DEMOKRACIA DHE HISTORIA
Këtë javë u përkujtua 62-vjetori i kryengritjes së parë antikomuniste në të gjithë Evropën Lindore të Pasluftës së Dytë Botërore, i kryengritjes dhe masakrës së Postribës. Në ndryshim nga vendi ynë, të gjitha ish-vendet evropiane të ish-bllokut komunist kanë kryer dhe janë në proces konstant të dekomunistizimit të shoqërisë. Në opinionin tuaj çfarë i mungon dhe nga duhet nisur ky proces (politikisht, ekonomikisht dhe në aspektin e përgjithshëm shoqëror), që në vendin tonë ka 18 vjet që vazhdon të mbahet peng?
Në pyetjen tuaj, e cila më duket tepër interesante duke lënë hapësira për refleksione të gjera, gjenden, në fakt, tri pyetje të ndryshme, por, e pranoj, edhe të lidhura me njëra-tjetrën. Pyetja e parë lidhet me çështjen e kryengritjes së Postribës dhe të historisë shqiptare të shekullit të kaluar në përgjithësi. Pyetja e dytë ka të bëjë me dekomunistizimin, sikurse e përdorni ju këtë term, të Evropës Lindore. Dhe pyetja e tretë ka të bëjë me këtë proces dekomunistizimi në vendin tonë, të cilin ju e quani “është mbajtur peng”. Edhe një herë e përsëris mendimin tim se këto janë tri çështje sa të lidhura edhe aq të ndara nga njëra-tjetra. Po kështu, më duket se duke formuluar pyetjet tuaja, ju keni shprehur edhe mendimin dhe pozitat tuaja lidhur me to. Fare legjitime. Pra, kam përshtypjen, të më falni nëse gabohem, që ju gjykoni se Lindja është dekomunistizuar, se atje procesi ka ecur normalisht, kurse te ne është “mbajtur peng”. Nuk e kuptoj se çfarë do të thotë kjo? Por, nejse. Pra, asgjë nuk është bërë në këtë drejtim tek ne, nënkuptohet, më tepër sepse një forcë enigmatike, misterioze, sa kohë që nuk i përmendet emri, quheni si të doni, e ka mbajtur peng procesin e demokratizimit të Shqipërisë. Këto janë çështje, për mendimin tim, të diskutueshme dhe prandaj them se ju bëni shumë mirë që i sillni në debatin tonë. Shqipëria po futet në NATO, ndërkohë që themi se “dekomunistizimi është mbajtur peng”.
Pikë së pari, të them diçka për ngjarjet historike të Shqipërisë së Pasluftës së Dytë Botërore, bile edhe të kohës së luftës. E kam thënë mendimin tim dhe e përsëris hapur, pavarësisht se dikujt apo disave mund të mos i pëlqejë. Brezi i sotëm ka për detyrë të bëjë aktin e mosharresës, pra të kujtesës. Gjatë Luftës së Dytë Botërore mbisundonte një mendësi (ndofta edhe nga kushtet e përballjes me nazizmin, fashizmin dhe kolaboracionistët) sipas së cilës thjesht arma, goditja e tjetrit, vrasja e armikut në transhenë përballë, i zgjidhte çështjet. Vritej tjetri nëse konsiderohej kundërshtar. Pavarësisht se ishte shqiptar, se ishte nga i njëjti fshat, bile edhe se ishte nga e njëjta familje. Çfarë t’iu them? Mbaj mend gjyshen time, e cila sa kohë jetoi, jetoi në zi, deri nga fillimi i viteve ’70, për shkak se e mbulonte dëshpërimi i faktit se gjatë luftës i ishin vrarë, ndofta edhe në krye të disa ditëve, disa vëllezër e kushërinj njëherazi. Gjashtë apo shtatë. A më shumë. Dhe mos harroj të them se ndërluftuesit ishin brenda një fshati, një fisi. Po kështu, ka pasur të vrarë, të internuar, të burgosur nga ata që regjimi totalitar i konsideroi si të rrezikshëm dhe armiq të tij. Në këto kushte e gjithë shoqëria duhet të bëjë, sipas meje, atë që quhet “akt shpirtëror zije” për kujtimin e tyre. E të gjithëve. Viktima e prirjes për ta zgjidhur problemin, duke vrarë tjetrin. Duke e masakruar. Nuk është fjala për simbolet e jashtme të zisë, është fjala për shumë më tepër, për zinë si formë kujtimi, si formë dhimbjeje, si një pikë lot, si vuajtje, si betim për të mos u përsëritur kurrë më që shqiptari ta vrasë shqiptarin, ta burgosë shqiptarin, ta syrgjynosë shqiptarin, vetëm sepse e sheh si kundërshtar politik.
Çfarë të them tjetër? Sot shoqëria nuk ka gjetur tjetër mekanizëm për të vepruar në këtë drejtim veçse demokratizimin, dialogun, relativizimin e ideve dhe idealeve, respektin e pakicave politike, gjakftohtësinë, e mbi të gjithë tolerancën dhe respektimin e individit. Kjo është së pari detyra jonë kryesore. Kjo politikë është shtrati i asaj që ju e quani dekomunistizim, kurse mua më duket se është më e qartë dhe korrekte të quhet demokratizim.
Ne si brez, ti, unë dhe ai tjetri atje, kemi një detyrë parësore, t’i lëmë fëmijëve tanë një Shqipëri të paqtuar. Ku shqiptari të respektojë shqiptarin a qytetarin, qoftë ky edhe me origjinë tjetër kombëtare. Sepse duhet të dini diçka. Nuk ka gjë më të lehtë sesa të futësh një komb në sherr me vetveten. Idetë e viteve ‘30, që në fakt vinin nga shekulli XIX, mbi pastërtinë e racave, mbi luftën e klasave, mbi kombet e zgjedhur, mbi kombin si shpirt unik që nuk pranon diferenca brenda vetes, mbi superheronjtë, mentalitete dhe ideologji që kanë ardhur nga një botë tjetër, kanë ushqyer shndërrimin e alternativave të ndryshme politike në sherr dhe konflikt të armatosur. Të mos harrojmë se nuk është shumë e vështirë që paqja sociale të shprishet dhe një komb të hyjë në një vorbull përleshjesh dhe dhune.
Në lidhje me kryengritjen e Postribës, shumë mirë që u përkujtua. Por, tjetër është përkujtimi zyrtar nga autoritetet e shtetit dhe tjetër është puna e historianit. Opinioni publik, të paktën shpreh qëndrimin tim, do të dëshironte të dinte më shumë nga historianët dhe mediat se çfarë përfaqësonte kjo kryengritje në thelbin e vet? Nuk mjafton të thuash se ishte kundër pushtetit komunist të vendosur në atë kohë në Shqipëri. Kjo dihet. Ka qenë e ditur dhe e pranuar edhe nga historianët e një kohe tjetër. Bile edhe atëherë thuhej se deshën të na vrisnin, prandaj i vramë! Sulmuan ata të parët! Mbetemi brenda së njëjtës logjikë disi. Kam kërkuar një përqasje tjetër. Edhe në versionin monist të dikurshëm, nuk bindesha kur lexoja se këta njerëz që vendosën të merrnin armët dhe të sakrifikonin veten e tyre në kushtet kur rrethanat e kohës dhe ato ndërkombëtare shfaqeshin si krejtësisht kundër tyre, të ishin thjesht “reaksionarë”, të quheshin të tillë, sepse kështu ia donte qejfi institutit të marksizëm – leninizmit, sektorit të edukimit dhe të propagandës, apo akademisë së kohës. Nuk më mbushej mendja asnjë grimë. Askush nuk pranon të vdesë nëse nuk i janë prekur deri në palcë interesat, bindjet, familja, traditat e tij. Ta quash tjetrin “reaksionar” është kollaj, por kjo nuk përfaqëson veçse një etiketë, e shumta, një mënyrë sesi të duket ty tjetri, por në vetvete nuk do të thotë asgjë. U përpoqa të gjej në internet apo në media diçka më shumë për t’u sqaruar lidhur me këtë ngjarje, edhe këtë radhë, sikurse kam bërë edhe në këto vite që kanë kaluar dhe nuk gjeta asgjë që të shpjegonte thellë, qartë, atë që kishte ndodhur. Bindjet e kryengritësve, pikat ku ata ishin cenuar nga pushteti që dhunshëm kishte marrë forcën shtetërore, të kaluarën e tyre, mënyrën e organizimit, jetën shoqërore brenda së cilës jetonin, pra konjukturën sociale, kulturore, politike, familjare brenda së cilës ata kishin marrë vendimin për të vdekur me pushkë në dorë. Kjo duhet shpjeguar.
Padyshim që u fol për të vrarët, të masakruarit, të dënuarit dhe për reprezalje të tjera. Patjetër duhej bërë. Kjo dëshmon ashpërsinë e regjimit. Por, nuk mjafton ama për historianin, shoqëria dëshiron të dijë më shumë nga ai. Të gjitha palët flasin për të masakruarit që iu ka shkaktuar pala tjetër. Duhet një “akt shpirtëror zije” që të vuajë dhe mjerohet për ata që humbën jetën. Pa dyshim. Kush nuk e bën është ose i paqetë shpirtërisht, fajtor, ose mendje e fryrë që nuk kupton asgjë as nga jeta dhe as nga nevojat që kemi si komb. Paqtimi si komb nuk është një slogan për të mposhtur kundërshtarin politik në fushatën e sotme elektorale. Veç të tjerave ky veprim as vota nuk i jep asnjë pale. As Peza, as Postriba, as Mukja, nuk ka vend të shihen në logjikën e garës politike të sotme. Fundja në politikë ndofta nuk ka rrugë tjetër. Por, vota nuk jep asnjëra prej tyre. Nuk mund të bëhet ndeshja e sotme elektorale me simbole të së kaluarës. Unë jam përkrahës i asaj që ndeshja e sotme elektorale të kryhet me një të folur politik të mbështetur tek e sotmja: Sa ura, sa rrugë, sa hapësira jeshile, sa të drejta për qytetarin, sa rritje mirëqenieje, sa tituj prone më shumë të kthyer te pronarët e vërtetë, sa ilaçe më të mirë për të sëmurët, sa krime më pak, sa përdhunime më pak, sa vjedhje më pak, sa korrupsion më pak? Do të isha për një kujtim më të qetë të së kaluarës nga të gjitha palët. Të gjitha palët festojnë ende ngadhënjimin mbi palët e tjera. Historia e dhimbshme e kombit kërkon, sipas meje, që përkujtimi legjitim i saj të behet brenda etikës të transparencës, të dëshmisë, të kujtesës, por edhe të “aktit shpirtëror të zisë”, i cili nuk mund të shndërrohet as në miting as në festë nate. Secili ka shijet e tij në jetë. Po ju kujtoj se këtu flas thjesht si qytetar, dhe aspak si studiues apo profesor filozofie.
Më kujtohet me hidhërim që para nja tridhjetë vjetësh jam ndodhur në një skenë të çuditshme. Një ekip televiziv i RTSH-së kishte ardhur të merrte në intervistë nënën e një dëshmori. Gazetari e pyeste: “Si të erdhi trupi i fëmijës në shtëpi?”. Nëna plakë, e mpirë nga vitet, niste të tregonte: “Ma sollën dhe e shtrinë këtu në këtë dhomë”. Ndërkohë kishte mbaruar celuloidi. Gazetari i thoshte: “Prit pak se ndodhi diçka. Hajde rifillojmë nga e para: “Si të erdhi trupi i fëmijës në shtëpi?”. Nëna plakë rifillonte: “E gjeta këtu të shtrirë me gjak...”. Fiken dritat. Rivijnë. Gazetari kërkon ndjesë. “Tani do të fillojmë. Edhe një herë: Si të erdhi trupi i fëmijës në shtëpi?”. Nëna riniste nga e para: “Më thanë hajde pak në dhomë, kur ç’të shoh? I shtrirë ja këtu...”. Dikush bëri zhurmë jashtë. Gazetari përsëri e ndërpret: “Prit pak nënë, do të fillojmë nga e para...”. Isha ndodhur në një ekranizim të së shkuarës. Gazetari i dhënë pas imazhit të dokumentarit që duhet ta çonte në mbrëmje në Tiranë nuk donte t’ia dinte për faktin se ishte duke ekranizuar një “akt shpirtëror zije”. Mendonte për spektatorin, jo për veten. Nëna e mjerë, nën presion dhe pas një mpirjeje të rëndë disavjeçare, aktin e zisë e paraqiste jashtë vetes sikurse ia kërkonin, pra si një ritual mekanik që mund të përsëritej pa fund para kamerës. Akti i zisë ishte alienuar tërësisht. Të gjallët vazhdonin jetën e tyre.
Padyshim se kryengritësit e Postribës ishin antikomunistë. Ata jetonin mbi bazën e vlerave të tjera morale, familjare, dhe etike. Ata nuk u ngritën kundër funksionimit të shoqërisë moniste e socialiste. Ata ishin kundër, në atë kohë, të vetë procesit të vendosjes së pushtetit komunist qysh në origjinë dhe të ushtrimit të tij mbi supet e tyre. Historianët e kanë për detyrë të sqarojnë se ku konsistonte antikomunizmi i tyre, sepse fjala antikomunizëm është krejt e papërcaktuar sikurse edhe vetë fjala komunizëm. Shoqëria shqiptare paguan njerëz për të bërë historinë e saj, paguan institucione.
Kërkohet që historia e kombit të rishkruhet. Me të drejtë. Unë kam pasur një qëndrim disi në dukje radikal për këtë çështje dhe për pasojë nuk kanë munguar edhe të më kundërshtojnë dhe të më kritikojnë. Por, kush del në publik dhe pranon të bëjë “striptizë” para publikut një herë në javë, sidomos të shtunave, sidoqoftë në mënyrë krejt të sinqertë, duhet të presë edhe reagimet. Unë them se jo vetëm historia e kombit në të gjitha fushat ka nevojë të rishkruhet, por edhe rishkrimi i historisë që mund të bëhet tani, përsëri do të rishkruhet më pas, e ky i mëpasshmi përsëri do të rishkruhet më vonë e kështu pafundësisht. E kaluara është si e ardhmja, na shfaqet si supozim, si hipotezë pune, nuk është një monedhë që na ka rënë nga xhepi diku në rrugë dhe ne, pasi e konstatojmë, kthehemi për ta gjetur të palëvizur dhe ndryshuar, atje ku e kishim humbur. Jo. Nuk është kjo historia. Historia e së shkuarës ndryshon, nuk është “objektive” në kuptimin e të qenit e pavarur nga metodat, morali, konceptet, gjendja psikologjike, madje edhe psikike, e historianit që “bën banjë” në detin e përjetimeve të brezit të tij. Gjykoj se shkolla historiografike shqiptare e të gjitha lëmenjve derisa të mos ketë përvetësuar këtë filozofi, do ta ketë vështirë ta kryejë atë mision që i ka ngarkuar kombi. Nuk mendoj se rishkrimi i historisë, (i asaj historie që merrte vulën e institutit të marksizëm–leninizmit, dhe që dëmtoi rëndë kujtesën kombëtare të Shqipërisë moderne duke i bërë një dëm të pallogaritshëm brezave të vet të rinj), tani do të rivendosë një herë e mirë të vërtetën “objektive”, përfundimtare që do të duhet të institucionalizohet si e vërteta absolute e instancës së fundit. Do të ishte e njëjta gjë, e kthyer mbrapsht. Historia do të rishkruhet pa fund. Askush nuk forcë ta ndalojë.
Dekomunistizimi është tjetër gjë nga një kthim thjesht mbrapsht i historisë komuniste. Është më së pari demokratizim në të gjitha fushat e dijes, institucioneve, marrëdhënieve njerëzore etj. Është një kulturë e re që e kapërcen radikalizimin dhe të gjitha filozofitë esencialiste, deterministe, objektiviste, ekskluziviste, të së kaluarës, që kanë pasur ndikimin e tyre mbi të majtën dhe të djathtën e së shkuarës.
Demokratizim është ta rishkruash historinë pasi e ke rishkruar atë. Ta bësh aktin, jo vetëm ta kërkosh. Kërkimi është një akt moral, bërja e ribërja e historisë është një akt pune, që mund t’i merrte njeriut edhe dhjetë vjet nga jeta e tij, edhe njëzetë vjet, edhe gjithë jetën. Kush është gati t’i hyjë kësaj sakrifice sublime? Ai është në misionin e vet. Nuk është dekomunistizim demokratizues ta privosh historianin komunist të zhvillojë idenë e vet dhe kuptimin e vet mbi ngjarjen historike. Në një shoqëri të dekomunistizuar në mënyrë demokratike edhe historiani marksist–leninist, nëse ka të tillë, nëse dëshiron, le ta shkruajë versionin e tij mbi ngjarjet dhe rrethanat. Dekomunistizimi nuk ka të bëjë me presione ligjore, institucionale ndaj artistit komunist, historianit komunist, nëse do të mbetet i tillë në debatin e ideve. Tjetër është problemi politik dhe i mbrojtjes së institucioneve demokratike.
Më vjen keq kur shoh ndonjëherë se ndokush që është ngarkuar zyrtarisht për ta rishkruar historinë, në vend të bëjë këtë, në të kundërt vazhdon të thotë ende se është mirë që të rishkruhet historia! Po bëje, pra, nëse je i zoti, se prandaj paguhesh. Mos e thuaj! Bëje! Ose edhe thuaje edhe bëje! E themi e nuk e bëjmë dot. Se jemi akoma larg. Se të duhet të mbyllesh në “kullë” për të menduar, parë arkivat, rishkruar, ballafaquar metodat. Kam frikë se shoqëria shqiptare po ndodhet para një detyre imediate që nuk është ende në gjendje ta kryejë. Nuk kemi ende një armatë, a një grup dijetarësh të rinj që të pranojnë të sakrifikohen për të riparë ndryshe jetën tonë, kujtesën tonë. Është një proces i gjatë formimi dhe riformimi. Deri tani ka deziluzione të mëdha nga ajo që bëhet në këtë rrafsh.
Ju më pyesni me të drejtë për procesin e dekomunistizimit të vendeve të tjera të Lindjes. Është “muhabet” i gjatë shumë. E njoh literaturën historike dhe politike për këtë proces. Por, nuk ka vend këtu për t’u diskutuar kjo anë. Dekomunistizimi në ato shoqëri është parë si demokratizim. Janë dy terma që ngjajnë, që dikush ndofta mund t’i përdori lirshëm në vend të njëri-tjetrit, nuk është se nuk kanë lidhje mes tyre, por përsëri janë të ndryshëm. Zaten gjithë problemi në logjikë është të mos ngatërrohen me njëri-tjetrin termat e ngjashëm, se të largëtit dallohen që kur njeriu është në fëmijëri.
Nëse është fjala në kuptimin e demokratizimit të institucioneve, pronës, të drejtave njerëzore etj., sigurisht që Lindja është demokratizuar dhe në këtë kuptim është dekomunistizuar, sikurse e thoni ju. Patjetër. Dhe me sukses. Por, nuk është fjala këtu përsa i përket përbërjes demografike të këtyre shoqërive. Ish-komunistët janë aty dhe gëzojnë të gjitha të drejtat si të tjerët. Kuptohet ka pasur një proces që ka bërë që komunistët apo përfaqësues të tyre të zënë pozita kyçe në ekonomi. Kështu ka ndodhur gjithandej. Ta lidhësh këtë thjesht me strategjinë gorbaçoviane të riciklimit të pushtetit, mund të bëhet, por nuk është e mjaftueshme. Ish-komunistët patën rast të rivijnë disa herë në pushtet në Hungari, Poloni, Sllovaki, gjetiu, mos të flas këtu për Rusinë, Gjeorgjinë, Bjellorusinë etj. Mos harrojmë se ish-komunistë, ish-trockistë, ish-maoistë, ish-leninistë, ka pasur në majat e pushtetit politik dhe administrativ, dhe ka ende në funksion të situatës politike të çdo vendi, në vendet e Lindjes dhe të Perëndimit, në Itali, Francë, Spanjë e kudo. Edhe artistë, edhe gazetarë edhe shkrimtarë, edhe pedagogë. Dekomunistizimi kuptohet sot në botë si demokratizim dhe jo neo-makartizëm.
Ish-komunistët sigurisht përfituan nga fakti se sa kohë që ata ishin ende në pushtet, në fazën e fundit të tij, promovuan njerëzit e tyre kudo në Lindje që ata të hynin në botën e financave dhe të sipërmarrjeve. Ishte një strategji, sigurisht. Por, kishte nga ata reformatorë që ishin vendosur sinqerisht edhe në krye të lëvizjeve anti-sistem dhe që i dhanë komunizmit goditje përfundimtare. Ata u rifutën në jetën e re politike me një format të ri, legjitim. Përfituan edhe sepse shtresat e persekutuara nuk kishin ato mundësi shkollimi, lidhjesh dhe manovrimi si shtresa që kishte qenë e integruar në shoqërinë moniste.
Por, nuk e kuptoj ta zëmë marrjen e pronës nga ish-pronarët si një proces të djathtë nga pikëpamja e shtresës sociale që përfiton. Institucionalisht kjo është një masë demokratizuese, po të doni, dekomunistizuese, por jo nga pikëpamja njerëzore. Nga rikthimi i pronave tek i zoti do të përfitonin dhe ish-komunistët sepse edhe ata nuk kanë pasur pak prona trashëgim nga familjet e tyre. E kanë krejtësisht të gabuar idenë ata që e vështrojnë realitetin shqiptar me sytë e një marksizmi ortodoks e që thonë se komunistë në Shqipëri u bënë thjesht ata që nuk kish pronë, pasuri, a tokë në fshat. Jo, nuk është kjo historia e Shqipërisë.
Nuk ka kuptim që dekomunistizimin ta lidhësh në një shoqëri demokratike me privime të drejtash njerëzore në planin politik. Kemi një Kushtetutë që nuk na e lejon këtë. Ne duhet të bëjmë, sipas meje, transparencën e plotë të atyre që dëshirojnë të marrin poste të rëndësishme politike. Publiku duhet ta dijë me çdo kusht se për kë voton dhe kush e drejton. Nuk ka kuptim ta zëmë që një deputet që ka qenë dikur ish punonjës i sigurimit ta fshehë këtë nga publiku. Po të dëshirojë ta mbajë në sferën e intimes këtë të dhënë, le të mos përzihet më atëherë në çështjet publike. Por, pasi dikush pranon që të kandidojë për deputet edhe me këtë çmim, pra edhe duke pranuar që dosja e tij të hapet e plotë dhe elektorati e zgjedh, atëherë problemi është i mbyllur. Elektorati le ta gëzojë. Çdo funksionar i lartë ose edhe i mesëm i administratës publike duhet të ndodhet, them unë, para këtij detyrimi politik madhor, të pranojë transparencën mbi dosjen e tij, nëse një e tillë ekziston. Por, nuk besoj se është e mundur që dikush që nuk ka bërë ndonjë krim personalisht, në kushtet e sotme ligjore që e konsiderojnë individin të barabartë me të tjerët, pavarësisht nga e kaluara e tij, të mund të privohet me ligj nga të drejtat e tij demokratike.
Transparenca mbi të kaluarën është demokratizim, privimi nga të drejtat qytetare pa pasur figurën e krimit te dikush, është dekomunistizim, jo në kuptim e saktë, por si privim nga të drejta qytetare. Nuk e ka jetën të gjatë ky proces i fundit, sidomos nga pikëpamja politike dhe elektorale. Vijnë të majtët në pushtet në vende të ndryshme të Evropës lindore dhe ndodh procesi i kundërt.
Paradoksi i madh që vihet në dukje në literaturën politike perëndimore është se sikurse thuhet aty, ka ish-komunistë, sidomos ata që janë pasuruar ose mirëintegruar në shoqërinë demokratike të tregut, që janë më të interesuar sesa të tjerë, për atë që ish-shoqëria komuniste dhe totalitare të mos rikthehet më.
Te ne ka gjëra që nuk kanë shkuar mirë. Prej vitesh. Por, sikurse thotë psikologjia sociale, ndonjëherë kërkohet një fajtor i vetëm për t’ia vënë mbi shpinë atij të gjithë frustrimin kolektiv. Mendohet që të gjitha fajet i kanë ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit. Zbulojini ata, hiqini mandatet e tyre, demaskojini publikisht para grave, fqinjëve, fëmijëve të tyre (duhet menduar edhe për të drejtat e fëmijëve) dhe gjithçka do të shkojë në rregull. Edhe mua ndonjëherë më lind në çast ndonjë pulsion i tillë, kur shoh se si ndonjë njeri i përfolur si ish-bashkëpunëtor i Sigurimit më “ngacmon”, shan, thashethemnon, përdoret nga individë që nuk janë dakord me mua për të bërë gjithçka që jeta ime të bëhet më e vështirë, komunikimi im me publikun më i ndërlikuar, kur e shoh se si provokon tamam sipas mënyrave të vjetra, barbare dhe inkuizicioniste. Më vjen të them se “spiuni po spiun mbetet”. Por, pastaj e kuptoj se kjo nuk ndreq asgjë. E kam bërë “kokë turku”, sepse kërkoj një fajtor për t’u qetësuar. Hedhja e fajit tek tjetri, për t’u lehtësuar psikologjikisht. Kundërveprimi psikologjik për t’u qetësuar. Në fakt, njerëz që do të pranojnë të përdoren do të ketë gjithmonë. Blihen, shiten, të majtë, të djathtë, dikush për një post, dikush për ca pare më shumë, dikush për një nder, dikush i zënë keq nga ndonjë hall, dikush nën shantazh, dikush ka nevojë të ketë padron që ta urdhërojë. Ka lloje të ndryshme njerëzish.
Duke thënë këtë unë e njoh katërcipërisht të drejtën e të dëmtuarve në kohën e komunizmit për të ditur se cilët janë personat që i kanë dëmtuar. Është e drejta e tyre për të njohur të vërtetën e jetës së tyre. Po a janë ato dosje “të vërteta”? Askush nuk do ta ketë sigurinë për këtë. Kush është në gjendje ta thotë se hetuesi i aparatit të dhunës ka shkruar mbi fletë vërtet ato që dikush ka thënë? Teksti ka vend për t’iu interpretuar. Kush mund të thotë se dëshmitari në gjyqin e tij ka qenë i lirë të thotë ato që ka thënë?
Megjithatë, duhet pranuar se ka njerëz që nuk duan të dinë më pas për ata që iu kanë bërë keq dikur. Niçe thotë se dikush që është mirë në jetë e i fortë e harron të keqen që i kanë bërë. Por, ka edhe njerëz, të cilët kanë nevojë ta dinë fajtorin e tragjedisë së tyre. Kush shpifi për ta? Kush i denoncoi falas? Kush ua falsifikoi dosjet? Kush ua rëndoi rastin? Kush ka marrë pjesë në nxirjen e jetës së tyre? Këtyre iu duhet dhënë mundësia, gjykoj se është detyrim ndaj tyre, për t’iu dhënë mundësinë për ta parë, njohur dosjen e tyre, duke i vënë para detyrimit publik që i paralajmëron fort nëse kanë motive për të bërë vetëgjyqësi. Mund të vendosen një sërë procedurash për ta lehtësuar këtë proces. Nuk është i thjeshtë ai sikur t’i thuhej dikujt duke i përplasur një shuk me letra të vjetra: Na lexoje skenën e kryqëzimit tënd! Shihe se kush ka qenë Juda dhe Shën Pali yt! Ndërmjetës në komunikim mund të punësohen për një periudhë dhjetëvjeçare për të bërë këtë shërbim delikat të njohjes së gjithkujt me dosjen e vet.
Ndërkaq, pavarësisht të metave, nuk besoj se gjatë këtyre njëzet vjetëve nuk është bërë asgjë, sa të thuhet se te ne procesi i dekomunistizimit ka mbetur peng i dikujt. Shqipëria është demokratizuar dhe ndodhet në proces demokratizimi. Në kuptimin tim, ky është një proces dekomunistizimi i qëndrueshëm, i ngadaltë ndofta, por i vetmi që ka shanse të arrijë objektivat e tij.
Dekomunistizim nëpërmjet demokratizimit. Jo nëpërmjet privimit të qytetarëve nga të drejta politike themeltare që i kemi njohur tashmë në Kushtetutë. Shoqëria demokratike nuk mund të përdorë po ato metoda dekomunistizimi, sikurse shoqëria totalitare përdori në procesin e denazifikimit. Janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme.