Zhvarroset gruaja e Agim Pepës
12/05/2005 TIRANË-Prokuroria zhvarros pas gjashte vitesh trupin e bashkëshortes së Agim Pepës, i cili është dënuar me burg të përjetshëm për vrasjen e ish-shefit të Komisariatit të Policisë së Krujës, Gani Malushi dhe shoferit të tij, Gjovalin Ndreu. Nxjerrja nga varri e kufomës së 25-vjeçares Lumturi Pepa, për të cilin pohohet se është vetëvrarë me një plumb të vetëm pistolete të tipit TT në vitin 1999, është bërë me urdhër të Kryeprokurorit Theodhori Sollaku. Vetëm dhjetë ditë më pare, babai i viktimës, Pal Ndreu nga Perlati i rrethit të Mirditës, shkoi në zyrën e kreut të akuzës dhe i ka kërkuar që të bëhet zhvarrimi i vajzës së tij. Një grup ekspertësh mjeko-ligjorë u nisën për në fshatin Shebë të Mirditës. Pas gjashtë orësh përfundoi zhvarrimi i trupit të gruas së Pepës. Burime nga policia bëjnë të ditur se nga verifikimi paraprak është konstatuar se, në trupin e kufomës, është gjetur vetëm një vrimë plumbi.