DASH: Kosova i respekton liritë fetare
Në këtë raport, për Kosovën thuhet se Qeveria, në përgjithësi, në praktikë i ka respektuar liritë fetare. Sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice, tha se raporti vjetor i Departamentit të Shtetit për liritë fetare në mbarë botën, reflekton vlerën të cilën Amerika e ka si njërën nga liritë themelore.
Në raportin vjetor shtetet janë radhitur në pesë kategori, duke filluar prej shteteve ku regjimet totalitare dhe autoritare synojnë ta kontrollojnë besimin fetar dhe shprehjen, e deri te qeveritë që në masë të madhe i respektojnë liritë fetare, por bëjnë diskriminime kundër religjioneve të caktuara, duke i identifikuar ato si "kulte" ose "sekte" të rrezikshme.
Lidhur me Kosovën, në fillim të këtij raporti, thuhet se Kushtetuta, që ka hyrë në fuqi më 15 qershor të këtij viti, siguron liri të fesë dhe ligjet e tjera dhe politikat kontribuuan, në përgjithësi, për mbajtjen e lirë të fesë.
Më tutje, Departamentit Amerikan të Shtetit për respektimin e lirisë fetare, dhuna shoqërore ka rënë pak, por tensionet ndërmjet komuniteteve mbeten të larta, veçanërisht pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt të këtij viti, thuhet në raport.
Qeveria amerikane ka intervenuar në disa raste specifike për t’u siguruar se dëmet në vendet fetare që i përkasin Kishës Ortodokse Serbe dhe vendet e tjera të trashëguara, ishin riparuar dhe mbrojtur, thuhet pos tjerash, në pjesën e raportit për Kosovën.