Pafajësia e Ledio Ruçit, Prokuroria nuk apelon vendimin
12/05/2005 Prokuroria nuk e ka parë të arsyeshme apelimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, që e shpalli të pafajshëm Ledio Ruçin, djalin e deputetit të Partisë Socialiste, 13 ditë më parë. Lajmi është bërë i ditur dje nga burime pranë gjykatës, të cilat sqaruan se nuk ka ardhur ndonjë kërkesë zyrtare për ankimimin e vendimit të Shkallës së Parë. Ndërkaq, burime pranë organit të akuzës janë shprehur se ky vendim nuk është apeluar, pasi nga diskutimet e kryera ka rezultuar që, Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka pasur të drejtë në dhënien e vendimit. Kjo për shkak se, ndonëse ndaj Ledio Ruçit u ngritën dy akuza, ajo e armëmbatjes pa leje dhe plagosjes së lehtë, nuk u arrit të siguroheshin prova materiale për t’i vërtetuar ato. Burimet e akuzës kanë sqaruar se policia nuk kishte arritur të sekuestronte në vendngjarje ndonjë pistoletë të përdorur nga Ruçi dhe se askush nuk ka dëshmuar që ai të ketë pasur armë në dorë, apo të ketë qëlluar. Madje, edhe i plagosuri tjetër, Artur Ceka, që pandehej ta kishte qëlluar Ledion, ka pohuar para gjykatës se nuk ka parë nga i ka ardhur plumbi. I riu nga Mamurrasi, ka theksuar se nuk ka parë që Ledio të ketë pasur pistoletë në dorë dhe se nuk e dinte nga i kishte ardhur plumbi. Ndërkaq, vetë Ledio Ruçi mbeti i plagosur natën e ngjarjes një vit më parë, në “Pub Kahlua”. Gjatë pretencës, Prokuroria kërkoi shpalljen fajtor të Ledio Ruçit dhe dënimin e tij me 500 mijë lekë gjobë për veprën penale të armëmbajtjes pa leje dhe 100 mijë lekë gjobë për veprën penale të plagosjes së lehtë. Gjykata e rrëzoi kërkesën e Prokurorisë për mungesë provash dhe e shpalli Ruçin të pafajshëm.