Rama: “Prokuroria të zbardhë nëse është aksident, apo vrasje me paramendim”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, kërkoi nga Prokuroria e Përgjithshme që të hetojë me kujdes për të zbardhur nëse vdekja e dëshmitarit Kosta Trebicka ishte aksident, apo një vrasje e paramenduar. “Prokurorja e Përgjithshme e Republikës ka të gjithë solidaritetin njerëzor e mbështetjen morale të opozitës për të zbuluar, së bashku me ata që hetojnë çështjen, fillin e plotë të kontrabandës së fishekëve, për t'i nxjerrë fundin kraterit të zullumit vrastar të Gërdecit dhe për të na thënë një orë e më parë nëse Kosta Trebicka vdiq aksidentalisht, duke u kthyer nga gjahu, apo u vra nga kriminelë, të cilët kanë filluar gjuetinë e njerëzve, që dinë më shumë se ç'duhet për Gërdecin”, - tha Rama. Ai denoncoi gjithashtu heshtjen e Berishës për vdekjen e njeriut që denoncoi trafikun e armëve në Shqipëri.
13 Shtator 2008