të inspektimeve që janë kryer ka rezultuar se asnjë nga këta pacientë nuk është bërë mbartës i HIVAIDS-it apo ndonjë sëmundjeje tjetër infektive. Për të, punonjësit e shëndetësisë që kanë kontakt me pacientët janë gjithmonë të rrezikuar dhe rreziku është për shkak të mungesës së masave mbrojtëse dhe për pakujdesinë gjatë punës. Një moment pakujdesie nga ana e mjekut apo infermieres gjatë kurimit të një pacienti të prekur me HIV-AIDS mund të rezultojë fatal për një nga punonjësit e personelit mjekësor.
Kërkesa
Letra e Avokatit të Popullit tashmë ka rënë në dorë të drejtuesve të QSUT-së. Burime nga kjo drejtori bëjnë të ditur se aktualisht po merren në shqyrtim të gjitha rastet dhe kërkesat që janë në letër, por nga rezultatet paraprake rezulton se asnjë nga stafi mjekësor që punon në këtë spital nuk është prekur nga viruset nëpërmjet pacientëve. Ndërsa, thuhet se drejtoria do të marrë masa më të rrepta për sigurinë e personelit mjekësor që punon në këtë spital, duke marrë parasysh materialet e nevojshme që duhen për të pasur më tepër siguri. Aktualisht në Spitalin Infektiv kurohen të gjitha sëmundjet ngjitëse dhe pacientët me HIV-AIDS, si dhe ka një qendër ambulatore për të prekurit nga kjo sëmundje
Spitalet
Të gjithë spitalet në QSUT janë përballur gjatë gjithë vitit me mungesa të dukshme në medikamente dhe pajisje mjekësore. E njëjta problematikë ka ndjekur edhe Spitalin e Infektivit, i cili është më i rrezikuar për shkak të sëmundjeve që trajtohen në këtë qendër. Sëmundjet që trajtohen në Spitalin Infektiv janë të gjitha me karakter ngjitës nga njëri tek tjetri. Madje Spitali i Infektivit nuk është furnizuar as me solucionet larëse për pajisjet dhe pastrimin e dhomave apo korridoreve të spitalit. Kanë qenë sanitaret, të cilat para pak kohësh kanë shprehur shqetësimin e tyre për këtë situatë, pasi janë ndjerë të rrezikuara nga mjediset dhe mungesa e dezinfektimit të të gjithë spitalit.

Pediatri, mbi 150 fëmijë në ditë të prekur nga virozët e stinës

Mbi 150 fëmijë në ditë drejtohen për në Spitalin e Pediatrisë në QSUT, të prekur nga virozët e stinës apo sëmundje të tjera. Mjekët e pediatrisë shprehen se në këtë stinë ka gjithmonë fluks fëmijësh për shkak të shtimit të virozëve të stinës dhe ambienteve të mbyllura ku qëndrojnë. Me fillimin e shkollës apo kopshteve dhe çerdheve, shtohet dhe numri i fëmijëve të prekur. Kjo vjen për shkak se fëmijët qëndrojnë në ambiente të mbyllura ku është më e lehtë të merret virusi i gripit. Përhapja e shpejtë e tij sjell fluks të të prekurve në pediatri. Për më tepër situata në Pediatrinë e Tiranës është disi e rënduar, përsa i përket furnizimit me medikamente. Mungesa e medikamenteve ka bërë që fëmijët të mos marrin kurimin e nevojshëm në këtë qendër, por janë prindërit ata që drejtohen nëpër farmaci për të blerë dozat e rekomanduara nga mjekët. Ndërkohë, specialistët e shëndetësisë këshillojnë blerjen e menjëhershme të vaksinës antigrip. Sipas tyre, vaksina duhet të merret nga të gjithë qytetarët në këtë stinë sepse ftohja e motit ka qenë e menjëhershme dhe bëhet shkak për shtim të përhapjes së virusit të gripit. Ndërsa në farmacitë e kryeqytetit nuk është bërë shpërndarja e vaksinës antigrip. Deri në shpërndarjen e vaksinës nëpër farmaci, mjekët këshillojnë që të mbajnë nën kujdes fëmijët e tyre, duke i veshur mjaftueshëm ndaj të ftohtit dhe duke i rekomanduar ushqime të shëndetshme për përballimin e situatës gripale. Mjekët deklarojnë se përhapja e virusit të gripit është ende në hapat e parë, pasi nuk mund të flitet ende për një shtim të madh të fluksit të fëmijëve. Vitin e kaluar, numri i fëmijëve që drejtoheshin çdo ditë në pediatri gjatë stins së vjeshtës dhe dimrit e kalonte shifrën e 350 pacientëve të vegjël në ditë.

23 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›