E Hënë, 2 Nëntor 2026

DEA: Kriminaliteti shqiptar nuk është shqetësues

12/05/2005  Ministri i Rendit Publik, Toska, zhvillon takime në SHBA. Vlerësohet puna e Policisë Shqiptare

TIRANË- Ministri i Rendit Publik, Igli Toska, do të rishikojë asetet ekonomike të trafikantëve shqiptarë të drogës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tashmë, prej disa ditësh ai ndodhet në këto shtete, ku është vendosur që Policia Shqiptare dhe strukturat e DEA-s (Agjencia Amerikane e luftës kundër drogës) do të shtojnë kontaktet dhe do të koordinojnë veprimet për identifikimin dhe goditjen e trafikantëve të drogës në asetet e tyre ekonomike. Gjithçka është diskutuar në takimet që ministri i Rendit Publik, Igli Toska, ka zhvilluar në Uashington dhe Nju-Jork, me drejtuesit më të

lartë të DEA-s. Zyrtarët amerikanë, sipas zëdhënësit të Ministrisë së Rendit Publik, Florion Serjani, kanë vlerësuar pozitivisht punën dhe rezultatet e arritura nga Policia Shqiptare, veçanërisht gjatë vitit të fundit në luftën kundër trafikut të drogave të forta. Në fjalën e tyre, zotërinjtë Richard Fianno, drejtori për Evropën e Afrikën, dhe Thomas M.Harrigan, shef i Drejtorisë Operacionale, kanë theksuar se bashkëpunimi i deritanishëm ka qenë në nivele shumë të mira, duke iu referuar edhe organizimit dhe finalizimit të disa operacioneve të përbashkëta, në të cilat është përdorur me mjaft sukses edhe metoda e shitjes së stimuluar të drogës.

Bashkëpunimi DEA-Policia Shqiptare

Sipas drejtuesit të Divizionit të DEA-s për Bregun Lindor, J.GilBride, kriminaliteti shqiptar në SHBA nuk është shqetësues. Ai nënvizoi se mbetet i nevojshëm thellimi i bashkëpunimit edhe për të frenuar dhe goditur linjat ndërkombëtare të trafikut të drogës, që synojnë të kalojnë tranzit përmes Shqipërisë. Më synim zbulimin e prejardhjes së këtyre drogave dhe identifikimin e itinerareve të lëvizjes së tyre, pak kohë më pare, specialistët e DEA-s që punojnë në Shqipëri, kanë sjellë në laboratoret e tyre në SHBA, kampione të drogave të kapura nga Policia Shqiptare dhe po vazhdojnë shkëmbimin e informacioneve me këtë të fundit. Falë bashkëpunimit me Policinë e Shtetit dhe prezencës së ekspertëve të tyre në Shqipëri, zyrtarët amerikanë theksuan se e njohin mjaft mirë situatën në vend dhe punën që po bën Policia Shqiptare. Për të ndihmuar Policinë Shqiptare, drejtuesit e DEA-s do të dërgojnë së shpejti disa analistë dhe ekspertë në vendin tonë. Nga ana e tij, ministri i Rendit Publik, Igli Toska, ka falenderuar drejtuesit e DEA-s për ndihmën e dhënë deri tani, veçanërisht në trajnimin dhe kualifikimin e specialistëve shqiptarë, në asistencën teknike e logjistike si dhe në shkëmbimin e informacionit, ç’ka sipas tij është baza mbi të cilën ngrihet e gjithë puna në luftën kundër drogës. Ministri Toska ka theksuar se mbyllja e trafikut të qenieve njerëzore, që zhvillohej nëpërmjet mjeteve lundruese clandestine, ka sjellë për pasojë spostimin e një pjese të madhe të personave që merreshin me këtë aktivitet kriminal, drejt trafikut të lëndëve narkotike. Policia Shqiptare, sipas ministrit Toska, ka identifikuar, madje, edhe goditur tashmë një pjesë të tyre. Ministri i Rendit Publik u ka rikonfirmuar edhe një herë zyrtarëve amerikanë vullnetin e palëkundur të Qeverisë Shqiptare, për të goditur pa asnjë kompromis çdo person apo grup personash që merren me trafikun e drogës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›