E Hënë, 2 Nëntor 2026

Përplasen dy makina, vdes inspektori i policisë

12/05/2005  Një agjent që ndodhej me të i shpëton aksidentit, arrestohet shoferi i “Opel”-it

TIRANË- Vdes inspektori i policisë në një aksident të rëndë automobilistik dhe plagoset rëndë agjenti i krimeve. Lajmi bëhet i ditur nga burime të Qarkullimit Rrugor, të cilat thanë se një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur mesditën e djeshme në Tiranë, me pasojë vdekjen e një inspektori policie dhe plagosjen e një tjetri. Inspektorët e Krimeve të Komisariatit numër 1 në Tiranë, Ardian Qirkollari, 36 vjeç dhe Krenar Guce, 24 vjeç, kanë qenë në shërbim duke udhëtuar me makinën e policies, në momentin kur janë përplasur me një mjet “Opel”, në vendin e quajtur "Ura e Peshkatarit", në të dalë të qytetit të Tiranës. Mjeti i tipit “Opel” drejtohej nga Alfred Bullca, 26 vjeç, nga Tirana. Përplasja e fortë i ka sjellë vdekjen inspektorit Ardian Qirkollari, i cili ishte dhe drejtuesi i automjetit dhe është plagosur rëndë Krenar Guca. Të dy inspektorët janë dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ndërsa policia, e cila ka mbërritur në vendngjarje, po heton rrethanat e aksidentit të rëndë.

Versioni zyrtar

Zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, Alma Katragini, tha dje për gazetën se punonjësit e Qarkullimit Rrugor kanë kryer arrestimin në flagrancë të Alfred Bullcës, 26 vjeç, lindur e banues në Sauk, Tiranë. Ky shtetas, duke qarkulluar në aksin rrugor Tiranë-Elbasan, në afërsi të "Urës së Peshkatarëve", është përplasur me mjetin tip “Opel” me targa TR 5524 C, i drejtuar nga shtetasi Ardian Jorgo Qirkollari, 36 vjeç, lindur e banues në Tiranë. Si pasojë e kësaj përplasjeje janë aksidentuar shtetasit Ardian Qirkollari, i cili gjeti menjëherë vdekjen dhe shtetasi Krenar Zenel Guce, 24 vjeç, i cili ndodhet në Spitalin Ushtarak jashtë rrezikut për jetën. Në vendngjarje u kryen veprimet proceduriale–hetimore dhe materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme. Në Tiranë, gjatë këtyre javëve të fundit kanë ndodhur disa aksidente të rëndë me pasojë vdekjen. Vetëm para katër ditësh, në Parkun e Autobusëve është aksidentuar një 84-vjeçar. Ndërsa dy aksidentet më të rënda iu përkasin vogëlushit 6-vjeçar dhe një vajze 24 vjeçe.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›