Pakti me Greqinë, gati vendimi
Aristir Lumezi
Gjykata Kushtetuese nis sot shqyrtimin e kërkesës së partive opozitare për kufirin me Greqinë. Pasi ka marrë kërkesën në administrim, kolegji e Gjykatës Kushtetuese, i cili përbëhet nga tre gjyqtarë, do të shqyrtojë kërkesën, nëse ajo është legjitime dhe në përputhje me nenin 134 gërma ‘f’ të Kushtetutës. Xhezair Zaganjori është relatori i kërkesës së partive opozitare, një nga specialistët më të mirë të së drejtës ndërkombëtare, ndërsa dy anëtarët e tjerë të kolegjit të Gjykatës janë Fehmi Abdiu dhe Sokol Berberi. Ata do të gjykojnë nëse kërkesa e partive opozitare ka lidhje direkte me interesat e tyre, të shprehura në statutin e tyre. Ata do të kërkojnë në statutet e partive politike që i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese, nëse është shprehur interesi i tyre për mbrojtjen territoriale të kufijve të Republikës së Shqipërisë. “Partitë politike mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese vetëm për çështje që kanë të bëjnë me interesat e tyre si parti”, kështu është përcaktuar në nenin 134 pika 1/f të Kushtetutës së Shqipërisë. Pas shqyrtimit që nis sot, kolegji pritet të japë vendimin e tij deri në fund të kësaj jave. Nëse vendimi i kolegjit do të jetë negativ, pra nuk do të legjitimojë, kërkesa e tyre bie automatikisht poshtë dhe bëhet publike nga Gjykata Kushtetuese. Nëse kolegji e vlerëson legjitim kërkesën e partive politike, atëherë çështja i kalon mbledhjes së nëntë anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa automatikisht Kuvendi ngrin të gjitha procedurat për ratifikimin e marrëveshjes së kufirit detar mes Greqisë dhe Shqipërisë. E pyetur për afatet kohore që duhet të respektojë Gjykata kushtetuese për kërkesa të tilla, Drejtoresha e Marrëdhënieve me Publikun në këtë gjykatë, Edlira Abazi, tha dje se “ndryshe nga kërkesat e tjera, ku Kushtetuta dhe Ligji i Gjykatës Kushtetuese nuk vendos hapësira kohore për dhënien e vendimit, Ligji organik i saj, vendos afate kohore të përcaktuara për shqyrtimin e marrëveshjeve të tilla. Kështu, sipas nenit 52/3 të ligjit të Gjykatës Kushtetuese, vendimet për çështje të tilla jepen 1 muaj pas paraqitjes së kërkesës. Por ndonëse koha e shqyrtimit të çështjeve të tilla është e shkurtër, edhe këto kërkesa ndjekin rrugën e përhershme ligjore të shqyrtimit të tyre. Abazi, sqaron për “Panorama” se kërkesat në GJK kalojnë në dy faza, në atë të shqyrtimit në kolegj dhe në seancë. Gjatë shqyrtimit në kolegj shqyrtohet juridiksioni dhe legjitimiteti i kërkuesit. E përkthyer kjo për publikun, Kolegji shqyrton nëse kërkesa ka bazë ligjore ku mbështetet (kërkesa e 6 partive është mbështetur në nenin 134/f të Kushtetutës) dhe kërkuesit janë nga ato subjekte që lejon Kushtetuta për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese. Kërkesa e partive është mbështetur në nenin 131, gërma ‘b’”, u shpreh Abazi. Gjashtë parti opozitare, të majta dhe të djathta, kanë depozituar në Gjykatë Kushtetuese kërkesën për shqyrtimin e pajtueshmërisë me Kushtetutën e Shqipërisë të Marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë. Në kërkesën e tyre ata argumentojnë se ka mungesë të plotë transparence që ka shoqëruar përgatitjen, negocimin dhe firmosjen e kësaj marrëveshje nga Këshilli i Ministrave. “Moskonsiderimi i fakteve historike, lidhur me kufirin shqiptaro-grek, si Konferenca e Ambasadorëve të Londrës, të 10 gushtit 1913, Protokolli i Firences të dhjetorit 1913 etj. Mungesa e hartës shoqëruese që përcakton qartë dhe dukshëm vijat e përcaktimit të kufirit dhe të ndarjes së hapësirës detare (delimitimit) ndërmjet palëve nënshkruese”, thuhet në kërkesën e drejtuar gjykatës. Gjithashtu, sipas saj, mungesa e ushtrimit të kujdesit të domosdoshëm nga ana e autoriteteve shqiptare në përcaktimin e koordinatave të delimitimit të hapësirës detare, duke mos shfrytëzuar siç duhet parashikimet në Konventën e Kombeve të Bashkuara mbi Të Drejtën e Detit.