Tahiri i PS dorëzoi kërkesën në Kushtetuese
Ankimimi i marrëveshjes u dorëzua nga deputeti i PS-së, Saimir Tahiri. Në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese, gjashtë partitë opozitare kërkojnë “shqyrtimin e pajtueshmërisë me Kushtetutën e Shqipërisë të Marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë “Për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”. “Me anë të këtij ankimimi, partitë formalizojnë vullnetin e tyre për t’i kërkuar shqyrtimin e pajtueshmërisë së kësaj kërkese me Gjykatën Kushtetuese”, deklaroi socialisti Tahiri në një prononcim për shtyp, menjëherë sapo depozitoi ankimimin në Gjykatë. Tahiri theksoi se marrëveshjes i ka munguar transparenca si dhe është kontestuar gjerësisht, çka përbëjnë dhe dyshimet e arsyeshme për të kërkuar nga kjo gjykatë shqyrtimin e papajtueshmërisë së saj. “Është një marrëveshje që i ka munguar transparenca në fazën e negocimit dhe të nënshkrimit”, tha Tahiri.