E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhet strategjia e PS-së për fushatën zgjedhore

Autori i Lajmit: Suela Topi
Partia Socialiste intensifikon strategjinë e saj për përgatitjen e fushatës parazgjedhore. Shtabi Qendror i Organizimit Elektoral ka caktuar qartë detyrat për organizatat socialiste dhe për anëtarët në bazë. 10 grupet e punës të ngritura nga Shtabi kanë marrë detyrat përkatëse për të koordinuar punën në bazë. Burimet nga selia rozë sqarojnë se tashmë është mbyllur faza e parë e strategjisë së PS-së, e cila ishte përqendruar kryesisht në ngritjen e sistemit të patronazhit si dhe identifikimin e mënyrës së votimit të zgjedhësve.
Strategjia
Faza e dytë e nisur që në fillim të janarit është përqendruar kryesisht tek kartat e identitetit. Problemet e hasura në këtë proces kanë zhvendosur vëmendjen e strukturave socialiste drejt kësaj çështjeje. Organizatat socialiste në bazë kanë marrë si detyrë kryesore ndërgjegjësimin e zgjedhësve për nevojën e pajisjes me karta identiteti. Vetëm pas vënies në vijë të kësaj çështjeje do të nisë procesi për pikat e tjera të strategjisë që pasohet nga identifikimi i mbështetjes në çdo zonë zgjedhore apo rajon. Turi i vullnetarëve po jep një mbështetje të madhe në këtë drejtim duke bërë të mundur identifikimin e të gjitha atyre zonave ku ka shumë mbështetje dhe zonave të tjera ku duhet punuar më fort në këtë drejtim. Burimet nga selia rozë sqarojnë se hapi tjetër është puna me të lëkundurit. Identifikimi i qartë i të gjithë personave që ende nuk kanë vendosur se për kë do të votojnë është një çështje për të cilën janë vendosur angazhime të veçanta. Organizatat socialiste kanë detyrë jo vetëm identifikimin e tyre, por dhe bindjen që vota e tyre të shkojë për selinë rozë. Ndërkohë që përgatitjet për fushatën parazgjedhore do të intesifikohen me daljen e listave paraprake, të cilat priten në fillim të marsit. Më pas të tjera pika të përcaktuara nga Shtabi Qendror i Organizimit Elektoral është pjesëmarrja aktive në fushatën elektorale, nxjerrja e votuesve të PS-së nga shtëpia ditën e zgjedhjeve dhe mbrojtja e votës.
Grupet e punës
Grupi i punës për kontaktet me strukturat vendore të PS-së, i cili kishte dhe detyrën kryesore në fazën e parë që përfundoi në dhjetor, po përfundon ngritjen e shtabeve të organizimit elektoral në nivelet e qarqeve, rretheve, bashkive dhe komunave. Pas shpërndarjes së udhëzimeve me detyrat përkatëse pritet mbledhja e informacioneve për t i përcjellë më pas ato në Shtabin Elektoral të Partisë Socialiste. Një vëmendje e veçantë po u kushtohet edhe Bordeve të Qytetarëve të PS-së në kuadër të përgatitjeve elektorale. Kështu, grupit të punës që merret me këtë çështje, i është kërkuar ngritja e bordeve të dialogut qytetar në të gjitha qarqet dhe bashkitë e vendit. Ndërkohë që grupi i tretë i punës është ai i vullnetarëve. Rrjeti i Vullnetarëve i Partisë Socialiste, i drejtuar nga Saimir Tahiri, me ndihmën edhe të Ermira Danajt, Ajola Xoxes dhe Edvin Lames, ka nisur fushatën e takimeve në shumë qytete të vendit. Sot pritet takimi në Durrës. Burimet në PS pohojnë për gazetën se kjo strukturë po jep një ndihmesë të madhe në njohjen më nga afër të mbështetjes në çdo zonë duke evidentuar dhe rajonet problematike ku duhet të punohet më shumë. Një grup i veçantë pune është ngritur dhe për punën me veteranët dhe ish-ushtarakët. Takimet me këto kategori dhe kontaktet e drejtpërdrejta janë mënyra që PS po përdor për të fituar votën e tyre. Gjithashtu, pranë shtabit elektoral të Partisë Socialiste është ngritur edhe grupi i punës për marrëdhëniet me emigrantët, i cili duhet të evidentojë emigrantët votues sipas zonave të votimit në Shqipëri dhe vendet e tyre të emigrimit. Ndërkohë që funksionojnë dhe grupet e punës për Komunikimin Mediatik, për Organizimin e Personave me Eksperiencë Drejtimi, për Trajtimin Ligjor dhe Administrativ të Zgjedhjeve, për Krijimin e Bazës së të Dhënave të Keqqeverisjes si dhe
Libri i Kontakteve të Partisë.

Grupet e punës
Grupi i Kontakteve me Strukturat Vendore të PSSH-së
Grupi për Bordet e Dialogut Qytetar dhe Marrëdhëniet me Shoqërinë Civile dhe Grupet e Interesit
Grupi për Organizimin e Vullnetarëve
Grupi për Komunikimin Mediatik
Grupi për Organizimin e Personave me Eksperiencë Drejtimi
(ish-drejtuesve)
Grupi për Marrëdhëniet me Organizatat e Veteranëve dhe Shoqatën e ish-Ushtarakëve
Grupi i Kontakteve dhe Marrëdhënieve me Emigrantët
Grupi për Trajtimin Ligjor dhe Administrativ të Zgjedhjeve
Grupi për Krijimin e Bazës së të Dhënave të Keqqeverisjes
Grupi i Librit të Kontakteve të Partisë

Ky lajm është publikuar: 26/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›