E Hënë, 2 Nëntor 2026

Operacioni antidrogë “Lali”, arrestohen 18, ndalohen 6

12/05/2005  Organizata e trafikonte kokainën nga brigjet e Shqipërisë dhe ua tregtonte pasanikëve italianë

Rreth 18 të arrestuar dhe gjashtë të ndaluar është bilanci i operacionit të djeshëm në qytetin Aleksandria, i koduar me emrin “Lali”. Ka qenë nofka e një prej personave të dyshuar si organizator i rrjetit, që ka emërtuar këtë operacion që ka vazhduar prej disa muajsh

Policia italiane vazhdon operacionet antidrogë, duke goditur organizatën e shtatë shqiptare të trafikut ndërkombëtar të narkotikëve brenda tri javëve. Rreth 18 të arrestuar dhe gjashtë të ndaluar, është bilanci i operacionit të djeshëm në qytetin Aleksandria, i koduar me emrin “Lali”. Ka qenë nofka e një prej personave të dyshuar si organizator i rrjetit, që ka emërtuar këtë operacion që ka vazhduar prej disa muajsh. Mediat italiane kanë publikuar dje versionin zyrtar të policisë së Aleksandrisë, e cila ka pohuar se grupi i goditur ishte mjaft i sofistikuar dhe tregtonte kokainë, e cila vinte prej Shqipërisë.

Operacioni “Lali”

“Lali” ka qenë nofka e njërit prej personave të dyshuar si organizatorë të rrjetit, e fiksuar gjatë përgjimeve të bisedave telefonike, që ka emërtuar edhe operacionin e fundit antidrogë të policisë italiane. Sipas mediave vendase, Prokuroria ka urdhëruar 18 arrestime, të cilat janë ekzekutuar dje dhe janë ndaluar edhe gjashtë persona të tjerë të dyshuar. Mediat italiane kanë theksuar se pjesa më e madhe të arrestuarve kanë qenë shqiptarë. Policia italiane ka bërë të ditur, se organizata e kryesuar nga shqiptarët e kishte bazën logjistike në Aleksandri. Ky grup kriminal ka filluar të zgjerojë mjaft aktivitetin kohët e fundit, duke shpërndarë kokainë në të gjithë provincën. Përgjimet telefonike dhe survejimet e policisë kanë bërë të mundur gjithë funksionimin e trafikut të kokainës, e cila mbërrinte në Itali nga Shqipëria. Ndërkaq, policia italiane ka bërë të ditur se 18 të arrestuarit akuzohen për veprën penale të trafikut dhe importimit nga Shqipëria të substancave narkotike.

Funksionimi i rrjetit

Policia italiane ka shpjeguar për mediat vendase gjithë strukturën e rrjetit të trafikut dhe tregtimit të kokainës, nga Shqipëria në vendin fqinj. Sipas policisë italiane, rrjeti kishte një strukturë të sofistikuar dhe të shtrirë në disa qytete të Italisë. Ndërsa është vërtetuar se droga mbërrinte në Itali prej porteve të Shqipërisë, ku dyshohet se gjenden organizatorët. Kështu, trafikantët shqiptarë kanë përfshirë në këtë aktivitet kriminal edhe bashkwkombas të tyre me rezidencë në Asti, Breshia dhe Novara. Këta të fundit akuzohen se importonin dhe trafikonin kokainën ekskluzivisht nga portet e Shqipërisë. Sipas policisë italiane, organizata kishte bazën logjistike të përpunimit të kokainës në Aleksandri, ku e përziente me substana të tjera për të përfituar sasi. Ndërkaq është arritur të zbulohen edhe klientët e trafikantëve që, në përgjithësi, kanë qenë tregtarë dhe sipërmarrës të vegjël, pjesë e shoqërisë së kamur të Aleksandrisë. Kjo klientelë e përzgjedhur prej trafikantëve që nuk u mungonin të hollat, u siguronte një treg të fuqishëm që tërhiqte më shumë se një kilogramë kokainë në javë. Policia italiane ka pohuar për mediat vendase se, nga survejimet e kryera është vërtetuar se anëtarët e organizatës i furnizonin klientët në banesat e tyre, në lokalet publike të qendrës së Aleksandrisë, në afërsi të stacionit të trenit dhe në sheshin “Matteotti”. Por, policia italiane nuk ka publikuar emrat e të arrestuarve, pasi dyshohet që krerët e kësaj organizate të sofistikuar të jenë në Shqipëri, prej edhe nga kanë drejtuar aktivitetin kriminal.

Përgjimet telefonike zbulojnë lidhjet

e bandave të trafikut të heroinës

Verifikimi i përgjimeve të bisedave telefonike të anëtarëve dhe krerëve të organizatave të trafikut ndërkombëtar të heroinës nga Shqipëria drejt Italisë, kanë konkluduar në lidhje mes tyre. Kështu, nga verifikimet e kryera nga Antimafia italiane dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, janë konstatuar thirrje telefonike mes anëtarëve të një bande me ata të grupeve të tjera, që janë goditur muajin e fundit në Itali. Nisur nga këto kontakte telefonike, dyshohet se këto grupe kriminale, në kohë e vende të ndryshme, kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin në trafikun ndërkombëtar të heroinës. Ka qenë bashkërendimi i gjithë përgjimeve telefonike, të kryera ndaj organizatave të trafikut të heroinës, të shkatërruara muajin e fundit në Itali, që ka hedhur dyshimet për një bashkëpunim të mundshëm mes disa prej tyre. Lajmi është bërë i ditur për gazetën “Metropol” nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat sqaruan se hetimi është ende në fazën e identifikimit të bashkëpunëtorëve të të arrestuarve që kanë vepruar në Shqipëri. Këta të fundit dyshohen të jenë krerët e organizatave të trafikut të drogave të forta, të goditura tri javët e fundit në Itali.

“ACTROS”

Të arrestuar

• Shkëlqim Gashi

• Bledar Alvora

• Dajlan Asllanaj

• Valbona Asllanaj

• Fatos Berisha

• Fatbardh Berisha

• Hasan Beçi

• Eglantina Kandarxhi

• Mikel Mazniku

• Xhulio Luka (italian)

Është sekuestruar 150 kg heroinë

për nëntë muaj dhe anija “Plava”

“MAROBITO”

17 fletëarreste, ndër ta 3 shqiptarë nga Vlora

• Lindita Murati (e arrestuar)

• Gëzim Hoxha (në kërkim)

• Ermal Mehmeti (në kërkim)

Operacioni në Torino

U arrestuan 34 persona, ndër ta edhe shqiptarë, ndërsa ishin sekuestruar 116 kg heroinë që prej vitit 2002

“PEQINI”

Arrestohen 13 shqiptarë, ndër ta:

• Arben Çaushaj

• Mezit Mali

• Qemal Hoxha

Sekuestrohen 115 kg heroinë dhe një laborator i përpunimit të drogës

Operacioni është koduar me emrin e qytetit shqiptar, Peqini, nga dhe e kishin prejardhjen të arrestuarit

OPERACIONI NË VENECIA

Dy ditë më parë, në Venecia, policia arrestoi 8 persona, ndër ta 6 shqiptarë të akuzuar për trafik dhe tregtim të kokainës. Ata akuzoheshin se e sillnin kokainën nga Holanda. Për 17 muaj hetim, policia kishte sekuestruar 6 kilogramë kokainë.

“LALI”

Arrestohen në Aleksandri të Italisë 18 persona dhe ndalohen gjashtë të tjerë, pjesa më e madhe e të cilëve shqiptarë. Kokaina që i tregtohej shtresës së pasur të popullsisë së provincës, importohej nga Shqipëria nga bashkëpunëtorë në Breshia, Asti dhe Novara.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›