E Diel, 1 Nëntor 2026

REFORMAT, EDHE SI RAST PËR GRUMBULLIM PUSHTETESH

Këtë javë u përkujtua 62-vjetori i kryengritjes së parë antikomuniste në të gjithë Evropën Lindore të pas Luftës së Dytë Botërore, kryengritjen dhe masakrën e Postribës. Në ndryshim nga vendi ynë, të gjitha ish-vendet evropiane të ish-bllokut komunist kanë kryer dhe janë në proces konstant të dekomunistizimit të shoqërisë si një fenomen që më shumë se këdo tjetër dëmton shoqërinë në të cilën instalohet. Në opinionin tuaj, çfarë i mungon dhe nga duhet nisur ky proces, (politikisht, ekonomikisht dhe në aspektin e përgjithshëm shoqëror), që në vendin tonë ka 18 vjet që vazhdon të mbahet peng?

E shihni dhe vetë besoj që këtu kemi dy pyetje bashkë pleksur mes tyre dhe sado që ju sigurisht duhet të keni pasur arsyet tuaja që i sillni kështu së bashku, unë s’mund t’i përgjigjem veçse veçmas secilës. Kjo sepse (shpresoj që edhe lexuesi të jetë në një mendje me mua), më duket krejt tjetër gjë të shqyrtohen karakteri, pikësynimet, zhvillimi dhe efektet e një kundërshtimi të armatosur që u bë në një zonë të caktuar e në një datë të caktuar regjimit shtetëror të kohës dhe tjetër gjë të përpiqemi të kontribuojmë në një proces të sotëm. Madje, e mira fare do të ishte sikur të më lejonit që të përqendrohem vetëm te kjo e fundit dhe t’ua lëmë historianëve revoltën në fjalë, e cila në fakt më duket tepër delikate për shumë arsye. E para, sepse ka kaluar shumë kohë qysh nga ajo datë e 9 shtatorit 1946 dhe ne s’mund t’i dimë dhe aq saktë të gjitha shtysat, rrethanat e “përse-të” që kanë pasur në mendje autorët e kryengritjes. As shkaqet se përse shqiptarët asokohe vendosën që përmbysjen e komunizmit ta fillojnë jo nga Tirana, nga Durrësi apo Elbasani, por pikërisht nga malet e Postribës. E dyta, sepse edhe në gjithë këto vite (siç ndodhi me të gjitha proceset që u thërrmuan gjatë nga mokrra komuniste), ngjarja nuk na ka ardhur ndonjëherë e shtjelluar neutralisht nga historianët, por vetëm nën një interpretim ekstrem puro politik të kohëve e “palëve në konflikt”: komunistët tanë për pesë dekada e sollën si një përpjekje të thjeshtë të “forcave të reaksionit” për të refuzuar “progresin” e “pushtetin e popullit”, pra shtetin komunist që ishte duke u instaluar së bashku me shtrëngimet e normat e reja. Ndërsa mendoj se edhe trajtimi i mbas viteve ‘90 vuan nga një vrull po aq i superpolitizuar, por në kahen tjetër: ngjarja shtrohet si një lëvizje e kulluar politike, e qartë e vizionare, si një kryengritje e iluminuar antikomuniste, halli dhe frymëzimi i vetëm i së cilës ishte vetëm një: antikomunizmi si ideologji e si pushtet. Me respektin më të madh për sakrificën dhe gjakun e derdhur, jam i prirur plotësisht kah kjo e fundit. Por do ta përvetësoja plotësisht këtë qëndrim vetëm me një kusht: po të mësoja se qoftë edhe njëri nga kryengritësit e Postribës do të kishte lënë një gjurmë të shkruar mbi qëllimet e saj progresiste dhe formën e rrëgjimit që synonte të vendoste pasi të përmbyste komunizmin. Në mungesë të kësaj dhe të një platforme minimale mbi formën qeverisëse të synuar, unë për vete e kam shumë vështirë këtë, sado heroike për nga forca e karakterit dhe kostos sublime me të cilën u realizua, ta klasifikoj këtë përplasje të armatosur me plot gojën si kryengritjen e parë antikomuniste në Evropën Lindore apo ku di unë. E kam vështirë ta krahasoj me revoltat hungareze, çeke apo polake, dokumentimi antikomunist i të cilave përbën një shkollë më vete edhe për brezat e sotëm. Një kundërshtim që bëhej në emër të parimeve moderne të individit të lirë, zgjedhjeve të lira, ekonomisë së tregut e demokracisë së modelit perëndimor. Dhe që për këtë arsye, pak ndryshe nga Postriba jonë, gjetën edhe jehonë dhe shtrirje në gjithë shtresat dhe skajet e vendeve të tyre. Kjo “luhatje” më vjen edhe nga një parim tjetër gjykimi që unë respektoj: se kundërshtimi politik bëhet i tillë, pra e merr atë nivel, jo nga ashpërsia e goditjes që bën apo taktika ushtarake e lloji i armëve me të cilat i bie garnizonit, por në radhë të parë, me kundërshtimin e doktrinës që qëndron mbrapa atij “garnizoni partizan”. Mundet që ky kundërshtim doktrine është krejt prezent në rastin e Postribës, mbase ekzistojnë edhe prova të tjera të qarta të motivimit antikomunist dhe njëkohësisht pro-shtet e pro-zhvillim të saj. Nëse është kështu, gabimi është i atyre që i fshehin ato. Publikimi i çdo gjëje që hedh dritë në këtë drejtim është shumë më i rëndësishëm sesa shumë ceremoni, stenda portretesh e parada emocionale që shtetarët tanë të rinj i kanë qejf në fakt.

***

Le t’i kushtojmë tani pak rreshta edhe çështjes tjetër. Asaj mbi nevojën e dekomunistizimit të shoqërisë dhe mënyrës se si mund e duhet proceduar që ky proces të jetë efektiv. Shoh se diçka mungon në pyetjen tuaj, çka nuk e thotë shumë shkoqur se cilin quani “fenomen që dëmton shoqërinë në të cilën instalohet”. Unë e kuptoj që e keni fjalën jo për “dekomunistizimin”, por për të kundërtën e tij: për moskryerjen e këtij procesi. Është bllokimi i procesit të dekomunistizimit ai që mban peng shumë energji shoqërore dhe me këtë përfundim unë jam plotësisht dakord. Ndala këtu në këtë pikë, jo për të bërë një redaktim të thjeshtë, por edhe sepse ky më duket thelbi i çështjes që shqyrtojmë dhe që në fakt na rri pezull prej 18 vitesh, herë nëpër mendjet e shpirtra, e herë direkt nëpër këmbët e punët tona të përditshme. Është apo jo i nevojshëm një proces dekomunistizimi në Shqipërinë e sotme? Mendoj se jo, dhe se sidomos për Shqipërinë, ky do të duhej të ishte një proces i përpunuar mirë e me sinqeritet. Duhet të sqaroj se ndryshe nga shumë njerëz që duan të bëjnë “interesantin” në sallonet e sotme, unë dekomunistizimin nuk e kuptoj si përjashtim absolut e me ligj të ideologjisë komuniste. Ideologjia është çështje besimi dhe unë nuk do të ndaloja askënd që të besojë në ç’t’i dojë qejfi. Nuk e kuptoj dekomunistizimin as si përjashtim apo ndërprerje të çdo komunikimi me vende që qeverisen mbi sisteme të ndryshme nga demokracia perëndimore. Format shtetërore ikin e vijnë, ndërsa “njerëzit e botës” janë atje e ne duhet të komunikojmë me të gjithë në botën tonë të vogël. Ajo që sipas meje përbën thelbin e një procesi të tillë që quhet dekomunistizim, është diçka më e gjerë: ajo ka të bëjë me parandalimin me çdo kusht të çdo diktature e çdo mentaliteti e prirjeje që çon drejt nëpërkëmbjes së lirisë së të tjerëve; që dhunon dhe përjashton njeriun; që i heq atij shanset e konkurrimit e të zhvillimit, situata këto që mund të degjenerojmë deri në praktika e regjim komunist – si forma më e hapur e më e shëmtuar. E kemi për detyrë që për fëmijët tanë të garantojmë një parandalim të tillë.

Mendoj se është koha (dhe shumë vonë bile) që për këtë të deklarohen e të japin të gjithë provën e vullnetit për një aksion të tillë. Që të gjithë. Veçanërisht ata që janë të angazhuar në jetën publike e politike duhet të ngrihen e të shprehen qartë: janë apo nuk janë për një proces de-ko-mu-ni-sti-zi-mi! Kjo gjë nuk kemi dëgjuar të jetë bërë ndonjëherë në një mënyrë të qartë e pa ekuivoke nga askush që na tund gishtin nga podiume e tribuna. Dëgjojmë se Shqipëria në këtë drejtim i është bashkangjitur një deklarate shumëkombëshe të Këshillit të Evropës. Njëlloj siç bëjmë me qindra konventa të tjera, ku aderojmë, nëpër forume e organizata. Për gazin karbonik, për midhjet, e ku di unë. Po a është e mjaftueshme kjo në rastin e Shqipërisë dhe të situatës konkrete që ka kaluar e po kalon shoqëria shqiptare? Mendoj se jo. Një proces i gjerë filtrimi e rivlerësimi të njerëzve, bëmave e për rrjedhojë prirjeve të tyre, është më se i domosdoshëm jo si një shkarkim dufi e mllefi, jo si një nevojë diskreditimi të ca njerëzve për revansh, por në radhë të parë për arsye të perspektivës, për të rritur sa më shumë garancinë e rrugës demokratike ku ka hyrë zhvillimi njerëzor e shoqëror, për të rritur imunitetin ndaj praktikave shtypëse të lirisë e për të parandaluar vendosjen e diktaturave, edhe pse ato nesër mund të mos jenë “komuniste klasike”, por që do të jenë diktatura gjithsesi.

***

Në këtë kuptim të fundit “dekomunistizimi” bëhet një koncept me përmasa shumë më të gjëra sesa fjala ajo që e quajmë “hapja e dosjeve”. Është edhe kjo sigurisht, madje nga atje duhet edhe të fillojë, por vetëm si proces i parë. Dhe në se ne, edhe me këtë hap krejt elementar, nuk po dëshmojmë asnjë seriozitet e vendosmëri, shumë më të vogla janë shanset që të fillojë ndonjëherë ndonjë proces më i gjerë e më kompleks siç është dekomunistizimi, i cili sidoqoftë do të ishte i mangët dhe i brishtë (për nga efektet në të ardhmen) nëse ndalet vetëm tek “dosjet”. Dhe nëse nuk do të plotësohej me një tjetër dimension masash që garantojnë parandalimin e mishërimeve dhe praktikave të reja populisto-diktatoriale e autoritariste, që në fakt, vetëm një hap i ndan nga komunizmi. Ndoshta jo nga ai komunizëm ekstrem totalitarist që kemi njohur, por nga forma më të zbutura të tij. Në këtë kuptim dekomunistizimi është gjithë procesi ligjor, institucional e shoqëror që garanton një demokraci funksionale, liri tregu dhe të drejtat njerëzore.

Opozita përgjatë këtyre dy muajve të fundit ka akuzuar ashpër qeverinë dhe mazhorancën për një përpjekje të mundshme të saj për kontrollin e prokurorisë nëpërmjet një ligji të ri për prokurorinë që po hartohet nga Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me ndërkombëtarët. Ndërkohë, këtë javë kryeprokurorja Rama u shpreh për mediat se nuk ndihej aspak e shqetësuar apo e kërcënuar nga ndryshimet e propozuara në ligjin për prokurorinë, ku pikë kryesore është heqja e imunitetit. Cili është opinioni juaj në lidhje me këtë debat?

Fillimisht, duhet të them se më bie në sy një mobilizim i ri i qeverisë në muajt e fundit për t’i marrë seriozisht në dorë e bërë sa më shpejt disa gjëra që ajo i zvarriste më nge prej 2-3 vitesh. Vetëm në këto 4-5 muaj po shohim se si po shtyhen me ngut veprime e vendime bazë e serioze të shtetit që duhet të kishin kaluar që para 2-3 vjetësh. Disa akte që premtojnë korrigjime (ligji i kthim-kompensimit të pronave, ligji i tokës bujqësore, legalizimet etj.), disa “axhustime” kyçe institucionale (ndryshimet kushtetuese, kompletimi i KLD-së etj.), të tjera hapa kyçë që lidhen me infrastrukturën zgjedhore (kartat e identitetit, regjistri elektronik e përsëri... certifikatat – kësaj here, “elektronike”), janë bërë me vrap ose janë risjellë përsëri në rend të ditës. Qeveria duket se i ka lënë shakatë. Asnjë fjalë s’dëgjohet më për “strategjinë e kafshatës”, reformën “një euro”, “vaskat e florinjta” e të tjera mesele të denja për barsoleta. Duket se u bind që me to s’mund të mbyllet dot mandati. Pa le pastaj të kërkosh një mandat tjetër.

Por unë mendoj se kjo shkundje e ky rimobilizim lidhet edhe me diçka tjetër. Big-bang-u i saj zë fill me ngjarjen e Gërdecit dhe duket se lidhet ngushtë me renë e përgjegjësive që endet në ajër mbi kokat e shefave tanë ekzekutivë. Nuk mund të mos them pra, se kjo më duket më shumë si një sforco për “ta harruar” atë kapitull të ngatërruar, për t’i ikur ngjarjes e “për të hapur një kapitull të ri pune të vërtetë e të suksesshme”. Në rezultanten e vet, gjithë kjo punë s’duket keq sigurisht. Dakord, me vonesë, por ama punët po rimerren e po kompletohen. Neve kjo na duhet, sigurisht, që punët të merren e të mbyllen deri në fund që në fund të kemi institucionet e duhura, rregullat e duhura për njerëzit, bizneset e demokracinë. E megjithatë, duket se diçka i prish punë këtij procesi. Dhe kjo lidhet pikërisht me “post-Gërdecin”. Fakti që gjithçka zhvillohet nën hijen e një mega-procesi hetimor të hapur, por pa gjasa për t’u mbyllur mendoj se ndikon në cilësinë e gjithë drejtimeve të tjera të reformës, sepse një motiv i tillë në sfond ose në bazë nuk ka si të mos ndikojë në cilësinë dhe ndoshta edhe në përmbajtjen e ndërhyrjeve që bëhen. Efekti më i dukshëm i kësaj “epoke” është prirja që të gjitha ndërhyrjet ligjore e institucionale të bëhen jo si një nevojë reale, jo në funksion të mirëfunksionimit të institucioneve apo marrëdhënieve mes tyre, por vetëm në një kah: në drejtim të qethjes së pushtetit të të tjerëve dhe grumbullimit me çdo kusht të pushteteve shtesë për vete. Më dukshëm kjo u shfaq me ndryshimet kushtetuese të 21 prillit (p.sh. zgjedhja e Presidentit me shumicë të thjeshtë). Por prezenca e saj ndihet në të gjitha aktet ku ka vend për “karshillëqe” mes institucioneve të pavarura. Nga ky “trend” s’ka si të bëjë përjashtim edhe ligji i ri për prokurorinë. Edhe pse në detaje, nuk mund e nuk dua të hyj, për “tezën” time të mësipërme mjafton besoj vetëm një akt: kundërshtimi energjik që i bënë çështjes vetë prokurorët.

Nëse një kundërshtim i tillë nuk artikulohet hapur e prerë edhe nga zonja prokurore e përgjithshme, unë mendoj se kjo gjë nuk dëshmon aspak ndonjë “OK” për ligjin. Ajo vetëm sa demonstron pjekurinë, integritetin dhe etikën profesionale të vetë prokurores. Të mos harrojmë edhe delikatesën që kërkohet, dhe që sërish e imponon... konteksti i “Gërdecit”.

Drejtori i BE-së për Ballkanin, gjatë vizitës së tij në Tiranë, në deklaratën e tij mbi liberalizimin e vizave, nuk foli më për afate kohore, por për standarde të cilat duhen plotësuar, ku si parësore vendosi çështjen e pronave dhe renditi më pas reformën zgjedhore, atë në drejtësi dhe korrupsionin. Cili është komenti juaj?

Sado që na vjen keq që s’morëm ndonjë përgjigje më shokuese, të tipit: “Vizat për shqiptarët do t’i heqim muajin që vjen”, ose “nga tetori e tutje ju ftojmë të gjithëve të vini pa viza e të vizitoni Parisin a Kopenhagenin” (një deklaratë të tillë fanta-shkencore e ëndërrojmë përditë), përsëri e kemi një ngushëllim. Faktin që për këtë çështje nuk e kemi gënjyer asnjë çast e asnjë grimë lexuesin e nderuar. Ato çka i kemi thënë për dy vjet rresht, s’i luan as topi. Drejtori i Evropës s’mund të bënte asgjë më shumë se sa të ripërmendte nga e para, të gjitha ato që para tij i patën thënë gjithë ofiqarët e lartë të “Bashkimit”. Domethënë, të rendiste kushtet mbas kushtesh, plotësimi i të cilave do të na çlironte “një ditë” nga ai turp e mundim që heqim para sportelit të konsullatave për një vizë dyditore. E ndaj kujt? Ndaj ca njerëzve që banojnë vetëm dy orë larg Parisit, Brukselit, Londrës e Berlinit. Vetëm një orë larg Romës, Vjenës e Athinës. Ndaj njerëzve që flasin thuajse të gjitha gjuhët e tyre, që ua dinë mirë edhe historitë e gjeografitë vendeve ku shkojnë. Tamam këta njerëz i poshtëron ende nëpunësi më i humbur i një konsullate perëndimore. Ec e shpjegoje këtë punë sot, në kohën kur eksperimentohet vetë “Bing-Bang”-u.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›