E Diel, 1 Nëntor 2026

DASH: Trafiku i drogës, shkak korrupsioni në polici

02/03/2010 Kriminaliteti po pengon progresin e vendit, duhet më shumë angazhim

Problem trafiku i njerëzve dhe imuniteti i zyrtarëve të lartë

TIRANE - Me gjithë përpjekjet e shumta që janë bërë, Qeveria shqiptare nuk përmbush standardet minimale për eliminimin e trafikut të drogës e qenieve njerëzore. Ky konkluzion ka ardhur nga raporti i publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili i bën një rezyme të plotë situatës kriminalistike në vend. Në raportin ku studiohet situata e trafikimit në 175 shtete, për Shqipërinë thuhet se viktimat shqiptare trafikohen kryesisht në vendet e rajonit, por edhe në Evropë. Shqipëria mbetet vendburim për trafikimin e grave dhe fëmijëve për qëllime të shfrytëzimit seksual, por edhe për punë të detyruar. E njëjta gjë vazhdon të mbetet edhe për sa i përket trafikut të lëndëve narkotike, ku në këtë drejtim Shqipëria është cilësuar si një vend transit, ku heroina apo kokaina që vjen nga vendet aziatike kalon nëpërmjet saj, në drejtim të shteteve perëndimore si Italia e më tej. Raporti thekson se e gjithë kjo situatë rrjedh për arsye se shumica e drejtuesve të policisë shqiptare janë të korruptuar dhe për pasojë, trafikantët e kanë më të lehtë të realizojnë qëllimet e tyre. Në raport nuk jepet një përqindje se sa është numri i policëve të korruptuar, por sqarohet se ky fenomen po rrezikon integrimin e vendit. Grupet shqiptare bashkëpunojnë ngushtë me ato ndërkombëtare, me qëllim trafikimin e drogës dhe prostitutave në Evropë, gjë e cila u sjell atyre shuma të konsiderueshme financiare. Dy rrugët kryesore të këtij trafiku janë ajo e detit Adriatik, ku trafikantët shfrytëzojnë portin e Durrësit, ndërsa tjetra është ajo nga Mali i Zi, Bosnjë, Kroaci, Slloveni dhe më pas në Itali. Pjesës më të madhe të personave të trafikuar u është premtuar një jetë më e mirë, por realisht janë shfrytëzuar në rrugë nga tutorët. Në raport tregohet se shqiptarët janë zhytur thellë në botën e krimit, e cila përgjatë këtyre viteve ka penguar progresin e vendit. Një tjetër pikë e nxehtë e raportit të vitit 2010 është imuniteti i zyrtarëve dhe korrupsioni që ata kryejnë. Ky detaj përshkruhet me fjalitë se drejtësia shqiptare po qëndron peng i imunitetit, çka tregon hapa prapa drejt Bashkimit Evropian. Pagat e ulëta, një shoqëri që e pranon gjerësisht ryshfetin, lidhjet e ngushta shoqërore, e bëjnë të vështirë luftën kundër korrupsionit në radhët e policëve, gjykatësve dhe zyrtarëve të doganave. Megjithëse rastet e zyrtarëve të akuzuar për korrupsion janë shtuar, Shqipëria vazhdon të vuajë për shkak të mungesës së pavarësisë së gjyqësorit, nga mungesa e transparencës së procedurave ligjore dhe shumë raste nuk zgjidhen kurrë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›