E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-pronarët, 5 zonat në bregdet ku do kompensohen

 

ADI SHKEMBI

Qeveria identifikon tokë publike në zonat turistike që do të përdoren për kompensimin fizik për ish-pronarët. Në pesë qytete të vendit në bregdetin e Adriatikut janë inventarizuar tokat publike, të cilat do të kalojnë përmes një procedure që do të hartohet nga Ministria e Drejtësisë tek ish-pronarët. Burime nga Këshilli i Ministrave bëjnë të ditur për gazetën “Panorama”, se deri tani janë pesë qytete ku ka tokë shtetërore dhe që do të përdoret pikërisht për këtë qëllim. Kështu, zona në Kavajë, Durrës, Kurbin, Lezhë dhe Shkodër janë identifikuar si tokë publike dhe do të kalojnë në favor të ish-pronarëve që kanë kërkuar kompensimin fizik. Duke folur në mbledhjen e djeshme të qeverisë, Kryeministri Berisha tha se kthimi i këtyre pronave tek ish-pronarët ndihmon në uljen e faturës së përgjithshme në këtë drejtim, pasi sipas tij vetëm me kompensimin financiar një gjë e tillë është e pamundur. “Procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave është një proces themelor, me një faturë që vjen në rritje progresive, sepse çdo vit çmimi i trojeve rritet. Ai ka arritur në 2 mijë euro në qendër të Tiranës dhe ju siguroj se në vitet në vazhdim do të arrijë në 5 mijë e më shumë euro. Ndaj është jashtëzakonisht e rëndësishme për vendin, në përputhje me detyrimin madhor që shteti ka ndaj ish-pronarëve, që ato të rikthehen ku është e mundur, të kompensohen”, theksoi kreu i qeverisë. Sipas tij, kompensimi fizik do të bëhet duke pasur parasysh hartën e çmimeve të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, ndërkohë që Ministria e Drejtësisë do të përcaktojë edhe procesin me të cilin do të bëhet i mundur kalimi i trojeve publike tek ish-pronarët. “Opinionet në këtë moment mund të jenë të ndryshme, por unë gjykoj se ky është një detyrim absolut i yni dhe pa këtë sipërmarrje, pa vënien në dispozicion të disa mijëra hektarëve tokë në troje turistike për ish-pronarët, ky proces nuk do të mund të marrë zgjidhje. Vetëm qendra e Tiranës, me çmimin e saj aktual dhe që pothuajse kudo ka pronarët e vet, përbën një bazë monetare aktualisht të papërballueshme, ndaj duhet të përdorim të gjitha mundësitë dhe mundësia e parë më e madhe është t’u ofrojë pronarëve troje turistike”, vijoi më tej kreu i qeverisë. Megjithatë, sipas kreut të Ekzekutivit, trojet në bregdet që do t’u jepen ish-pronarëve do të jenë pjesë e platformës së përgjithshme të turizmit. Berisha tha se megjithëse do të jenë troje private, ato nuk do të përjashtohen nga kriteret e përcaktuara për këto zona. Në fund Kryeministri u shpreh i hapur për konsultime me përfaqësuesit e ish-pronarëve për të lehtësuar ecurinë e procesit. “Ne na interesojnë mendimet e atyre që janë të gatshëm të kontribuojnë për zgjidhjen e këtij procesi shumë të vështirë, të ndërlikuar e të rëndë dhe konsultimet me grupe interesi jo të politizuara, pasi ka prej tyre që bëjnë politikë më shumë sesa flasin për pronën”, vijoi Berisha. Një javë më parë me vendim qeverie u miratua përballimi nga ana e Këshillit të Ministrave të interesave të kredisë për 3 mijë familje që kanë zënë banesat e ish-pronarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›