E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza bankare, qeveria amerikane financon Bankën Qendrore



Departamenti i Thesarit i SHBA-ve deklaroi dje se do të japë fonde të reja për Rezervat Federale, (Banka Qendrore), për të qenë e sigurt se kjo e fundit do të ketë para kesh të mjaftueshme për të furnizuar tregjet me likuiditet. Rezervat Federale ranë në vështirësi pas marrjes së vendimit për të akorduar 85 miliardë dollarë për të mbuluar borxhet dhe për të shpëtuar nga falimenti grupin e sigurimeve AIG. Departamenti i Thesarit do të shesë tituj borxhi për të grumbulluar paratë që duhet t'ia japë FED-it. Rezervat Federale njoftuan të martën se do të blejnë 80 për qind të AIG në mënyrë që të shpëtonin nga falimenti një kompani që luan rol thelbësor në sistemin financiar botëror. Pavarësisht këtij hapi të jashtëzakonshëm, aksionet e AIG në bursë ranë sërish dje me 41 për qind. Lëvizja dramatike e qeverisë amerikane u krye në kuadër të përpjekjeve për të luftuar krizën botërore të kredive. Kredia që Rezervat Federale i dhanë AIG-ut është jashtëzakonisht e rëndë, ajo do të ketë interes libor plus 8.5 për qind, gjë që do ta nxisë kompaninë ta shlyejë sa më shpejt. Ndërhyrja e qeverisë erdhi kur aksionet e AIG ranë dramatikisht në fillim të javës, duke ulur interesin për investitorët e rinj privatë që qenë thirrur për të blerë këtë gjigant. Bursat amerikane janë të tronditura nga falimenti i Lehman Brothers si dhe nga blerja e Merrill Lynch nga ana e Bank of America. AIG nuk qe kompani tepër e madhe që të kërkonte ndërhyrjen e qeverisë për t'u shpëtuar. Sipas analistëve, ajo qe e ndërlidhur me të gjithë sistemin financiar botëror dhe se një falimentim i saj mund ta zhyste botën në kaos.

Ekonomia në vështirësi, bie dollari, ulet nafta

Kriza e thellë që ka përfshirë sektorët financiarë në SHBA, ka bërë që vlera e dollarit amerikan kundrejt euros dhe valutave të tjera të fuqishme të shënojë rënie. Vlera e euros gjatë ditës së djeshme ka shënuar rritje nga 1.41 në 1.45 dollarë, vlerën më të lartë në dy javët e fundit. Ndërkaq, jeni japonez gjatë javës që po lëmë pas ka arritur vlerën më të lartë kundrejt dollarit në tre muajt e fundit. Për një çast dollari kundrejt jenit ka rënë në 103.6, ndërkaq më herët vlera e dollarit është përmirësuar për të arritur në 107.44 jen. Gjithashtu nga kjo krizë rënia kohët e fundit kanë pësuar edhe mjaftë çmime lëndësh të para, si dhe ajo më kryesorja nafta. Edhe në tregun shqiptar të hidrokarbureve u ndje disi, edhe pse e vogël rënia e çmimit të naftës. Në pikat e tregtimit të karburantit në Tiranë, të hënën 1 litër naftë u shit mesatarisht me 147 lekë, ndërsa 1 litër benzinë me 150 lekë.

23 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›