Meta: Marrëdhëniet me Serbinë, prioritet i politikës rajonale
Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, paraqiti dje prioritetet e diplomacisë shqiptare, duke u fokusuar në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me vendet e rajonit. Një theks të veçantë zv.kryeministri i kushtoi marrëdhënieve me Serbinë. Sipas tij, “Zhvillimi i marrëdhënieve bilaterale me Serbinë është një prioritet shumë i rëndësishëm i politikës sonë rajonale. Këto marrëdhënie duhen parë dhe inkurajuar vetëm në frymën e perspektivës për të ardhmen. Ne do të punojmë në mënyrë intensive dhe konstruktive me Qeverinë e Serbisë, për të avancuar dhe thelluar dialogun politik dhe bashkëpunimin për çështje me interes reciprok dhe rajonal”. Meta theksoi se Tirana zyrtare mbështet njohjen e mëtejshme të Republikës së Kosovës dhe përshëndeti anëtarësimin e saj në FMN dhe Bankën Botërore. “Po kaq i rëndësishëm është për Shqipërinë procesi i liberalizimit të vizave, jo vetëm si një mundësi për lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë, por edhe si çlirim psikologjik për qytetarët e të gjithë rajonit. Unë shpreh bindjen time se brenda vitit të ardhshëm do të merret vendimi pozitiv për kapërcimin përfundimtar të kësaj barriere, çka do të çlironte energji pozitive dhe krijonte një perspektivë realisht të prekshme për cilindo prej vendeve tona”, vijoi më tej Meta. Kreu i diplomacisë shqiptare mbështeti idenë e kryeministrit të Greqisë, Papandreu, për zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor brenda vitit 2014, në 100-vjetorin e fillimit të Luftës së Parë Botërore. “Shqipëria e meriton këtë bashkim pas anëtarësimit të saj në Aleancën Veri-Atlantike, në sfidat e së cilës ne jemi përfshirë dhe kemi kontribuar pa asnjë hezitim. Shqipëria është një vlerë e shtuar e NATO-s dhe kontribuuese reale me mundësitë dhe kapacitetet e saj, në të gjitha çështjet e nxehta të politikës rajonale dhe globale, duke u mbështetur në eksperiencën dhe traditën pozitive të krijuar ndër vite, si një faktor i paqes dhe stabilitetit rajonal”, tha më tej Meta.