E Shtunë, 31 Tetor 2026

Curri, i bindur: “Fiton Shqipëria”



Dash Frashëri

Ishulli maltez nuk është duke u “sjellë mirë” me Kombëtaren e Shqipërisë, erë dhe shi gjatë seancave të para, ndërsa meteorologët vendas parashikojnë që dhe ditën e ndeshjes, të mërkurën, më 11 shkurt, kur do të zhvillohet takimi Maltë-Shqipëri, të mos mungojnë shirat.
Kombëtarja paraditen e së hënës (ora 10:00) kreu stërvitjen e radhës, ku munguan vetëm Skela, Lika, Beqaj, Ujkani, të cilët mbërritën në orët e mesditës në Maltë.
E reja e seancës stërvitore ishte vendosja nga trajneri Ari Han e Debatik Currit në zonën e mesfushës shkatërruese, rol të cilin zakonisht e mbulon Lorik Cana. Zëvendëskapiteni i kuqezinjve nuk u thirr për shkak të dëmtimit në gju, ndwrsa Han preferoi mbrojtësin e majtë të Vorskla Poltavës për tw thyer ofensivën malteze.
“Trajneri Han më rreshtoi në mesfushë, në rolin e Lorikut”, - tha për “Albania”-n nga Malta, Debatik Curri. “Për të thënë të vërtetën, u ndjeva shumë mirë. Ndoshta mund të luaj aty edhe gjatë ndeshjes, por ende nuk është vendosur”, - shtoi kosovari, i cili, edhe në ndeshjen e parë të tij me fanellën e Shqipërisë, kishte luajtur po në këtë rol.
“Në fakt, për mua nuk është e re të luaj në këtë rol, pasi e kam bërë edhe në ndeshjen kundër Gjeorgjisë (0-0) në Tiranë, kur trajneri Hans Peter Brigel më thirri për herë të parë”, - theksoi Debatiku, i cili edhe në ndeshjen miqësore ndaj Lihtenshtejnit luajti për disa minuta në këtë rol.
Curri flet edhe për atmosferën që ekziston brenda skuadrës dhe mënyrën se si po e përjetojnë lojtarët pragndeshjen kundër Maltës.
“Thuajse në të gjitha bisedat që bëjmë midis nesh kemi folur për kujdes gjatë ndeshjes kundër Maltës, por nuk kemi pse ta fshehim se jemi optimistë, pavarësisht se është fusha dhe ndeshja ajo që do ta tregojë të vërtetën. Ajo që është më e rëndësishme është fakti që të gjithë besojnë te fitorja”, - shtoi Curri, i cili kulmin e tij me Kombëtaren e ka me golin historik kundër Holandës, i vetmi që ka shënuar Shqipëria në katër takime kundër “tulipanëve”.
Prania e medias malteze thuajse nuk ndihet fare në “rezidencën” e Kombëtares shqiptare në hotelin luksoz.
“Asnjë për be, të paktën ne nuk na ka pyetur njeri. As në stërvitjet tona nuk i kemi parë. Kjo varet, pasi dhe punonjës të thjeshtë që asistojnë në stërvitjet tona mund të jenë ‘spiunë’. Por, një gjë është e vwrtetw, në hotel nuk është se ka shumë lëvizje”, - tha Debatik Curri, një nga yjet e rinj të përfaqësueses.
Orët nga fillimi i ndeshjes janë në numërimin mbrapsht dhe emocionet janë shtuar edhe te Debatiku, por dhe te Dallku, shoku i dhomës së tij, por dhe shok skuadre te Vorskla.
“Të dy kemi bërë një fazë përgatitore shumë të mirë në Antalia. Zhvilluam atje katër ndeshje miqësore. Nuk mund të them për vete se jam në 100 për qind të kondicionit fizik, por i kam forcat për të dhënë 200 për qind në këtë ndeshje. Edhe Dallku, po ashtu. Dua të ritheksoj se asnjë rezultat përveç fitores nuk na shkon ndërmend. Duam të tregojmë futboll të mirë, por dhe të fitojmë. Malta nuk i ka marrë asnjë pikë kundërshtarëve të tjerë. Pse duhet ta lejojmë ne ta na marrë pikë?”.
Debatik Curri, edhe pse luan si mbrojtës i majtë, është golashënuesi më i mirë i Vorsklës në kampionatin e vështirë ukrainas. Por a ka ëndërr një gol kundër Maltës? “Pse jo, mund të ndodhë, tani jam mw afër zonës sulmuese. Dallku ia bëri një gol Maltës në ndeshjen e parë, pse të mos ia bëj edhe unë?”, - thotw ai.
Një fitore kundër Maltës e çon përkohësisht Shqipërinë në vendin e parë. Por sa reale i duket “ëndrra Botëror”, Debatikut. “Nuk e di. Së pari duhet të fitojmë me Maltën. Nëse i luajmë mirë të gjitha ndeshjet, edhe mund të shkojmë në Afrikën e Jugut. Në futboll gjithçka ndodh. Hungaria? Kemi hak për të marrë ndaj saj, por tani kemi Maltën. Deri në mars (28) ka kohë”, - përfundon Curri nga “ishulli i piratëve”.

10 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›