E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimet, kontrolle të befasishme në lokale e disko

02/03/2010 Vrasjet dhe ngjarjet e rënda detyrojnë policinë të monitorojë të rinjtë

DURRES- Ngjarjet e rënda të ndodhura gjatë këtyre dy muajve të vitit në lokale, bare e disko ka shtyrë policisë e Durrësit të programojë kontrolle të befasishme për të kapur në flagrancë personat që prishin rendin e qetësinë. Lokalet që shtrihen në gjatësinë e vijës bregdetare nga Bërryli në Currila dhe nga Ura Dajlanit deri në kufi me Kavajën do të bëhet objekt i ushtrimit të kontrollit.

Nisma

Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur ditën e diel në një nga lokalet buzë deti teksa një i ri është vrarë dhe një tjetër është plagosur ka shtyrë krerët e policisë së Durrësit të ulen në tryezë për të rritur forcën e ndëshkimit të rasteve kriminale. Ndonëse forca e zbulimit është në përqindje të lartë, ndër më të lartat në vitet e fundit, kjo ka lënë të pakënaqur komisarët, kryekomisarët dhe drejtuesin e policisë së qarkut. Burime të mirinformuara thonë se drejtues Aleks Hajdari ka firmosur një plan të detajuar për kontrolle operative në lokale, bufe, disko, bilardo, lojëra fati, kazino dhe bare të ndryshme. Ngjarjet e rënda në muajin janar dhe në muajin shkurt, një pjesë e të cilave të ndodhur në lokale kanë detyruar kreun e policisë së qarkut të Durrësit të marrë masa shtrënguese. Burime të sigurta thonë se janë krijuar disa grupe me agjentë dhe uniforma blu, të cilët do të kontrollojnë befasisht në lokale të dyshuar për armëmbajtje, ndërsa grupi do të mbajë lidhje me një nga drejtuesit e sektorëve të policisë së qarkut. Pavarësisht garantimit të sigurisë dhe qetësisë publike në qytet dhe në lokale, policia është ndeshur me rritjen e shqetësimit qytetar për sigurinë në lokale, kryesisht në disko, bare, bilardo, lojëra fati, të cilat frekuentohen thuajse gjatë gjithë natës.

Të rinj të armatosur

Nisur nga informacionet në rrugë operative policia ka të dhëna se minorenë, adoleshentë dhe të rinj mbajnë në mënyrë të kundërligjshme thika, mjete të forta, kaçavida dhe deri armë zjarri. Sherret kryesisht nisin për motive të dobëta në aktivitete si datëlindje, festime kolektive, ceremoni fejese, ditë feste apo ekskursione kolektive. Më shumë se 2200 telefonata ka pritur salla operative nga qytetarë anonim, të cilët kanë bashkëpunuar me policinë për të parandaluar krimet apo për të denoncuar krimin dhe aktivitete të tjera të paligjshme. Vetëm në muajin janar të këtij viti janë drejtuar drejt sallës operative 1224 thirrje qytetare, tregues i rritjes së besimit tek policia, por edhe i rasteve të kundërligjshme. Vetëm në janar janë bërë 6 vrasje e tentativë vrasje, 8 plagosje me armë zjarri, 5 kanosje dhe në 14 raste policia ka mundur të kapë në flagrancë persona të armatosur. Vrasja në sektorin “Rinia” e shtetasit Preng Lazri, krimi në bilardo në Fushë-Krujë teksa u vra Artan Elezi, vdekja e shtetasit Sali Lalës dhe gjetja në kanal e tij janë vetëm një pjesë e krimeve të ndodhura në muajin janar. Ky muaj është mbyllur me vrasjen në lokal të 3 personave, shtetasve Luan e Ani Curri dhe ing. Edmond Shemsi. Vrasja më tronditëse në Durrës në muajin shkurt ka qenë ajo e ndodhur ditën e diel në një bar teksa ka mbetur i vrarë Klejdi Myzyri 17 vjeç dhe u plagos rëndë bashkëmoshatari i tij. Jo më pak problem ka qenë plagosja në disko në Plazh e vëlla e motër apo goditja me armë zjarri e azerbajxhanasit dhjetë ditë më parë në një lokal në Plazh. Policia ka dyshime të forta se të rinjtë në festime të organizuara konsumojnë pije alkoolike dhe drogë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›