E Diel, 1 Nëntor 2026

DEKLARATAT DENONCUESE TË KOSTA TREBICKËS



“Unë di që u thërrita nga kompania amerikane ‘AYE’, u përzgjodha nga ata në bazë të të gjithë dokumentacionit që kërkova, mbasi u përzgjodha nga ata. Ky dokumentacion përfshinte në radhë të parë prokurën e përfaqësimit, domethënë që unë ta përfaqësoja kompaninë me marrëdhënie me MEICO-n. Dhe për herë të parë takova zotin Pinari, diku nga fillimi i vitit 2007, duke i vajtur me prokurë në dorë dhe me kontratën që kisha me kompaninë ‘AEY’, për të paketuar municionet, që ishin fishekë kallashnikovi, për t’i çuar në Afganistan”.

“Zoti Pinari më paraqiti një kontratë ku unë duhet të firmosja për të dyja kompanitë, për “AEY inc” dhe “Evdin ltd”. Unë nuk mund të firmosja për kompaninë qipriote, për të cilën nuk e kisha kontaktuar dhe nuk më kishte dhënë asnjë prokurë për ”Evdin”, unë firmosa vetëm në emër të ‘AEY’-së”.

“Në momentin që unë me Pinarin po diskutonim për ‘Evdin ltd’, Pinari më paraqiti mua një dokument ku ‘Evdin ltd’ i blinte ‘MEICO’-s një sasi municionesh prej 100 milionë fishekësh kallashnikovi, me një vlerë prej 22 dollarësh për 1000 copë, ndërsa momenti tjetër i shitjes nga ‘Evdin’ tek ‘AEY’-ja, unë nuk dija absolutisht asnjë lloj detaji”.

“Zoti Pinari filloi të na pengonte me furnizimin me materialet përkatëse që ne duhet t’i ripaketonim brenda një periudhe 3-mujore, sepse kjo ishte kontrata. Atëherë unë vihem në kontakt me presidentin, të cilin nuk e njihja personalisht. Ishte zoti Diveroli dhe në bisedë e sipër i tregoj zotit Diveroli për elementin e kontratës ndërmjet ‘MEICO’-s dhe ‘Evdin’, e cila përmbante elementin e çmimit prej 22 dollarësh për 1000 copë. Në këto momente zoti Diveroli u agravua jashtëzakonisht dhe më tregon që faktikisht ‘Evdin’ po ia shiste kompanisë ‘AEY’ me dyfishin”.

“Atëherë unë kontaktova zotin Pinari dhe e pyeta se si është problemi që zoti Diveroli është tepër i pakënaqur nga mënyra se si ju i zhvilloni transaksionet. Përgjigjja e zotit Pinari ishte se ‘ti nuk duhet të ngatërrohesh me këto gjëra, sepse janë forcë madhore’. Atëherë unë, duke dyshuar te ndërgjegjja e zotit Pinari, natyrshëm dhe te pastërtia e tij, kërkova që të takohem me zotin Fatmir Mediu. Takoj zotin Mediu dhe ia shpjegoj të gjithë situatën”.

“Zoti Mediu u tregua shumë indiferent, mospërfillës, shumë përbuzës dhe më thotë që kjo është një çështje civile, dhe nuk varej nga ai, varej direkt nga ‘MEICO’. Sipas tij, ‘MEICO’ ka autorizim të pakufizuar dhe mund të veprojë si të dojë. Unë mbeta i shtangur. Atëherë në moment unë lajmëroj Ambasadën Amerikane dhe sektorët përkatës të kësaj ambasade, dhe i vë në dijeni për gjithçka. Gjithashtu vë në dijeni dhe presidentin e kompanisë ‘AEY’, zotin Diveroli”.

“Kontrata është ndërprerë diku rreth datës 10-15 maj. Mbas kësaj periudhe, me sa kam marrë vesh, zoti Pinari kërkoi që Efraim Diveroli, pronari i ‘AEY’-së, të vinte urgjentisht në Shqipëri dhe të krijonte një takim me zotin Pinari dhe me shefat e zotit Pinari për të diskutuar për një kontratë direkte ndërmjet ‘MEICO’-s dhe ‘AEY’-së.

“Zoti Pinari e merr zotin Diveroli nga aeroporti bashkë me zotin Aleks, i cili ishte përfaqësues amerikan i ‘AEY’-së në Shqipëri. Të tre, pasi vijnë në Hotel Sheraton, largohen dhe shkojnë në një rrugë e cila është një rrugë që kalon midis Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Drejtësisë”.

“Zotit Diveroli dhe zotit Aleks i paraqitet zoti Delijorgji dhe një person tjetër në moshën 27-30-vjeçare. Mirëpo ishin shefat e zotit Pinari dhe kërkohet të firmoset një kontratë me zotin Pinari, domethënë me ‘MEICO’-n dhe nga tani e tutje të gjitha materialet do të shiteshin për një çmim prej 26 dollarësh për 1000 copë, ndërsa çmimi tjetër prej 14 dollarësh do t’i paguhej kompanisë së Delijorgjit në mënyrë që të plotësohej totali i 40 dollarëve, që zoti Pinari dhe zoti Fatmir Mediu, nëpërmjet ‘EDVIN’ po ia merrnin ‘AEY’-së”.

“Ata nuk e njihnin se kush ishte personi i tretë, por pretendonin se për gjithçka që diskutonte Pinari me Delijorgjin i merrnin mendimin personit të tretë, i cili nuk foli asnjë fjalë anglisht. Atëherë unë i them që gjendja është agravuar jashtëzakonisht shumë dhe lajmëroj departamentet përkatëse, dhe unë nuk mund ta them se cilin, të Ambasadës Amerikane, që urgjentisht të kontaktoheshin dhe të diskutonin për këtë skandal të tipit mafioz”.

13 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›