E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patriotizmi është atdhedashuria



Personalisht, besoj se para së gjithash duhet sqaruar se çfarë do të thotë realisht patriotizëm! Kjo fjalë me një koncept krejt të qartë në vetvete përdoret me një inflacion të panevojshëm midis nesh dhe nga ne dhe kudo duke përcjellë edhe konfuzion. Pa dyshim që një gjë e tillë tregon se edhe kundrejt këtij fenomeni nuk jemi racional.

Koncepti i patriotizmit rrjedh nga koncepti i patrias ose atdheut dhe mund të përkthehet dhe përdoret më thjesht dhe më shqip si atdhedashuri. Kjo do të bënte që të gjithë ne të dinim ta respektonim më shumë këtë fenomen nacional-kulturor për të cilin ka nevojë çdo shtet. Besoj se të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që ky binom fjalë-koncept shfaqet me një inflacion të pashembullt si në shtypin e shkruar edhe në ekranet tona të shumta.

Shteti ynë ka më shumë nevojë se të tjerët për atdhetarë të cilët nuk janë emocionalë dhe partiakë, por racionalë dhe të vullnetshëm për të ndihmuar funksionimin më të mirë të institucioneve shtetërore të cilat janë ndërtuar në favor të të gjithë shtetasve.

Personalisht, jam i bindur se fillimisht, për të arritur atu ku nevojitet, duhet nisur me bojkotimin e fjalëve të huazuara patriotizëm dhe patriot dhe të përdorim vetëm fjalët shqipe: atdhedashuri dhe atdhetarë për të qenë të mirëkuptuar deri nga shtetari i fundit i cili mund të jetojë në Vermosh apo Konispol.

Kështu, do të mund të fillonim të kuptonim të gjithë se atdheu nuk duhet konceptuar në mënyrë abstrakte, por ka arsyet e veta racionale të cilat të bëjnë ta duash, respektosh dhe ndihmosh atë për aq sa mundesh...

Atdhedashuria shqiptare në Ballkan

Besoj se përmasat e atdhetarisë midis shqiptarëve në Ballkan janë të ndryshme. Ato të Shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, janë krejt të ndryshme nga ato tonat këtu në shtetin amë.

Përmasat e atdhetarisë së shqiptarëve në Greqi (të vjetërve si arvanitasit dhe çamët ortodoksë dhe të rinjve emigrantë) janë akoma më të ndryshme nga të dyja grupet e sipërpërmendura dhe kjo ka pa dyshim arsyet e veta historike dhe politike.

Në Shqipëri gjatë viteve të gjata të diktaturës atdhedashuria kufizohej vetëm në dimensionet njëpartiake dhe shumica e shoqërisë ishte nën sundimin e asaj pakice partiake e cila drejtonte shtetin dhe shoqërinë në mënyrë të dhunshme.

Në atë kohë udhëheqësi dhe partia ishte atdheu dhe prona, ishte shtëpia dhe trashëgimia, ishte kultura dhe të gjithë ishim të shtetëzuar deri në përmasat shpirtërore duke humbur thellë vetvetes konceptet e mirëfillta mbi atdheun dhe pronën.

Në atë kohë askush nuk mendonte se atdheu duhet konsideruar si një shtëpi e madhe dhe pronë e të gjithëve. Askush nuk kishte shtëpi nën pronësi dhe shteti komunist ishte pronar i gjithçkaje, deri martesave, të cilat nuk mund të zgjidheshin pa lejen e Sekretarit të Partisë!

Pa dyshim që kjo përvojë e gjatë dhe e dhunshme do të kishte rezultatet e saj negative kundrejt dimensionit njerëzor të atdhedashurisë së shtetasve të cilët realizuan jo rastësisht në vitet 1990 eksodin më të paimagjinueshëm duke kërkuar të mohojnë edhe prejardhjen shqiptare.

Atdhedashuria e shqiptarëve jashtë Shqipërisë

Siç dihet, organizimi politik shtetëror në ish-Jugosllavi, pavarësisht liberalizimit më të madh të saj, ka qenë i ngjashëm me atë të Shqipërisë komuniste. Por, duke qenë se instrumentet e dhunshme të administratave përkatëse kanë qenë dominuar nga etnitë e tjera joshqiptare, shqiptarët si në Kosovë, Maqedoni apo Mal të Zi kanë mundur të ndajnë dimensionin partiak nga ai atdhetar.

Për më tepër, liberalizimi jugosllav nuk u mori atyre të drejtat e pronësisë dhe të shtëpive, siç në fakt ndodhi në Shqipëri. Jo rastësisht në Kosovë, Maqedoni apo Mal të Zi harta e pronësive është e zgjidhur në pjesën më të madhe të saj, ndërsa në Shqipëri...

Kjo ka bërë që ata të jenë më atdhetarë dhe shumë më të ndjeshëm ndaj çështjes kombëtare e cila mirëfilli lidhet me konceptet e pronës, shtëpisë dhe ligjeve të cilat rregullojnë marrëdhëniet midis tyre dhe tyre me pronën dhe atdheun.

Me sa duket, të njëjtat arsye dhe koncepte racionale kanë bërë që shqiptarët e Greqisë të jenë më pak të ndjeshëm ndaj atdhedashurisë e cila në rastin e tyre ka qenë nën sundimin e një shteti tjetër.

Kjo ka pa dyshim shkaqet e saj konkrete të cilat lidhen me faktin se Greqia ka qenë gjithmonë me fat në historinë gjeopolitike të Ballkanit. Fakti që ajo u bë pjesë e Perëndimit pas Luftës së Dytë Botërore me vullnetin e padiskutueshëm dhe të vendosur Britanik që e ka pasur nën kujdesin e vet domethënës që më herët, ka bërë që shqiptarët atje të gëzojnë të drejtat e pronësisë si gjithë grekët e tjerë, por kurrë si pakica kombëtare.

Këtu, sigurisht përjashtohet rasti i çamëve dhe shqiptarëve të tjerë të cilët fati i keq i solli të jetojnë në Shqipëri dhe çështja e tyre është akoma e pazgjidhur, por pjesa tjetër është krejtësisht e paorganizuar dhe kjo duhet të ketë arsyet e veta të cilat lidhen edhe me faktin se gëzojnë të drejta të padiskutueshme.

Emigrantët shqiptarë

.

Besoj se kjo pjesë e kombit tonë ka të njëjtën hartë konceptimi sipas origjinës së tyre, por për të mos lodhur durimin e lexuesit, më duhet të kujtoj aktorin e famshëm shqiptar, James Belushi, i cili përcaktimit për të si shqiptar nga Ardit Gjebrea, iu përgjigj: “Unë jam amerikan. Babai im ka qenë shqiptar”.

Atdhedashuria për të ishte Amerika që i ka ofruar karrierë, shtëpi, prona, të ardhura dhe stabilitet. Nga kjo duhet të mësojmë të gjithë ne për të qenë atdhetarë të dobishëm këtu, që nesër këtë deklaratë të mos e bëjnë edhe të tjerë…

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›